Kosova

Samiti Biden-BE ka në agjendë dialogun Kosovë-Serbi

Se a do të përfshihen këto tema në deklaratën e përbashkët që planifikojnë ta lëshojnë në fund të samitit treshja Biden-Von Der Leyen-Michel, është çështje e pavendosur

Brukselin e ka vendqëndrim për dy ditë.

Derisa të hënën është në takim me të gjithë liderët e shteteve anëtare të NATO-s, të martën Presidenti amerikan, Joe Biden, e përfaqëson shtetin e tij në Samitin e madh Bashkimi Evropian –Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

BE-ja në samit përfaqësohet nga Kryetarja e Komisonit, Ursula Von Der Leyen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, njofton Klankosova, përcjell Albinfo.ch.

Nga zyra e Michel kanë njoftuar se udhëheqësit pritet të trajtojnë një gamë të gjerë çështjesh të quajtura të shqetësimit të përbashkët.

Këtu përfshihen ndryshimet klimatike, tregtia, investimet, COVID-19,teknologjia dhe punët e jashtme.

Te kjo pika e fundit, siç i tha Klan Kosovës një zyrtar evropian që nuk deshi t’i përmendet emri, pa dyshim se hyjnë diskutimet për Ballkanin Perendimor e dialogun Kosovë-Serbi.

Por, se a do të përfshihen këto tema në deklaratën e përbashkët që planifikojnë ta lëshojnë në fund të samitit treshja Biden-Von Der Leyen-Michel, është çështje e pavendosur.

Njohësit e proceseve euro-atlantike në Kosovës thonë se duhet pritur thirrje nga samiti na adresë të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE e NATO, si dhe mbrojtjen e integritetit territorial të të gjitha vendeve, por edhe fuqizimin e demokracive e sundimit të ligjit.

“Pas zgjedhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë së Veriut, natyrshëm e gjithë vëmendja e aleatëve transatlantik tani do kalojë tek përmbyllja e dialogut Kosovë – Serbi, si çështje e fundit e hapur në Ballkanin Perëndimor. Duhet pritur të përsëritet thirrja e partnerëve transatlantikë për përkushtimin e palëve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të dy vendeve”, tha drejtori i Institutit EPIK.