Kosova

Presidenti i Kosovës: Të mos cenohet interesi strategjik me SHBA-në

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se është momenti që të respektohen këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe rajonit.

Presidenti, pa përmendur emra, ka thënë se zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane.

“Kjo situatë është për keqardhje. Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës”, ka shkruar presidenti.

Ai ka theksuar se cenimi i raporteve me SHBA-në paraqet fillimin e cenimit të shtetit. Kreu i shtetit ka kritikuar edhe arrogancën e treguar në raport me Bashkimin Evropian.