Sport

Shkëlqimi i Kosovës

Shkëlqim Demhasaj ka lindur në Zvicër, por ka vendosur të luajë për Kosovën. Ai është shumë i lumtur për këtë vendim. Shkëlqimi flet edhe për fëmijërinë e tij, dashurinë për futbollin dhe debutimin me ‘Dardanët’

Një numër i madh i futbollistëve shqiptarë të Zvicrës po pranojnë të luajnë për Kosovën. Njëri ndër ta është Shkëlqim Demhasaj. Ai në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, tregon se si familja e tij shkoi në Zvicër. “Babai im ka ardhur si 20-vjeçar në Zvicër. Siç tregon ai, ishte vendimi më i vështirë në jetë për të lënë vendlindjen dhe për të shkuar në mërgim si shumë bashkatdhetarë të tjerë. Duke qenë se xhaxhai ishte në Zvicër, ardhja për babanë tim ishte më e lehtë. Kështu babai im që 30 vite jeton dhe punën në Zvicër. Ai ka luajtur për Besën e Pejës, ndërsa karrierën e kishte fituar në Klubin e Deçanit. Këtu në Zvicër kishte gjetur edhe një klub të futbollit, ku njëkohësisht punonte dhe luante futboll. Në vitin 1993 u martua dhe jemi tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë”, shprehet Shkëlqim Demhasaj për albinfo.ch.

Talentin, trashëgim nga babai

Ai tregon edhe për fëmijërinë e tij. “Fëmijëria ime ishte e mirë. Babai punonte, kurse mami kujdesej për fëmijët. Dashuria për futbollin ka lindur, duke e shikuar babanë çdo javë. Talentin sigurisht se e kam trashëguar nga ai. Kishte talent të madh, megjithatë, kushtet ishin ashtu që nuk mundej edhe të luante edhe të punonte. Kjo ishte arsyeja që unë dhe vëllai im nuk kemi punuar derisa e kemi kryer shkollën. Ai na ka mbështetur shumë dhe këtu jemi falë mbështetjes së tij. Integrimi në shoqërinë zvicerane, nuk ka qenë aspak i vështirë”, shprehet tutje 22-vjeçari.

Debutimi i ëndrrave

Në Superligën zvicerane luajnë shumë shqiptarë dhe gjuha shqipe është kudo e pranishme. “Kam shumë kontakt me futbollistët shqiptarë që luajnë në Zvicër, si Granit Lekaj në Winterthur, Hekuran Kryeziu, Mirlind Kryeziu dhe Benjamin Kololli në FC Zürich, Gjelbrim Taipi në Graschoppers, Albian Ajeti në Basel, si dhe Idriz Voca dhe Dren Feka, me të cilët luajmë në një ekip. Në çdo skuadër ka shumë shqiptarë. Ne jemi shokë, flasim para dhe pas ndeshjes me njëri-tjetrën”, shton tutje Demhasaj.

Ai ka luajtur për Zvicrën U-20 dhe U-21, derisa vendosi t’i bashkohet Kosovës, duke debutuar në ndeshjen ndaj Maltës. “Debutimi me Kosovën ishte një ndjenjë shumë e mirë. Pas ndeshjes kam thënë, pse nuk iu kam bashkuar Kosovës më herët. Në ndeshjen kundër Azerbajxhanit në Prishtinë isha në bankën rezervë. Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme. Nuk kam parë aso atmosfere, as në Zvicër, ku stadiumet janë të mbushura. 90 minuta na kanë motivuar shikuesit. Jam shumë i lumtur që po luaj për Kosovën”, përfundoi Shkëlqim Demhasaj.

Luan për FC Luzern

Shkëlqim Demhasaj ka lindur në Schaffhausen dhe është 22-vjeçar. Tashmë është futbollist i Luzernit, ndërsa ka luajtur për Zvicrën U-20 dhe U-21.

Ka debutuar për Kosovën në ndeshjen kundër Maltës

Demhasaj ka debutuar me Kosovën në ndeshjen kundër Maltës, duke zëvendësuar Vedat Muriqin në minutën e 84-t. Kosova fitoi 5:0 si mysafir. ‘Dardanët’ u renditën në vendin e parë dhe janë kualifikuar në “Play-off” të Ligës së Kombeve