Shkurt.ch

Rekord: Papunësia në Zvicër zbret në 2.4 %

Kjo shkallë në mars të këtij viti ka qenë 2.5% ndërsa në prillin e vitit 2018, 2.7%

Shkalla e papunësisë në Zvicër gjatë muajit prill ka rënë në 2.4 për qind, ka bërë të ditur sot në një komunikatë Sekretariati Shtetëror për Ekonomi, Seco. Kjo shkallë në mars të këtij viti ka qenë 2.5% ndërsa në prillin e vitit 2018, 2.7%, shkruan srf.ch.

Sipas Seco-s, në fund të prillit të vitit 2019 në qendrat regjionale për ndërmjetësim të punës (RAV) ishin regjistruar gjithsej 107.298 persona si të papunë. Dhe ky numër ishte për 5043 më i vogël se në muajin pararendës, transmeton albinfo.ch. Me përqindje, numri i të papunëve ka rënë brenda një muaji për 4.5% ndërsa në krahasim me prillin e vitit 2018, kjo ulje është edhe më e madhe, 10.4%.

Ndërsa si kërkues pune në RAV gjatë prillit kanë qenë të regjistruar 183.549 persona ose 5918 më pak se në mars. Në prill në kuadrin e RAV janë numëruar 37958 vende të lira pune.

Gjatë muajit shkurt në Zvicër janë çregjistruar nga RAV 2562 veta. Këta kanë përfunduar kohën e caktuar për mbështetje nga ky ent, gjegjësisht nuk marrin më të ardhura prej tij.

Ulje ka shënuar edhe numri i të papunëve të moshave të reja, përqindja e të cilëve zakonisht është dukshëm më e lartë se e kategorive tjera, përcjell albinfo.ch. Në fund të prillit në RAV ishin të regjistruar 10.661 persona të moshave 15 deri 24 vjeçare, që, në krahasim me një muaj më parë përbën një zvogëlim prej 7.9%