Zhvillim

Prodhuesit kosovarë të veshmbathjeve nëpërmjet diasporës synojnë tregun zviceran

Kompani kosovare të veshmbathjeve po marrin pjesë në panairin për profesionet e sigurisë në punë „Bernexpo 2016“. Ky është i vetmi panair në Zvicër që fokusohet ekskluzivisht për çështjen e sigurisë së punëtorëve.

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Industria e veshmbathjeve në Kosovë shihet si një nga industritë me potencial të madh për eksport, për shkak të zhvillimit të saj gjatë viteve të fundit, sidomos në prodhimin e uniformave të punës.

Njëra prej kompanive kosovare që ka ekpozuar uniformat e punës në këtë panair ishte edhe “Artatex“ nga Peja.

Drejtori i kësaj kompanie, Agim Mustafa, thotë për albinfo.ch se tashmë kanë aktivitet ekonomik dhe tregtar në Zvicër, por kryesisht me firma të shqiptarëve të diasporës.

Ndërsa sa i përket kualitetit me konkurrencën në panair, afaristi nga Kosova tha të jenë afër nivelit të tyre.

„Kualiteti është mesatar, por i arritshëm në tregun evropian, si me çmim, po edhe me kualitet”, tha Mustafa nga Peja.

«Ne duhet të nisim zgjerimin me përkrahjen e firmave në diasporë, me tendencën për të lidhur bashkëpunim edhe me firmat zvicerane», tha Mustafa.

Edhe kompania tjetër nga Prizreni, „Puntex“, që është e specializuar në prodhimin dhe dizajnimin e uniformave të punës, është hera e parë që promovon prodhimet e saj jashtë Kosovës, ndërsa pritjet për menaxherët e saj janë të mëdha nga panairi „Bernexpo“ në Bernë.

„Pjesëmarrja në panair është një shans i mirë të tregojmë potencialin tonë në Evropë. Përshtypjet janë pozitive. Nga ana tjetër, do të jetë një motivim për të rritur kualitetin e prodhimeve tona që i përshtaten standardeve evropiane, për të depërtuar sa më lehtë në tregun evropian“, tha Ramadan Grazhda nga kompania «Puntex».

Pjesëmarrja e tri kompanive të Kosovës në panairin në Bernë është mundësuar në kuadër të projektit  EMPOWER, Sektori Privat i USAID-it, që financohet nga USAID dhe Sida, projekti DEED i UNDP-së dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

„Projekti EMPOWER është duke bërë përpjekje të ndihmojë prodhuesit e veshmbathjeve që të eksportojnë jashtë vendit. Panairi i Uniformave në Bernë urojmë të rezultojë në gjetjen e partnerëve potencialë për eksport. Në kuadër të kësaj vizite jemi duke vizituar edhe kompani të sukseseshme shqiptare që operojnë në Zvicër. Meqë janë të orientuar në sektorë që nevojiten rrobat e punës, e shohim si mundësi më të lehtë të deportojmë në tregun zviceran. Ndërsa sektori i tesktilit në Kosovë ka potencial për të përmbushur kërkesat e tyre“, thotë për albinfo.ch Arta Istrefi nga USAID-i në Prishtinë.

„Nga përvoja e mëhershme me panaire në të kaluara kemi mësuar se shumica e kompanive në Evropë janë të interesuara të prodhojnë produktet e tyre në vendet në zhvillim, për shkak të fuqisë së lirë punëtore dhe kostos së lirë“, thotë më tutje Istrefi.

Eksporti është mënyrë e mirë për të rritur punësimin, po në të njëjtën kohë edhe kualitetin.

„Ne si projekt me shoqatën KAMA jemi duke punuar me agjentin tregtar potencial nga Zvicra, Rexhep Berisha, i cili uroj të bëjë shitjen e produkteve kosovare në Zvicër. Të njëjtën do ta bëjmë edhe me Gjermani, sepse mendojmë se me kontaket direkte në mënyra të ndryshme me kompanitë e diasporës të arrijmë edhe te ato zvicerane“, thekson Istrefi.

Ardian Spahiu nga UNDP thotë të kenë arritur në fazën e përfshirjes së prodhuesve kosovarë në tregjet evropiane, aty ku është e përqendruar diaspora shqiptare.

«Ato që prodhohen në Kosovë dhe ato që po i shohim në këtë panair, po edhe në panaire të tjera, unë mendoj se kemi arritur një kualitet që duhet të krenohemi. Nuk do të thosha më i miri në Evropë, por është një produkt që mund të krenohemi dhe mund te marrim pjesë në panaire që t’i përshtatemi tregut, kërkesave dhe kualitetit“, thotë më tutje Spahiu.

I të njëjtit mendim është edhe Agron Morina nga Shoqata Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve, KAMA.

„Sa i përket kualitetit, këto kompani e kanë dëshmuar këtë në Kosovë, ngase të gjitha këto kompani kanë prodhuar uniforma për policinë, KFOR-in dhe institucinet e ndryshme. Pikërisht me këtë besim kanë ardhur në këtë panair, ngase e dinë cilësine e produkteve të tyre, edhe ne po mundohemi t‘i paraqesim sa më mirë në tregun e jashtëm evropian. Të gjitha këto kompani kanë produktet e tyre të certifikuara me standardet ISO“, tha Agron Morina nga Shoqata Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve, KAMA.

Shoqata “Kama” ka rolin që të përcjellë klientët potencialë edhe pas panairit, duke i konkretizuar këkesat e tyre deri te prodhuesit kosovarë të veshmbathjeve.

Sipas statistikave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, janë 867 kompani që zhvillojnë veprimtarinë në sektorin e veshmbathjeve në Kosovë, mirëpo një numër i vogël i tyre kanë arritur të eskportojnë prduktet e tyre jashtë vendit.