Lajme

Shaip Imeri, kandidat për Këshillin Komunal të qytetit La Chaux de Fonds

Ai flet në një intervistë për albinfo.ch për kandidimin e tij për zgjedhjet dhe pse duhet ta votojnë atë

Në fund të tetorit, në qytetin La Chaux de Fonds të Kantonit Neuchâtel mbahen zgjedhjet për Këshillin Komunal (asamblenë komunale). Edhe në këtë qytet dhe në kantonin e përmendur jetojnë mjaft shqiptarë nga të gjitha trevat. Por, ndryshe nga qytetet tjera zvicerane, për të cilat albinfo.ch ka raportuar në vazhdimësi, ky qytet deri më tani sikur ka munguar…

Një rast për të përmbushur këtë mungesë vjen me aktivistin politik të Partisë Socialdemokrate (SP/PS), Shaip Imerin. Ai është kandidat për një vend në Këshillin Komunal të qytetit La Chaux de Fonds, Kantoni i Neuchâtel-it, në zgjedhjet që mbahen më 25 tetor 2020.

Shaip Imeri ka lindur më 1967, është baba i 3 fëmijëve dhe emigrant i gjeneratës së dytë.

Ai jeton në qytetin e La Chaux de Fonds që nga viti 1990.

“Unë jam me profesion infermier në rapartin e urgjencës dhe reanimacionit, punoj në Rrjetin Spitalor të Neuchâtel në La Chaux de Fond, RHNE”, ka thënë ai për albinfo.ch.

Imeri tregon edhe aktivitetin e tij politik. “Jam anëtar i Partisë Sociale Demokrate të Kantonit të Neuchatel që nga viti 2012.

Kam qenë këshilltar komunal dhe nënkryetar i këshillit për qytetitin e La Chaux de Fonds gjatë legjislaturës 2012-2016 dhe komisioner për natyralizim dhe shërbim social.

Isha zëvendës deputet kantonal i Republikës dhe kantonit Neuchâtel-it në të njëjtën legjistlaturë”, ka shtuar tutje Imeri.

Ai është një person shumë i angazhuar dhe merr pjesë zakonisht në aktivitete tjera asociative. “Kryetar i Shoqatës së Nxënësve të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe, përgjegjës për shkollën shqipe à La Chaux de Fonds.

Nënkryetar i shoqatës ASPHOM dhe anëtar i shoqatave të ndryshme kulturore dhe sportive”, ka shtuar ndër të tjera Imeri.

Por, pse duhet një qytetar të votojë atë. “Qytetarët besoj se duhet të votojnë për mua sepse jam një kandidat shumë aktiv në të gjitha fushat që i lidhen me jetën e përditshme të tyre. Jam shumë aktiv në fushën e ruajtjes së shëndetit publik, në kulturë, sport, integrim dhe edukim. Në fushën e edukimit rendësi të veçantë i jap në organizimin e shkollës shqipe dhe mbajtjen e lidhjeve në mes të Shoqatës të Prindërve Shqiptar dhe autoriteteve komunale dhe kantonale. Shkolla shqipe është në proces të njohjes nga kantoni si gjuhët e tjera”, deklaroi Shaip Imeri.

Për çka nevojë më shumë Komuna e La Chaux de Fonds? “Komuna e La Chaux de Fonds ka nevojë rritjen e metutjeshme të perkujdesit ndaj shtresave jo të favorizuara. Për punësim dhe zhvillim të ekonomisë lokale, që të krijojmë një shërbim real për ekonominë. Krijimin e hapësirave të reja publike të gjelbruara dhe të favorshme për çiklistët dhe këmbësorët.

Përmirësimet e efektshme të transportit publik, të kalojmë te autobusët elektrikë që të mbrohet ambienti.

Një ofertë cilësore banimi, të promovojmë krijimin e koperativave dhe apartamenteve me qasje më të lehtë për shtresat me të ardhura mesatare apo të ulta. Gjallërim kulturor, ta bëjmë qytetin e La Chaux de Fonds  kryeqytet Kulturor Zviceran. Një shoqëri integruese dhe multikulturore, të caktojmë një përfaqësues për integrim të komuniteteve. Një shërbim publik inovativ dhe lokal:  të mbështesim projektet e qytetarëve dhe shoqatat e lagjeve dhe komuniteteve.

Një zbatim ambicioz, shoqëror dhe i përgjegjshëm i tranzicionit të energjisë: le të promovojmë prodhimin e qëndrueshëm të energjisë së pastër nga dielli dhe biomasa.

Një shkollë barazie dhe inovative: të marrim mjetet dhe mbështetjen e nevojshme në mënyrë që të gjithë studentët të kenë një arsim motivues dhe cilësor. Të promovojmë trashëgiminë, pasuritë turistike dhe vendet kyçe në Chaux-de-fonds”, shton ai.

Cilat janë nevojat e shqiptarëve dhe emigrantëve në vendin ku jetoni dhe garoni ju?

Nevojat e të huajve dhe komunitetit tonë janë më të veçanta, si në në kuadër të integrimit, punësimit dhe promovimit të vlerave kulturore, andaj angazhimi im ndihmon gjetjen e rrugëve më të lehta dhe më të sukseshme për promovim.

Gjatë përvojës time 4 vjeçare në zyrën e natyralizimit problemet e komunitetit tonë gati se kanë qenë të njëjta si me komunitetet tjera, si për shembull njohja e legjislacionit, të drejtat e tyre, përceptimet e gabuara, etj, edhe pse jam shumë i kënaqur me mënyrën e avancimit të komunitetit tonë në shoqërinë lokale.

Besoj se me emërimin e një përfaqësuesi për komunitet do të krijoj një lehtësim në komunikim në mes të komuniteteve me autoritetet lokale.

Ne jemi shumë të organizuar në nivelin komunal dhe kantonal, si dhe aktivitet kulturore dhe sportive nuk mungojnë. Shoqata e shkollës shqipe është boshti i ngjarjeve kulturore, duke marrë pjesë në manifestimin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kosovës dhe disa aktivitete lokale të promovimit të kulturës shqipe”, përfundoi Shaip Imeri.