Kosova
Presidentja e Kosovës nderon me medalje nënat e Srebrenicës
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore dhe njihet si gjenocid

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë Medalje Presidenciale për nënat e Srebrenicës të Bosnje Hercegovinës, aty ku në korrik të vitit 1995 janë vrarë më shumë se 8.300 boshjakë nga forcat serbe.
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore dhe njihet si gjenocid.
Presidentja Osmani ka thënë se Srebrenica është një plagë e hapur në vetëdijen e botës, dhe është simbol i tragjedisë që ka shkundur vetëdijen globale, por që ende nuk e ka marrë drejtësinë që e meriton, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
Osmani e ka ndarë çmimin në kuadër të edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili ishte zotim i Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci, të mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2021.
“Ne në Kosovë bashkëndjejmë thellësisht me vuajtjen tuaj, sepse edhe ne kemi përjetuar të njëjtin gjenocid të bërë nga i njëjti agresor. Lista e masakrave është e gjatë dhe e dhimbshme. Dhe tani, pas më shumë se dy dekadave prej kur ka përfunduar lufta, mijëra nga Kosova dhe Bosnje-Hercegovinë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Nënat nuk kanë një varr ku të vajtojnë të dashurit e tyre, por vetëm heshtin, heshtje që godet çdo ditë”.
Ajo ka thënë se e ndan çmim në emër të të gjithë shtetasve të Kosovës, dhe u është drejtuar nënave të Srebrenicës, duke u thënë se ato janë “frymëzim dhe simbol i forcës që buron nga dashuria amnore”.
Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është mbyllur deri në një njoftim të dytë, për shkak të situatës së sigurisë.
Ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka thënë se është thellësisht i nderuar që nënat e Srebrenicës janë nderuar këtë vit me Medaljen Presidenciale, duke i përshkruar ato si simbol global i dinjitetit.
“Këto gra kanë përjetuar dhimbjen dhe vuajtjen më të madhe njerëzore, por e kanë shndërruar në forcë dhe fuqi për drejtësi, kujtesë dhe paqe. Ato asnjëherë nuk kërkuan hakmarrje, vetëm të vërtetën”, ka thënë Konakoviq, gjatë paraqitjes së tij në Forumin e mbajtur në Prishtinë, në të cilin do të marrin pjesë 150 persona nga 45 shtete të botës.
Në maj të vitit të kaluar, Kombet e Bashkuara e kanë miratuar një rezolutë, e cila njeh 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Deri më tani, mbi 6.650 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari.
Më shumë se 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.
Gjykata të ndryshme kanë dënuar deri tash më shumë se 50 persona, me më shumë se 700 vjet burg, për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është i dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Politikanët sërish në Alba Festival Në margjinat e Albafestivalit 2025, të dielën gjatë ditës së dytë të tij, u zhvillua një...
-
Kombëtarja e Zvicrës ka kompletuar zyrtarisht listën e lojtareve për Kampionatin Evropian 2025!
-
Parada e shqiptarëve në Nju-Jork
-
SUEDI
Nita Mulliqi përfundoi me sukses studimet e doktoraturës në Institutin Karolinska në Stokholm
-
Kur gjendja dukej e pashpresë, mjekja gjermane shpëton vajzën nga Kosova
Jeta në Zvicër
-
Gjermani kërkon rimbursim prej 2.4 miliardë CHF – Zvicra ndalon pagesën në minutën e fundit Në shikim të parë, aplikimi dukej i plotë dhe korrekt, por pas një inspektimi më të...
-
Politikanët sërish në Alba Festival
-
Nuk ka ndihma për emigrantët pa dokumente në Cyrih
-
Prishja e ndërtesave të vjetra në Zvicër me pasoja sociale
-
Rritet rreziku i zjarreve në pyje në disa rajone të Zvicrës