Shqipëria

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë hapjen e negociatave me BE-në

E thotë Presidentin i Parlamentit Evropian, David Sassoli

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë hapjen e negociatave me BE-në.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë hapjen e negociatave me BE-në. Një pikë e fortë e Shqipërisë është legjislacioni mbi energjinë. Do të ishte mirë që metodologjia të ishte e qartë për të bërë detyrat. Shqipëria po bën një punë shumë të rëndësishme e të dobishme për vendin. Kemi vetëm një objektiv, të pajtohet hapësira gjeografike me atë politike”, u shpreh kreu i PE-së.

Ndërsa, kryeministri Rama tha se duhet ndryshim metodologjie, por pavarësisht se nuk u hapën negociatat, puna vijon, dhe paketa “AntiKÇK” është provë e kësaj gjëje.

“Qëndrimi i Macronit është ai që kam thënë disa herë, duan ndryshim metodologjie. Paketa ‘Anti-KÇK’, prova që pavarësisht se nuk u hapën negociatat, puna jonë vijon njësoj. Ne e meritonim hapjen e negociatave, por ‘Jo’ e dhënë nuk ka lidhje me ne. Vijon pastrimi i Pallatit të Drejtësisë. Tani kemi mekanizmat e parë të reformës në drejtësi. Diskutimet e brendshme të BE-së nuk varen nga ne. Ne po përpiqemi të hyjmë në këtë familje, po vijojmë të bëjmë punën tonë. Asnjë vend nuk ka bërë më shumë se ne përpara se të çelte negociatat”, tha Rama.