Lajme

Rritet numri i infektimeve në Gjermani

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn po verifikon mundësinë e testeve të detyruara të koronavirusit për pushuesit që kthehen nga zonat e rrezikuara. Ndërkohë flitet se vala e dytë e koronavirusit është realitet në Gjermani.

“Ne po verifikojmë detyrimin ligjor”, për testet e koronavirusit, tha Jens Spahn (CDU) të shtunën për radion gjermane, Deutschlandfunk lidhur me mundësinë e vendosjes së testeve të detyruara për ata pushues që kthehen nga zonat e rrezikuara. Sphan e argumenton këtë masë me rritjen e numrit të infeksioneve të reja. “Një numër i tillë kaq i lartë nuk ishte prej kohësh”, ka thënë Spahn, duke theksuar, se “ajo që kemi për momentin janë shumë vatra të vogla shpërthimi”, që shumicën e rasteve ka të bëjë me aktivitetet e udhëtimeve, raporton DW, përcjell albinfo.ch.

Por, një test i detyruar shkon përtej vendimit të ministrave të Shëndetësisë së landeve të premten. Sipas tij në aeroporte do të ngriheshin qendra testimi, ku të kthyerit nga pushimet do të testoheshin pa kosto dhe vullnetarisht. Sipas Spahn për detyrimin e testimit ka pengesa të mëdha ligjore. “Është një ndërhyrje në liri detyrimi që i vihet dikujt për testim.” Gjykatat e shohin “me shumë vëmendje që çdo ndërhyrje të jetë proporcional”, ka thënë Spahn, që është shprehur, se ende beson në testimin vullnetar dhe arsyen e pushuesve.

Autoritetet gjermane shënuan rreth 800 raste në ditë së fundmi. Vetëm të premten Instituti Robert Koch regjistroi 815 raste. Gjithsej në Gjermani janë 202.964 vetë të infektuar.

Por shifrat po rriten jo vetëm në Gjermani. Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërkohë njofton, se numri i infektimeve të reja në ditë është më i lartë, se kurrë që nga fillimi i pandemisë. Të premten në mbrëmje janë regjistruar 284.196 raste të reja.