Shqipëria

Shqipëria obligon studentët të vaksinohen

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri solli një vendim, me të cilin vaksinimin e studentëve është i detyrueshëm. Sipas këtij vendimi, studentët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit Covid-19 apo kartën e vaksinimit për të hyrë në institucionet e arsimit të lartë, duke filluar nga data 11 tetor 2021.

Në urdhrin e mëparshëm Ministria e Shëndetësisë kishte përcaktuar se “për studentët që nuk paraqesin Certifikatën e Vaksinimit COVID-19, drejtuesit e institucioneve të arsimit universitar të marrin masa për ofrimin e studimit në platforma alternative, duke filluar nga 11 tetori”, raporton TV Klan, përcjell Albinfo.ch.

Nëpërmjet këtij urdhri, studentët që nuk do vaksinoheshin do kishin mundësi që të bënin mësim online. Por me ndryshimin që iu bë këtij dokumenti më 27 shtator, i cili mban firmën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, studentët që nuk vaksinohen nuk do mund të hyjnë në auditor dhe u rrezikohet të humbasin vitin akademik.

Drejtuesit e universiteteve, edhe pse kanë zhvilluar disa mbledhje, nuk kanë marrë një vendim përfundimtar se si do të nisë vitit i ri akademik 2021-2022. Por me ndryshimin e vendimit nga ana e autoriteteve shëndetësore dhe përcaktimin e vaksinimit anti-Covid si kusht për të hyrë në auditore, edhe drejtuesve të universiteteve u lehtësohet vendimmarrja.

Vaksinimi i studentëve është në nivele të ulëta, por ende nuk ka një të dhënë të saktë se sa për qind e 120 mijë studentëve në total janë vaksinuar. Sipas Institutit të Shëndetit Publik kanë marrë një nga dozat e vaksinave anti-Covid rreth 34% e grupmoshës 18-30 vjeç. Për të mundësuar imunizimin e popullatës, edhe tetori do të jetë muaj i hapur i vaksinimit.