Shqiptaro-zviceranët dhe Zgjedhjet Federale 2015

Shqipe Bajrami: “CVP, e vetmja parti që e ka seriozisht me shqiptarët”

“CVP-ja është e vetmja parti e cila po interesohet seriozisht rreth vlerave të komunitetit shqiptar”

 

Shqipe Bajrami ka mbaruar studimet për gjuhën gjermane dhe të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Cyrihut. Ajo është mjaft aktive në përpjekjet për integrim të komunitetit shqiptar të Zvicrës, kryesisht në sferën e arsimit. Në intervistën për albinfo.ch, Shqipja, nënë e një fëmije shpalos ofertën e saj si kandidate e CVP-së për Parlamentin e Zvicrës. Sipas saj, CVP-në e përafrojnë me shqiptarët vlerat bazë që kultivon kjo parti: kujdesi për familjen po dhe vlera tjera.

Albinfo.ch: Jeni e njohur për komunitetin e këtushëm shqiptar nga aktivitetet tuaja që kanë të bëjnë me shkollën, integrimin etj. por jo edhe si politikane. Çfarë ju ka shtyrë që të filloniangazhimin në politikë?

Shqipe Bajrami: Përveç angazhimit tim vullnetar ka kohë që jam e interesuar të jem aktive edhe në jetën politike të Zvicrës, si anëtare e një partie politike, tashmë. Angazhimi në karrierë dhe të qenët pranë familjes, sot, për mua janë një sfide e re. Përgjegjësitë e mia të reja si nënë më kanë bërë më të ndjeshme ndaj temave të edukimit, arsimit, integrimit dhe familjes në përgjithësi. Angazhimi në politikë më jep mundësinë për t`i trajtuar këto çështje në vendin e duhur. Gjithashtu, prejardhja ime më jep një përgjegjësi tjetër: atë të integrimit të shqiptarëve jo vetëm si shtetas të këtij vendi por edhe si pjesëmarrës aktivë në politikë.

albinfo.ch: Si e shpjegoni vendimin tuaj për të kandiduar pikërisht për CVP-në?  Mendoni se ju si shqiptare po edhe komuniteti shqiptar në përgjithësi ndan vlera të përbashkëta me këtë parti?

Sh.Bajrami: Unë mendoj se në CVP politika aktive familjare, edukimi  dhe integrimi cilësor janë më të theksuara sesa ne partitë tjera. Përveç kësaj, CVP-ja është e vetmja parti e cila po interesohet seriozisht rreth vlerave të komunitetit shqiptar.  Tashmë komuniteti shqiptar përbën faktor në rezultatet e zgjedhjeve në Zvicër. Gjysma e ekipit kombëtar te futbollit në Zvicër përbëhet nga lojtarë me prejardhje shqiptare. Besoj se ka ardhur koha që shqiptarët përmes bindjeve të tyre politike të përfaqësohen denjësisht në politikën e këtij vendi. Toleranca fetare që kultivojmë si komb, na e lehtëson gjithëpërfshirjen në sfidën e re.

albinfo.ch: Dihet tashmë se CVP bashkë me LDK-në dhe PSHDK-në kanë lidhur një lloj “koalicioni” për futjen e kandidatëve tëpartive respektive në listën e CVPsë. A mendoni se është përparësi apo hendikep për suksesin tuaj fakti se jeni futur përmes një partie tjetër (në këtë rast: shqiptare) dhe nuk keni shkuar rrugës normale, përmes angazhimit të drejtpërdrejtë nëCVP?

Sh. Bajrami: Është përparësi, sigurisht. Qëllimet e përbashkëta politike na shtyjnë lehtësisht në gjetjen e një gjuhe  të konsoliduar në kërkesat e mirëqenies që kërkojmë. Unë po luftoj të përfaqësoj CVP-në në parlament dhe shqiptarët në CVP dhe në parlament gjithashtu, në zgjedhjet nacionale të Zvicrës, 18 tetor 2015

albinfo.ch: Cilat mendoni se janë gjasat dhe ku i shihni më shumë të koncentruar zgjedhësit tuaj potencialë: te komuniteti shqiptar dhe i huaj apo te zviceranët?

Sh. Bajrami: Shpresoj nga të gjithë! Familja dhe edukimi janë interes për të gjithë shoqërinë. Kjo vihet re dukshëm në të gjitha takimet elektorale të kësaj fushate. Shqiptarët janë pjesë e Zvicrës dhe si të tillë kemi të drejtë të jemi pjesë e vendimeve politike në këtë vend, qoftë në nivel parlamentar, qoftë në nivelin komunal, në hartim qarqesh etj. Besoj se do ta kem përkrahjen si nga shqiptarët ashtu edhe nga zvicerianët.

Albinfo.ch: Nëse do të zgjidheni, cilat do të jenë temat të cilat do t`i keni përparësi në punën tuaj si deputete?

Sh. Bajrami: Politika familjare (gërshetimi i jetës familjare me atë profesionale, kujdesi i fëmijëve, banimi i përballueshëm, qëndrueshmëria e familjes ne përgjithësi. Edukimi i fëmijëve pa barriera pavarësisht prejardhja e tyre. Pasurimi dhe integriteti i jetës së tyre, zgjerimi i fokusit të jetës njerëzore në përgjithësi. Heqja e barrierave ndaj të huajve dhe rishikimi i pozicioneve të tyre si aleate për të ardhmen.

Sfidat e Shqipes si politikane
Angazhimi në karrierë dhe të qenët pranë familjes, sot, për mua janë një sfide e re. Përgjegjësitë e mia të reja si nënë më kanë bërë më të ndjeshme ndaj temave të edukimit, arsimit, integrimit dhe familjes në përgjithësi. Angazhimi në politikë më jep mundësinë për t`i trajtuar këto çështje në vendin e duhur. Gjithashtu, prejardhja ime më jep një përgjegjësi tjetër: atë të integrimit të shqiptarëve jo vetëm si shtetas të këtij vendi por edhe si pjesëmarrës aktivë në politikë


 Të tjera nga Shqiptaro-zviceranët dhe Zgjedhjet Federale 2015