Kosova

Rruga drejt dokumenteve serbe

Udhëtimi 3-4 orësh, pritja nga ora 7 e mëngjesit deri pas orës 15:00, në një korridor të ngushtë, pa asnjë ulëse, në temperaturë -5 gradë celsius bëhet me dëshirë. Me rëndësi për secilin është të dalë nga aty me dokumentet e shtetit serb.

Nga tabelat e rrugës, e cila duket të jetë asfaltuar para shumë kohësh për në Kurshumli, vështirë dallohet ku mbaron Kosova e ku fillon Serbia.

Kastrat, Drenocac, Topanica, Trenava, Raqa…, fshatra të shtetit fqinj që në Kosovë përdoren si mbiemra familjesh ose lagjesh të tëra, shtrihen përgjatë rrugës për në qytetin e Nishit në periferi të të cilit vazhdon aktivitetin ai që njihet si “Supi i Prishtinës në Nish”.

“Kosovo je Srbija”, shkruan në derën prej druri me pak xhama që duket po aq e vjetër sa pjesa tjetër e “shkrumbuar” e asaj lagjeje në Niska Banja (Banjën e Nishit), ku gjendet godina para së cilës presin në radhë qindra shqiptarë.

Është bukur…

Në pjesën ku nuk ka vetura të parkuara në trotuar, ka pak njerëz. Janë një radhë i gjatë lisash ose diçka e ngjashme që sigurisht verës bëjnë hije e freskë, por në shkurt ishin aty vetëm për fëshfërimën e gjetheve kur era e akullt i përplaste vrazhdë.

Pas këmbimit të parave nga euro në dinarë, duhen rreth 20 metra ecje në të majtë, për t’u kthyer në anën e djathtë ku në çdo hap të rrugës për në “Supin e Prishtinës në Nish” shihen grumbuj njerëzish, që çdo ditë presin nga orët e hershme të mëngjesit.

Të gjithë shqiptarë të Kosovës.

Në një procedurë standarde duhet të lajmërohen në sportel dhe të presin derisa zyrtarët e këtij institucioni t’i shërbejnë serbët, pastaj komunitetet e tjera, e tek në fund shqiptarëve hallexhinj.

Udhëtimi 3-4 orësh, pritja nga ora 7 e mëngjesit deri pas orës 15:00, në një korridor të ngushtë, pa asnjë ulëse, në temperaturë -5 gradë celsius bëhet me dëshirë.

Me rëndësi për secilin është të dalë nga aty me dokumentet e shtetit serb.

“Ia pafsh hajrin” , “E gëzofsh”, “ Për të mirë o mik”, këto e të tjera urime përcillnin gati secilin që dilte nga ajo derë me mbishkrimi “Kosovo je Srbija”.

Megjithëse duken të ngazëllyer, nuk gëzoheshin që kishin pranuar të bëheshin qytetarë të “Kosovë e Metohisë”.

Por, kishin bërë një zgjidhje.

“Provova me i marrë të Shqipërisë, po a pritet 3 vjet. Nusen e kam shtatzënë, ajo në Tiranë është, ka me lind në maj, veç po shpresoj që deri atëherë më bahet edhe pasaporta”, dëgjohej njëri rreth të 30-ave, i cili po priste që nga ora 7 e mëngjesit për ta marrë “licna kartën”.

Pak më tej qëndronte një familje pesë anëtarëshe që kishte udhëtuar nga Lipjani për të njëjtin qëllim.

Nëna me katër fëmijë, dy vajza e dy djem të moshës madhore kërkonin dokumentet serbe, për siç shpreheshin ata: “Më shku në Gjermani, me punu qoftë edhe me fshi WC, veç me dal prej Kosovës”.

Ata kishin kaluar më shumë se 162 kilometra nga Lipjani për në Banjën e Nishit për të dorëzuar dokumentet të cilat janë të nevojshme për të aplikuar për letërnjoftim serb (certifikatën e lindjes dhe të shtetësisë serbe të cilat mund të merren lehtësisht në zyrat e strukturave paralele që gjenden nëpër qytetet e Kosovës ku ka edhe banorë serb).

Nëse një banor i Republikës së Kosovës posedon një dokument nga koha e ish-Jugosllavisë, e ka shumë të thjeshtë të pajiset me pasaportë serbe, e cila hallexhinjve u hap derën e lëvizjes pa viza.

Një certifikatë e lindjes, një librezë e fëmijës apo edhe vetëm emri nëse gjendet në regjistrat e regjistrimit të popullsisë në Ish-Jugosllavi, mjaftojnë si dëshmi për ta fituar të drejtën e aplikimit për nënshtetësi serbe.

Mijëra shqiptarë të Republikës së Kosovës kanë marrë nënshtetësi serbe nga viti 2008 e deri më tani.

Qëllimi i të rinjve kosovarë është pajisja me pasaporta serbe, të cilat u mundësojnë udhëtimin nëpër vendet e Evropës.

Një pjesë tjetër e konsiderueshme e qytetarëve dokumentet e Serbisë i shohin shpëtim për t’i shëruar familjarët e tyre në Evropë.

Te gjithë ata që prisnin në radhë, tregonin një arsye për të pranuar se “Kosova është Serbi”.

Këtë e thotë edhe zyrtari për pranimin e dokumenteve në “Supin e Prishtinës në Nish”, i cili nuk i harron fytyrat e aplikuesve edhe kur kthehen pas 1 muaji, për t’u pajisur me dokument udhëtimi, aq sa zgjat procedura e marrjes së tij.

Ai flet shqip. E flet një shqipe të kuptueshme, edhe pse me probleme në shqiptim herë pas here./Xhejlane Kaçiu/