Kosova

Samiti i Diasporës, mes kritikave dhe vlerësimeve

Kritika më të shumta i drejtohen përdorimit politik që sipas disa prej të anketuarve, i është bërë samitit. Ndërkaq sa i përket vetë punimeve të samitit në panele, vlerësimet janë më pozitive

Të shtunën që shkoi u mbajt në Tiranë Samiti i Dytë i Diasporës, i organizuar nga Ministria e Diasporës. Rreth punimeve të këtij samiti që zgjatën dy ditë, sikur rreth çdo gjëje, pati ndarje të mendimeve, pro dhe kundër. Albinfo.ch ka kërkuar nga disa pjesëmarrës aktivë të këtij aktiviteti që të shprehin mendimin e tyre rreth tij. Ata kanë sigurisht vlerësime që dallojnë nga njëri tjetri. Kritika më të shumta i drejtohen përdorimit politik që, sipas disa prej të anketuarve, i është bërë samitit. Ndërkaq sa u përket vetë punimeve të samitit në panele, vlerësimet janë më pozitive, duke e cilësuar atë si një hap përpara në krahasim me samitin e kaluar.

Nazmi Jakurti: Samiti u keqpërdor për politikën e ditës

Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, Nazmi Jakurti, Marie van der Zyl, Kongresi Botërorë i Hebrenjëve

“Pothuajse e vetmja gjë e mirë e Samitit ishte takimi i shqiptarëve nga vendet e ndryshme të botës! Samiti u keqpërdor brutalisht nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama për interesat tyre politike dhe kjo duhet të jetë hera e fundit që ata e keqpërdorin platformën e samiti për të vjellė vrerë mbi kundështarët e tyre politikë”, thotë Nazmi Jakurti për albinfo.ch

Megjithatë, në samit u prezantuan projekte dhe ide interesante dhe u zhvilluan debate konstruktive për mundësitë e bashkëpunimit më të dendur të diasporës me vendet e prejardhjes. Vërehet përparimi në mes të dy samiteve. Idetë kanë zënë të konkretizohen, të vijnë si projekte të hartuara, me plane reale të konkretizimit.

(Nazmi Jakurti është kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë)

Ruzhdi Ibrahimi: Një samit me shumë pikëpyetje

Samiti II i Diasporës përfundon me shumë pikëpyetje! Bilanci i të arriturave nga samiti i parë në të dytin nuk ndërlidhet shumë me veprimet konkrete të nisura me samitin. Padyshim se gjatë kësaj periudhe janë arritur rezultate konkrete në krijimin e strukturave ligjore dhe infrastrukturore në kuadër të Ministrisë së Diasporës. Përfaqësimi i interesave shoqërore të diasporës në vendet ku ajo është e shtrirë, është lënë në hije duke u kufizuar vetëm në angazhime për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit të pjesëtarëve të saj, shkruan albinfo.ch. Angazhimi i shteteve amë në rrafshin e marrëveshjeve ndërshtetërore të sigurisë shoqërore me shtetet si Greqia, Italia…, për të mundësuar një trajtim më të dinjitetshëm të shtetasve në vendet ku ata jetojnë si dhe për të mundësuar kthimin e tyre në vendlindje pas pensionimit, nuk ishte pjesë e samitit

Koncerti  gala shkëlqeu me disa pika brilante muzikore. Në këtë mbrëmje iu ndanë shumë çmime të pjesëtarëve të diasporës duke reflektuar në disa raste edhe ndarjen në diasporën e pasur/kamur (të domosdoshme) dhe atë të varfër (të panevojshme). Vend të veçantë kishin edhe kësaj radhe afaristët e suksesshëm si dhe individët me suksese individuale.

Është më mirë që radhën tjetër të organizohet një forum ekonomik i diasporës, apo një forum turistik i diasporës dhe unë do të marr pjesë me dëshirë në këtë të fundit.

(Ruzhdi Ibrahimi është ekspert i sigurimeve shoqërore nga Baseli)

Përparim Avdili: Paneli i zhvillimit ekonomik, shumë cilësor, politika të punojë kundër bojkotit

“Edhe pse samiti i dytë ka arritjet e veta, sigurisht që ka ende mjaft hapësirë për t’u përmirësuar, sidomos në aspektet teknike dhe organizative. Por, ideja që të mblidhen shqiptarët nga e gjithë bota në Tiranë sado pak arriti qëllimin”, shkruan albinfo.ch. Prandaj dhe do të ishte edhe më mirë që në të ardhmen qeveritë shqiptare të angazhohen më shumë që Samiti të mos bojkotohet, por të jetë forum mbarëshqiptar, me qëllim rrjetëzimi në radhë të parë.

Paneli i Zhvillimit ekonomik, sidomos për shkak të panelistëve të tij, shumë cilësor, duke prezantuar shembuj konkretë të investimeve konkrete por dhe duke bërë kritika të duhura ndaj problemeve që ende ekzistojnë.

(Përparim Avdili është punonjës banke dhe deputet në Parlamenti e Qytetit të Cyrihut nga FDP)

Reis Luzhnica: Sesioni plenar, u keqpërdor nga politika ndërsa panelet, të qëlluara

Në Samitin e parë të Diasporës nuk kam qenë prezent, por dëgjoja zëra të ndryshëm për atë samit. Këto informata m`i kishin ulur pritjet nga ky event por megjithatë desha ta shoh vetë se si është.

Më 1 mars ishte planifikuar i ashtuquajturi sesioni kuvendues plenar i diasporës, i cili, për fat të keq më shumë i ngjante një tubimi zgjedhor, ku ne ishim vetëm spektatorë të politikanëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia (veriore), shkruan albinfo.ch. Ata e shfrytëzuan rastin për t’u ikur problemeve ditore nga vendet e tyre.

Se kjo nuk u prit mirë nga diaspora shqiptare, dukshëm u vërejt në fjalimin e presidentit të Kosovës, edhe pse disa media raportuan ndryshe.

Pas kuvendit filluan panelet. Unë mora pjesë në panelin 1, “Vota si e Drejtë! – Politika e Re Shtetërore për Diasporën”. Aty kishte gjëra më konkrete dhe të kapshme për ne, prandaj shpresoj që qeveria të punojë në realizimin e planeve.

Për mua ishte nje përvojë e mirë, takova shumë njerëz që në jeten e përditshme nuk do t’i takoja. Nëqoftëse Samiti i Diasporës e ka për qellim rrjetëzimin e shqiptarëve në diaspor, qëllimi është arritur.

(Reis Luzhnica, anëtar i Kryesisë së SP-së në rrethin 3 të Cyrihut dhe bashkëpronar i një shtypshkronje në qytetin e Cyrihut)