Lajme

Qyteti i Bernës, ultimatum ambientalistëve që ta lirojnë sheshin

Dhoma Nacionale e Parlamentit ka votuar një propozim nga SVP me 109 vota pro dhe 83 kundër, për të shpërndarë kampin

Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës u ka bërë thirrje autoriteteve të Bernës që të shpërndajnë kampin e protestës të aktivistëve të klimës që ka pushtuar sheshin Bundesplatz.

Kjo dhomë ka votuar një propozim rregullator përkatës nga SVP me 109 vota pro dhe 83 kundër, shkruan srf.ch.

Siç është shkruar tashmë, një grup prej rreth 500 aktivistësh të klimës kanë pushtuar sheshin kryesor të Bernës, ku pretendojnë se do të qëndrojnë një javë, duke protestuar kundër politikave, sipas tyre, të dëmshme, të Bernës zyrtare në raport me klimën.

Sipas deklaratave të tyre, aktivistët janëm shprehur të gatshëm që të bëjnë vend për tregun javor në Bernë që mbahet të martën pikërisht në vendin që e kanë zënë.

Por ata duan të vazhdojnë të demonstrojnë edhe pas kësaj, transmeton albinfo.ch. Demonstrimi do të zgjasë një javë.

Delegacioni administrativ i parlamentit më parë kishte kërkuar nga qyteti dhe kantoni i Bernës që të lirojnë sheshin, pasi demonstrimet në Bundesplatz janë të ndaluara gjatë sesionit të këshillave federale.

Nga ana e tij, autoritetet e qytetit të Bernës u kanë dhënë aktivistëve një ultimatum deri të martën në mesditë. Nëse nuk e respektojnë, kampi do të shpërndahet me polici.