Shqipëria

Rama deklaroi se do ta padisë, gazetari gjerman i kundërpërgjigjet

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të nisë një luftë ligjore me gazetarin e gjermanes ‘Bild’, Peter Tiede, i cili ka publikuar materiale nga dosjet 184 dhe 339 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sot u publikua edhe një audio-përgjim i Ramës me Arben Keshin, drejtor në Ministrinë e Brendshme.

Por kryeministri shqiptar thotë se do ta çojë në gjykatat gjermane gazetarin Tiede për të parë kush ka të drejtë në këtë histori.

“Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojëra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacenueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”, shkruan Rama.

Gazetari gjerman, Peter Tiede, ka replikuar me kryeministrin Edi Rama, pasi ky i fundit paralajmëroi se do e padisë në Gjermani për shkak të publikimeve të përgjimeve nga dosjet 339 dhe 184, shkruan TCH, përcjell Albinfo.ch.

Duke ironizuar Ramën nëse ‘madhëria e tij’ është fyer nga përgjimet, Tiede thekson se kasetat janë origjinale. Ai thotë gjithashtu se gjykatat në Shqipëri nuk funksionojnë, ndaj Rama do ta dërgojë padinë në Gjermani dhe i bëhet qejfi që kryeministri shqiptar e pranon këtë fakt.

“Z. Kryeministër, ju doni të më padisni? Për shkak se kam fyer lartmadhërinë, apo pse? Kasetat janë origjinale. Apo dyshoni për materialin e prokurorëve tuaj? Në Shqipëri, ju nuk mund të më paditni: cila gjykatë funksionon? Jam i lumtur që e pranove…”, replikon Tiede me Ramën.