Bota

Qytetet evropiane që duhet t’i vizitoni gjatë vjeshtës

Vjeshta është një stinë magjike, e cila mbështjell me ngjyrat e saj çdo qytet, fshat dhe peizazh natyror, duke e bërë edhe më të bukur

Ndër qytetet më të bukura evropiane që duhet të vizitoni në vjeshtë është Parisi, vendi më romantik në botë; Munihu, i cili në shtator-tetor vishet jo veç me ngjyrat e vjeshtës, por edhe me dritat e Oktoberfest; Bryzhi i magjishëm, deklaruar Pasuri e UNESCO-s; Dresden, i cilësuar ndryshe edhe “Firence mbi Elbë” për bukurinë arkitekturore dhe artistike dhe Edimbugu, një qytet, bukuria dhe misteri i të cilit tërheqin gjithnjë turistë nga e gjithë bota, transmeton Monitor.

Zbuloni më poshtë qytetet europiane që duhet të vizitoni në vjeshtë dhe atraksionet e tyre, përcjell albinfo.ch.

Parisi

Ndër qytetet evropiane që duhet të vizitoni në vjeshtë është Parisi. Pemët përgjatë bulevardeve të gjata dhe parqeve elegante të Ville Lumière vishen me mijëra nuanca të së verdhës së zbehtë, portokallisë, ngjyrës së artë e së kuqes duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme. Pasi të keni mbërritur në zemër të qytetit më romantik në botë, ju këshillojmë të bëni menjëherë një shëtitje në Champs-Élysées dhe Boulevard Haussmann për t’u ndier të katapultuar në një botë magjike, ku ngjyrat e ngrohta të vjeshtës shfaqen edhe më të gjalla dhe të shndritshme, në kontrast me ngjyrën gri të pallateve elegante të qytetit.

Ju nuk duhet ta humbni kurrsesi një vizitë në Pallatin e Versajës për të parë me sytë tuaj madhështinë dhe elegancën që e karakterizojnë, veçanërisht Hall of Mirrors (frëngjisht Grande Galerie apo Galerie des Glaces). Një këshillë: organizojeni udhëtimin tuaj gjatë Ditëve Europiane të Kulturës që këtë vit janë në datat 21 dhe 22 shtator për të shfrytëzuar hyrjen e lirë në ndërtesa të ndryshme dhe muze.

Munihu

Munihu është një tjetër destinacion ideal për të kaluar disa ditë pushimesh në shtator apo në tetor, për të admiruar ngjyrat e mrekullueshme të vjeshtës dhe për t’u argëtuar gjatë ditëve të Oktoberfest. Në muajt e vjeshtës, pemët në rrugët e Munihut vishen me ngjyrat vjeshtake duke i dhënë më shumë bukuri arkitekturës tipike mesjetare të shumë prej ndërtesave historike. Në Englischer Garten, që shtrihet nga qendra e qytetit deri në kufirin verilindor, peizazhi është i mrekullueshëm.

Pas shëtitjeve nëpër qytet ju këshillojmë të kaloni disa orë edhe në Oktoberfest mes muzikës, pjatave tipike dhe natyrisht, lumit të birrës. Do të jetë me siguri një përvojë unike, ku do të mund të kuptoni më mirë dashurinë për traditat të popullit gjerman – në fakt, nëpër tavolinat e Oktoberfest mund të shihni dhe një familje prej 3 – 4 brezash që festojnë këtë traditë të lashtë. Nëse keni kohë, ku këshillojmë të vizitoni edhe kështjellën Neuschwanstein, 100 kilometra nga Munihu, e cila do të mbetet ndër kujtimet tuaja më të bukura.

Bryzhi

Nëse dëshironi të kaloni disa ditë romantike në vjeshtë me njeriun e zemrës, shkoni në Bryzh, në Belgjikë, qytet i shpallur Pasuri e Njerëzimit nga UNESCO. Shëtisni mes kanaleve të qetë dhe të mrekullueshëm për të parë ndërtesat e vjetra dhe kishat mesjetare të qendrës historike. Në rast se gjatë atyre ditëve bie shi, vizitoni bazilikën “Holy Blood” (Gjakut të Shenjtë) dhe Church of Our Lady (Kisha e Zonjës Sonë – është ndërtesa e dytë me tulla, më e lartë në botë) ku është edhe një skulpturë e Mikelanxhelos me Shën Marian dhe Krishtin. Më pas vizitoni Choco-Story the Chocolate Museum dhe muzeun po aq interesant Frietmuseum, ose muzeu i patateve të skuqura. Frietmuseum është i pari dhe i vetmi muze kushtuar patateve të skuqura.

Drezdeni

Një tjetër qytet evropian i cili bëhet edhe më tërheqës nga ngjyrat e vjeshtës është Drezden. Bukuritë arkitekturore të këtij qyteti, të bëra të pavdekshme në tablotë e piktorit italian Canaletto, i kanë dhënë pseudonimin e “Firence mbi Elbë”, dhe këtë e kuptoni menjëherë sapo mbërrini në Drezden me përshtypjen se rrethoheni, “mbyteni”, nga e bukura.

Një nga atraksionet që duhet të vizitoni është pallati mbretëror, Zwinger, i rrethuar nga kopshte të mrekullueshme, dhe dy pikat kryesore panoramike të tij Brühlsche Terrasse të cilin Goethe e cilësoi si “Ballkoni i Europës” dhe Canaletto Blick, vendi ku artisti i madh pikturoi shumë prej tablove të tij. Ju nuk duhet të lini kurrsesi pa vizituar edhe Katedralen e Trinisë së Shenjtë dhe Kishën e Zonjës Sonë.

Edinburgh

Nëse doni të zhyteni në një atmosferë magjepsëse të pakohë, destinacioni ideal është Edimburgu, në Skoci. Midis rrugicave magjepsëse, ndërtesave historike, kishave të vjetra, kështjellave të pasura me mistere dhe plazheve melankolike, magjia e vjeshtës është unike.