Kosova

Raporti për sulmin në Banjskë: KFOR-i negocioi për tërheqjen e grupit të sulmuesve

Mark Lancaster, raportues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, prezantoi një draftraport në sesion pranveror të këtij mekanizmi në Sofje.

Në këtë raport thuhet se zyrtarë të KFOR-it patën negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë.

Draftraporti “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s”, përfshin edhe të dhëna nga raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizës (2 prill), e në të cilin jepen hollësi për sulmin e fundshtatorit të 2023-s.

“Pas një periudhe të shkurtër të depërshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjskë, në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjskës dhe kufirit me Serbinë si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë lansues raketash anti-tank, lansues mortajash dhe granatash, mina anti-tank dhe 24 automjete (një e blinduar)”, thuhet në draftraportin e prezantuar.

Ky draftraport u prezantua në ditën e dytë të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në agjendë të së cilës është çështja e avancimit të statusit të Kosovës nga vëzhgues, në anëtar të asociuar.

Në kuadër të këtij sesioni, Kosova pret që të hënën të ketë votim të suksesshëm për avancimin e statusit të saj nga vëzhgues, në anëtar të asociuar të Asamblesë Parlamentare.

Lordi Mark Lancaster, përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, ka kërkuar që aleatët të konsultohen lidhur me statusin e Kosovës në këtë mekanizëm.

“Aleatët duhet të përdorin korniza konsultative për të avancuar çështjen lidhur me statusin e Kosovës. Ata që nuk e njohin statusin e Kosovës, mund të mendojnë pjesëmarrjen e Kosovës në NATO dhe në partneritetin për paqe”, ka thënë Lancaster./Koha.net