Shqiptaro-zviceranët dhe Zgjedhjet Federale 2015

Rinia shqiptare, pjesë aktive e politikës zvicerane

 

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Të shtunën mbrëma në Gossau është mbajtur një tubim parazgjedhor për kandidatin e partisë CVP-në regjionin e St.Gallen, Veton Rasaj. Në këtë ngjarje, në mesin e të pranishmëve të shumtë, përkrahje kandidatit shqiptar në zgjedhjet nacionale të tetorit, i kanë dhënë zyrtarë të kësaj partie, përfaqësues të partive politike kosovare në diasporë, e si mysafir special ishte ish-kryetari i Gjakovës, tani deputet në Parlamentin e Kosovës, Pal Lekaj.

19-vjeçari, Veton Rasaj, me prejardhje nga Kosova, si kryetar i të rinjve të CVP-së në Rorschah, Gossau dhe St.Gallen, është kandidat për deputet nga radhët e partisë, e cila aktualisht është e  katërta në nivel vendi, me 12.3% të votave në zgjedhjet e fundit, krahasuar me partinë SVP që ka marrë 26.6%.

Në këtë tubim, Rasaj para të pranishmëve ka prezantuar arsyet e përfshirjes në partinë CVP, punën dhe angazhimin e tij, dhe cilat do të jenë prioritetet e tij në rast se zgjidhet në zgjedhjet e 18 tetorit. “Në moshën time politika nuk është një temë e rëndësishme. Shumë pak të rinj interesohen për levizjet politke në Zvicër. Kjo është një ngushëllim për ne. CVP i përfaqëson vlerat e të gjithëve këtu që jemi të pranishëm dhe për mendimin tim, është e fortë për familjen dhe është shumë e rëndësishme në shoqëri”, ka thënë Rasaj. Ai më tutje ka folur edhe për sistemin arsimor këtu, i cili sipas tij, është më unik në botë, duke thënë se këtë sistem duhet mbrojtur që të vazhdojë edhe më tutje kështu siç është. “Sistemi arsimor është më i forti në botë. Këtë nuk duhet ta lëshojmë, por duhet ta mbajmë që të ecë edhe më tutje në këtë mënyrë”, ka shtuar ai.

Përveç angazhimit në politikë, ai ka kohë që merret edhe me sportin e futbollit në klubin “FC Besa” në St.Gallen. E ndër të pranishmit e shumtë, përfaqësues politikë e familjarë, ishte prezent edhe presidenti i klubit futbollistik “FC Besa”, Muhamet Krasniqi. Në një fjalë rasti ai ka thënë se është nder i veçantë që Vetoni përfaqëson shqiptarët në Zvicër. Sipas Krasniqit, Veton Rasaj ka hapur dyert e integrimit politik të shqiptarëve këtu. “Para disa viteve vetëm mendimi për kandidim në kësi lloj zgjedhje ka qenë diçka e huaj për ne. E sot në këtë mbrëmje ky mendim u bë realitet. Ne sot kemi një mundësi që të përkrahim Veton Rasajn për këtë sfidë të madhe në politikë. Për shoqatën FC Besa është një nder i madh që një lojtar i joni të jetë kandidat për ulëset e Nationalrat. Jemi krenar për prezentimin e tij të besueshëm dhe dinamik në politikë”, tha Muhamet Krasniqi. Ai Rasajn e ka cilësuar si një djalë me vendosmëri të madhe, duke përmendur se është këmbëngulës, i mban premtimet dhe meqë është i ri në këtë drejtim « ka nevojë për përkrahjen tonë dhe tuajën”.

Në përkrahje të kandidatit me origjinë nga Kosova, presidenti i CVP-së në Kantonin e St.Gallen, Thomas Ammann ka deklaruar se Rasaj është njëri ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të mendimeve të njejta në parti. “Në politikën tonë janë në qendër të vëmendjes njerëzit dhe nuk është e rëndësishme prejardhja e tyre, por puna. Dëshiroj që Veton Rasaj të marrë më së shumti vota si njëri nga kandidatët më të mirë nga partia jonë”, ka thënë Ammann.

Mysafiri special, i ardhur nga Kosova, ish-kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, tregon se si e ka mirëpritur idenë që Vetoni të përfshihet në politikë. Ai thotë se njerëz si Vetoni duhen gjithkund të jenë të angazhuar e që kanë për qëllim përfaqësimin e shqiptarëve jo vetëm në Zvicër, por në gjithë botën. “Ne shqiptarët, nëpër kohë, kemi qenë sfidues, por falë profesionalizmit tuaj, falë angazhimit dhe punës tuaj kemi arritur edhe në këtë shtet të tregojmë se si integrohet shqiptari. Në politikë kemi qenë jo shumë të angazhuar, nuk kemi pasur përfaqësues tonë, jo se ky shtet nuk i ka krijuar kushtet për të qenë pjesë e saj, por ju fillimisht jeni marrë duke punuar me gjërat elementare edhe Zvicër edhe kontribut në familjet e juaja në Kosovë. Ne ju jemi mirënjohës të gjithë juve sepse ju keni qenë mbështetja më e fuqishme e Kosovës, por ajo që kërkohet sot nga ju, është që të keni përfaqësues tuaj në politikën zviceriane. Ky përfaqësues i juaj është Veton Rasaj, prandaj ju kërkoj ta mbështetni fuqishëm”, ka thënë deputeti i Parlamentit të Kosovës nga radhët e AAK-së.

Kurse Qamil Çekaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Zvicër, ka thënë se kanë kaluar disa decenie që shqiptarët gjenden në Zvicër, disa për probleme politike e të tjerë për probleme ekonomike. Sipas tij Zvicra i ka hapur dyert dhe i ka pranuar të gjithë në gjirin e saj si punëtor në uzinat e ndryshme. “Ne deri tash në politikën e këtij shteti nuk kemi qenë të përfaqësuar edhe pse jemi një komunitet shumë i madh këtu. Por sidomos në këtë vit në të gjitha kantonet përmes partisë të respektuar të CVP, shqiptarët janë kandidatë për këto zgjedhje dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër pos t’i përkrahim dhe t’i mbështesim në rrugën e tyre sepse janë politikanë të rinj që do ta provojnë veten dhe këta të zënë vend në politikën zviceriane”, tha Çekaj.

Në përmbyllje të këtij tubimi madhështor, Veton Rasaj ka thënë se familja, migracioni dhe arsimi do të jenë punët e tij më me përkushtim. “Nuk dua të jap premtime të thata. Krejt këto pika që i kam përmendur, me angazhimin tim dua t’i përmbush në këtë karrierë politike”, përfundoi Veton Rasaj, kandidat i CVP-së me numër 1.12.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI