Kosova

Shpaloset dëshmia, liberalizimi i vizave për Kosovën futet zyrtarisht në agjendën e Këshillit të BE-së

Liberalizimi i vizave për Kosovën është pika e 5-të e rendit të ditës

Sekretariati i Këshillit të BE-së dje ka bërë publike agjendën e 12 dhe 13 tetorit të Grupit Punues për Viza, ku pikë e rendit të ditës do të jetë edhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Futjen e temës së vizave në agjendën e këtij organi përgatitor të Këshillit të BE-së e kishte konfirmuar të shtunën zëdhënësi i Presidencës çeke të BE-së, përcjell albinfo.ch.

Theksohet se liberalizimi i vizave për Kosovën është pika e 5-të e rendit të ditës së Grupit Punues për Viza i cili do t’i zhvillojë punimet me 12 dhe 13 tetor në Bruksel.

“Prezantimi nga Komisioni i dokumentit jo-zyrtar që ofron një përditësim faktik të situatës dhe shkëmbimin e mendimeve”, thuhet në rendin e ditës të agjendës zyrtare ku do të diskutohet liberalizimi i vizave për Kosovën.

Për të diskutuar mbi liberalizimin e vizave në takim janë ftuar të marrin pjesë edhe delegatët e Grupit të Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB)

Një zyrtar i KE-së ka konfirmuar para dy ditësh për Gazetën Express se janë duke punuar në përditësimin e raportit të KE-së për liberalizimin e vizave.

“Për të mbështetur vendimmarrjen e shteteve anëtare, ne do të prezantojmë këtë vit raportin tonë të zgjerimit 2022 të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave. Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare.  Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, për të prezantuar një gjendje të përditësuar të situatës aktuale që lidhen me standardet e liberalizimit të vizave, për të mbështetur diskutimet në Këshill”, tha një zyrtar i Komisionit Evropian.

Raporti i Komisionit Evropian që do të prezantohet më 13 tetor në organin përgatitor të Këshillit Evropian i quajtur Grupi Punues për Viza do të shërbejë si bazë për të nisur debatin për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshill.

Kështu i tha Gazetës Express të shtunën e kaluar zëdhënësi i Presidencës çeke, Václav Smolka, duke konfirmuar se në mesin e shteteve të BE-së ka gatishmëri që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave për zonën Schengen.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën ndodhet shumë lart në agjendën e Presidencës Çeke. Aktualisht, Komisioni Evropian është duke përgatitur një raport për situatën aktuale, i cili do të shërbejë si bazë për të nisur një debat për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së. Ky raport pritet të prezantohet në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor 2022”, ka thënë ai.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI