Shqipëria

Sa kushtojnë banesat në bregdetin shqiptar

Rritja e çmimeve në bregdet, sipas agjencive kryesore në Shqipëri, ka ardhur nga disa faktorë

Pranvera është sezoni më intensiv i punës për agjencitë e pasurive të paluajtshme veçanërisht, ato që janë të fokusuara në zonat e bregdetit.

Eron Çumani, drejtues i agjencisë Saranda Invest Property, tregon për “Monitor” se çmimet e pasurive të paluajtshme në qytetin bregdetar së fundmi janë rritur në mënyrë të konsiderueshme.

Tashmë në qytetin e Sarandës mund të gjesh prona çmimi të cilave shkon edhe 3000 euro për metër në katror, përcjell albinfo.ch.

Rritja e çmimeve në bregdet, sipas agjencive kryesore në Shqipëri, ka ardhur nga disa faktorë.

Së pari ata pohojnë se ka një shtim të kërkesës, për blerje apo dhe investim, edhe pse vënë re një stepje të kërkesës nga të huajt nga situata politike. Së dyti, për shkak të pritshmërive pozitive të pronarëve ka pasur një rritje të çmimeve të pronave në bregdet. Së treti, në zonat të caktuara ka ndikuar edhe përmirësimi i infrastrukturës.

Individët që vendosin të blejnë një pronë në bregdet janë më të interesuar që të investojnë në prona që ndodhen në komplekse banimi, për shkak edhe të administrimit më të mirë të pronës.

Çmimet, Durrësi mbetet varianti më ekonomik

Sipas agjencisë Devinf, mbi pronat që ajo ka në portofolin e saj, çmimet për komplekset e banimit në Qerret dhe në Gjirin e Lalëzit variojnë nga 900 €/m² deri në 1300 €/m². Pronat që ndodhen jashtë komplekseve, në bregdet, si p.sh. në Durrës, kushtojnë më lirë duke filluar dhe nga 600 ose 700 €/m² në vijën e parë të bregdetit.

Referuar pronave që ka në portofolin e agjencisë së saj, Xheni Jahja shpjegon se objektet e ndërtuara në zonën e Durrësit mbi rrugë mbesin pas në shitje, për shkak të aksesit të kufizuar me bregun e detit, pasi në zonën e plazhit ka mungesë të mbikalimeve, ndonëse ndërtimet mund të jenë cilësore dhe me çmime konkurruese.

Në zonën e Golemit, nga ana e shinave, apartamentet janë mjaft të lira dhe mund të blihen edhe me 300 euro/m2. Ndërsa në Jug, çmimi varion 800 deri në 1200 euro/m². Kjo varet dhe nga cilësia e ndërtimit, vendndodhja dhe shërbimet që ofron zona.

Tendenca

Vilat me truall (që kanë pjesë toke përreth) janë me çmim më të lartë se apartamentet. Edhe zona ku ndodhet prona krijon një variacion të konsiderueshëm në çmim. Saranda, është një nga qytetet më të shtrenjta turistike për apartamente, e ndjekur nga Vlora dhe Durrësi. Për vilat dominon në çmime Gjiri i Lalëzit, i ndjekur nga disa zona të reja në Rivierën Shqiptare. Zonat me çmimet më të përballueshme janë zonat veriore, ku blerësit janë kryesisht nga tregu i Kosovës dhe i Maqedonisë dhe kërkojnë çmime të lira.

Zonat më të pëlqyera

Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, blerësit familjarë zgjedhin zonën e Shqipërisë së Mesme për të qenë më afër aeroportit dhe qyteteve të mëdha. Ndërkohë, individët që investojnë në bregdet kanë nevojë edhe për infrastrukturë mbështetëse, si shërbim spitalor apo afërsinë me qytetet e mëdha. Qytetet bregdetare, me plazh ranor janë të preferuara nga familjet me fëmijë të vegjël. Blerësit e një moshe pak më të madhe (të cilët kanë fëmijë më të rritur) drejtohen në zona me bukuri natyrore dhe me plazhe më cilësore, si zona e Rivierës Shqiptare dhe sidomos qyteti i Sarandës.

Por, në Sarandë kërcejnë çmimet në 2019

Në disa prej ndërtimeve të reja, të cilat ndodhen në vijën e parë të bregdetit, çmimet shkojnë edhe 2000 deri në 3000 euro për metër në katror. Edhe pse në një numër të kufizuar, sipas Çumanit, këto lloj banesash, me përmirësimin e cilësisë, rritjen e taksave dhe kostove për ndërtuesit, gjithsesi nuk e justifikojnë çmimin.