Maqedonia

Problem me klimën, shoferi hyn në konflikt fizik me pasagjerë

Autobusi me udhëtarë, kryesisht shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ishte duke udhëtuar nga Maqedonia drejt Berlinit dhe Hamburgut

Në një vendparkim në autostradë, në territorin e komunës Spital am Phyrn të Austrisë, të dielën një shofer autobusi ka pësuar lëndime të rënda nga një sherr që ka pasur me pasagjerët e autobusit, shkruan kleinezeitung.at. Ai u desh të transportohej nga ndihma e shpejtë në spitalin e Kirchdorf an der Krems, bën të ditur policia.

Autobusi me udhëtarë, kryesisht shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ishte duke udhëtuar nga Maqedonia drejt Berlinit dhe Hamburgut, transmeton albinfo.ch. Rreth orës 6.20 të mëngjesit, shoferi 38-vjeçar ndaloi në vendparkim për të riparuar aparatin e klimës që ishte me defekt. Me atë rast ai hyri në konbflikt me një pasagjer 39-vjeçar, gjerman, të autobusit.

Të pranishmit fillimisht arritën t`i ndanin dy të konfliktuarit, përcjell albinfo.ch. Por, pas pak sherri plasi përsëri. 39-vjeçari e rrëzoi shoferin përtokë dhe e lëndoi rëndë, duke e shqelmuar. Edhe babai 56-vjeçar i gjermanit i kishte dhënë disa goditje shoferit me atë rast.

Autobusi vazhdoi rreth orës 11 rrugën me një ngasës tjetër. Dy të dyshuarit u desh të udhëtonin më tutje me tren.