Uncategorized

Rita Ora: Gjithnjë do të jem krenare ta quaj veten kosovare

Ylli i hitit “How To Be Lonely”, Rita Ora, kishte shkuar për të jetuar në Britani të Madhe nga Kosova, kur ajo ishte ende foshnje. Prindërit e saj ishin detyruar të largohen nga vendlindja në fillim të viteve 90-të, për shkak të persekutimit serb.

Edhe pse Ora është rritur në Londër, ajo sërish ishte ballafaquar me paragjykime të shumta nga fëmijët në shkollë, të cilët për ta nënçmuar atë e quanin refugjate.

Duke folur për vendimin e prindërve të saj për t’u larguar nga Kosova, në një intervistë të fundit këngëtarja citohet të jetë thënë: “Nëna ime ishte psikiatre ndërsa babai një ekonomist. Ata e lanë pas gjithë jetën e tyre dhe u desh ta nisnin gjithçka nga fillimi, me të arritur në Londër si refugjat. Por, mbrojtja e fëmijëve të tyre ishte prioritet për ta, dhe unë ndihem e bekuar çdo ditë për sakrificat e tyre dhe punën e jashtëzakonshme që e kanë bërë në të mirë të familjes. Ata e kanë mësuar një gjuhë të re, kanë studiuar nga fillimi si dhe na kanë rritur mua, motrën dhe vëllain në mënyrën më të mirë të mundshme. Ata na kanë mësuar të luftojmë për atë që duam ta bëjmë në jetë, të punojnë shumë dhe të mos dorëzohemi kurrë, pavarësisht rrethanave.”

Këngëtarja 29-vjeçare, ndër të tjera ka treguar se e ka pasur një fëmijëri të vështirë pikërisht për faktin se vinte nga një shtet tjetër, dhe shpesh ishte detyruar të shoqërohet me fëmijë të tjerë të huaj, për shkak se kishin diçka të përbashkët.

Rita Ora gjithashtu ka treguar se herë pas here e viziton Kosovën, dhe se është tejet krenare për prejardhjen e saj.

“Kosova do të jetë përgjithmonë vendlindja ime dhe gjithnjë do të jem krenare ta quaj veten kosovare. Jam shumë e nderuar që tani kam mundësi të kontribuoj në vendlindje, si ambasadore nderi e shtetet të Kosovës. Sa herë që kam mundësi, unë i vizitoj familjarët e mi. e adhuroj çdo gjë nga kultura kosovare, sepse është shumë më ndryshe. Veshjet kombëtare të Kosovës janë shumë të bukura dhe ushqimi është shumë i shijshëm. Bakllava është ëmbëlsira ime e preferuar. Unë gjithmonë do të jem kosovare në zemër. Asnjëherë nuk do të harrojë ku i kam rrënjët dhe do të ndihem gjithmonë krenare për prejardhjen time,” ka deklaruar Ora në intervistën e realizuar për revistën “Vogue Arabia”.