Lajme

Pse ata që kanë kaluar Covidin duhet të vaksinohen

Vaksinat janë një mjet kryesor në betejën kundër COVID-19 dhe vaksinimi është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga COVID-19

Vaksinimi është më i sigurt sesa infektimi

Vaksinat trajnojnë sistemin tonë imunitar për të njohur një virus të caktuar nga viruset e tjerë dhe për të krijuar antitrupa. Pas vaksinimit, trupi është i gatshëm të luftojë atë nëse do të ekspozohet më vonë ndaj tij, duke parandaluar kështu sëmundjen.

Shumica e njerëzve që janë të infektuar me SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, zhvillojnë një përgjigje imune brenda javëve të para, por ne jemi ende duke mësuar se sa e fortë dhe e qëndrueshme është ajo përgjigje imune, dhe si ajo ndryshon nga një njeri tek tjetri, transmeton Monitor.

Edhe njerëzit që janë infektuar tashmë me SARS-CoV-2 duhet të vaksinohen, vetëm në rast se u thuhet ndryshe nga organet kopetente të kujdesit shëndetësor. Edhe nëse keni pasur një infeksion të mëparshëm, vaksina vepron si një përforcues që forcon përgjigjen imune. Ka pasur edhe disa raste të njerëzve të infektuar me SARS-CoV-2 për herë të dytë, gjë që e bën edhe më të rëndësishëm procesin e vaksinimit, përcjell albinfo.ch.

Çfarë të presim gjatë vaksinimit

Profesionistët mjekësorë mund të këshillojnë më mirë individët se kur do të ishte më mirë për ta të vaksinoheshin. Një punonjës i stafit mjekësor do të administrojë vaksinën dhe personit që vaksinohet do t’i kërkohet të presë për 15-30 minuta para se të largohet nga vendi i vaksinimit. Kjo procedurë ndiqet në mënyrë të tillë që punonjësi i stafit mjekësor të ketë mundësinë të vëzhgojnë individët për çdo reagim të mundshëm pas vaksinimit.

Si çdo vaksinë tjetër, vaksinat COVID-19 mund të shkaktojnë efekte anësore të lehta deri në mesatare, të tilla si ethe ose dhimbje të shkallës së ulët ose skuqje në vendin e injeksionit. Këto efekte duhet të zhduken vetë brenda pak ditësh.

Për më shumë informacion lexoni shpjeguesin e Sigurisë së OBSH për Vaksinat COVID-19 dhe Pyetje & Përgjigje mbi Sigurinë e Vaksinave për të mësuar më shumë rreth efekteve anësore të zakonshme dhe për të mësuar se cilët janë ata individë që duhet të këshillohen me mjekun para vaksinimit.

Dozat e vaksinës

Për disa vaksina COVID-19, kërkohen dy doza. Është shumë e rëndësishme të merrni dozën e dytë nëse vaksina është me dy doza.

Për vaksinat që kërkojnë dy doza, doza e parë ka të bëje me antigjenet – proteina që stimulojnë prodhimin e antitrupave – në sistemin imunitar për herë të parë. Ndërsa doza e dytë vepron si një përforcues, duke siguruar që sistemi imunitar të zhvillojë një përgjigje të kujtesës për të luftuar virusin nëse e ndesh përsëri.

Për shkak të nevojës urgjente për një vaksinë COVID-19, provat fillestare klinike të kandidatëve për vaksina u kryen me kohëzgjatjen më të shkurtër të mundshme ndërmjet dozave. Për këtë arsye, një interval prej 21-28 ditësh (3-4 javë) ndërmjet dozave, rekomandohet nga OBSH-ja. Në varësi të vaksinës, intervali mund të zgjatet deri në 42 ditë, ose edhe deri në në 12 javë për disa vaksina, gjithmonë në bazë të provave aktuale.

Aktualisht ka shumë vaksina COVID-19 që po zhvillohen dhe prodhohen nga prodhues të ndryshëm në të gjithë botën. OBSH-ja rekomandon që nëse vaksina përbëhet nga dy doza, atëherë këto dy doza duhet të jenë nga i njejti prodhues. Ky rekomandim mund të përditësohet kur informacioni i mëtejshëm të bëhet i disponueshëm.

Siguria kundër infeksionit dhe transmetimit pas vaksinimit

Provat klinike të disponueshme kanë treguar që vaksinat COVID-19 janë të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda. Duke pasur parasysh se sa i ri është COVID-19, studiuesit ende po shqyrtojnë se për sa kohë një person i vaksinuar mund të mbrohet nga infeksioni, dhe nëse ekziston mundësia që njerëzit e vaksinuar mund ta transmetojnë ende virusin tek të tjerët. Teksa prodhimi i numrit të vaksinave po rritet, OBSH-ja do të vazhdojë të monitorojë të dhënat së bashku me autoritetet përkatëse rregullatore.

Vaksinat e sigurta dhe efektive po japin një kontribut të rëndësishëm në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes nga COVID-19. Ndërsa vaksinat po përhapen dhe imuniteti po fitohet sërish, është e rëndësishme të vazhdoni të ndiqni të gjitha masat e rekomanduara që zvogëlojnë përhapjen e SARS-CoV-2.

Kjo përfshin distancimin fizik nga të tjerët; mbajtjen e maskës, veçanërisht në ambiente të mbushura me njerëz dhe me ajrosje të pakët; larja e duarve sa më shëesh të jetë e mundur; vënia e dorës përpara në rast të çdo kollithjeje të mundshme apo teshtime dhe ajrosja sa më e shpeshtë e ambienteve të brendshme.