E-Diaspora

Shqiptarët e Zvicrës dhe “meraku” i tyre për kerret

Zvicra, vendi më i motorizuar i Evropës, mbi 6 milionë automjete për 8 milionë banorë. Ku janë shqiptarët e Zvicrës në këtë rrëfim motorizimi?

Kur jemi te mjetet e motorizuara, Zvicrës nuk i nevojitet shumë kohë që të barazojë shifrat: një automjet për kokë banori. Ky vend i zhvilluar e me një standard të lartë jetësor ka një përditshmëri dinamike të jetës që i bën qytetarët të jenë në lëvizje të pandërprerë, shkruan albinfo.ch.

Në vitin 2017, në rrugët e Zvicrës kanë qarkulluar 6.1 milionë automjete të motorizuara. Këtu nuk janë regjistruar motorët apo motçikletat.

Zvicra njihet edhe si vend shumë i avancuar sa i përket rrjetit hekurudhorë dhe me 3238 mjete hekurudhore shtrihet edhe në vendbanimet më të largëta malore. Veç kësaj, transporti ajror është po ashtu mjaft i zhvilluar. Ky vend i pasur posedon 3414 avionë apo mjete fluturuese, si dhe 97’430 anije dhe barka personash që qarkullojnë në ujërat e liqeneve të shumtë që ka Zvicra, raporton albinfo.ch.

Kush ka qenë në “Auto-Salon” (Panairi i veturave) në Gjenevë këtë vit, ka parë që prezenca e modeleve, që nga luksozet e deri te modelet më të zakonshme është e madhe. Por viteve të fundit janë shtuar edhe modelet e shumta elektrike dhe interesimi për keto vetura, sidomos ato elitare, është në rritje. Kjo tregon ardhmërinë e veturave dhe deri në vitin 2020 çdo e dhjeta veturë në Zvicër, pritet të jetë veturë elektrike apo një plug-in-Hybrid.

Keystone 2018

 Edicion special mbi shqiptarët dhe veturat

Në këtë kontekst, albinfo.ch këtë edicion special të revistës ia kushton qasjes së shqiptarëve të Zvicrës me veturat, garazheve të tyre, autoshkollave por edhe klubeve dhe shoqatave motoristike. Rezultatet janë impresionuese dhe ju do të keni rastin të njiheni me prezencën e lartë të diasporës shqiptare në tregun e automjeteve në Zvicër, duke nisur nga veturat me të zakonshme e deri tek ato më elitare.

Por para se të shfletoni faqet tjera, ne ju kemi përgatitur edhe disa informacione shtesë mbi industrinë e automjeteve në Zvicër, historinë e atumobilëve, rëndësinë ekonomike për Zvicrën dhe tregtinë me to.

Në Zvicër punojnë 5200 garazhe të veturave, prej tyre 4000 janë të organizuara në Shoqatën Tregtare të Automjeteve të Zvicrës (AGVS) me plot 39 mijë të punësuar. Qarkullimi vjetor llogaritet deri në 34 miliardë franga.

Shqiptarët janë po ashtu kudo me garazhet e tyre, kryesisht në shitblerje. Ju do të keni rastin të lexoni e të njiheni me disa nga garazhet e shqiptarëve në Zvicër, të cilët bëjnë tregti me vetura në vendin më të motorizuar të Evropës. Pavarësisht faktit që transporti publik është mjaft mirë i organizuar.

Mesatarisht qytetarët zviceranë në çdo 5 vjet ndërrojnë veturat e tyre duke blerë një të re apo të përdorur. Këtë e konstaton, pas një ankete të bërë, platforma krahasuese në internet, comparis.ch. Në raste më konkrete, anketa tregon se 30 vjeçarët blejnë çdo 3 vjet një tjetër veturë. Poseduesit prej 30 deri në 49 vjeç ndërrojnë veturat e tyre pas 5 pesë vjetësh. Kurse pas të 50-tave për 6 vjet e më tepër.

(KEYSTONE/Salvatore Di Nolfi)

Por cila është historia e automobilëve?

Historia e automobilëve ka filluar nga fundi i shekullit të 19-të. Viti 1886 njeh gjermanin Carl Benz si patentuesin e parë të lindjes së një automobili modern. Më 1913 ishte Henry Ford, i cili me Fordin Modell T ka ofruar modelet e para serike të këtij modeli. Më 1923 janë prodhuar kamionët e parë me motorë dizel.

Teknikisht, automobilët kanë pësuar ndryshime të mëdha në historinë e ekzistimit të tyre. Në shekullin e 19-të, shumica e automobilëve kanë lëvizur me avull ose kanë qenë elektrik. Në mesin e shekullit 20, janë përdorur praktikisht vetëm vetura me lëndë djegëse, benzinë. Vetëm në fillim të shekullit 21 janë kthyer prapë lëvizjet elektrike.

(KEYSTONE/Cyril Zingaro)

Rëndësia ekonomike e automjeteve për qytetarët e Zvicrës

Industria e automobilizmit është e rëndësishme për ekonominë e Zvicrës. Importuesit e automobilëve, garazhistët, transportuesit, pikat e karburantit dhe sigurimet ofrojnë të gjitha bashkë 220 mijë vende pune. Ato kanë një qarkullim prej 90 miliardë frangave. Kjo korrespondon me 13 për qind të ardhurave bruto të Zvicrës.

Çdo i teti vend i punës në Zvicër varet direkt apo indirekt nga industria automjeteve.

Qytetarët e Zvicrës bëjnë nëpër rrugët e Zvicrës 103 miliardë kilometra. Dy milionë njerëz apo 55% të të gjithë punësuarëve e përdorin veturën ose një mjet motoristik për të shkuar në punë.

Por edhe pse rrjeti rrugor mes vitit 1968 dhe 2014 është shtuar dukshëm, aksidentet vdekjepruese në këtë periudhë kanë shënuar rënie të madhe, mnbi 75 për qind. Masat e sigurisë te prodhuesit e atomjeteve por edhe masat shtrënguese të policisë kanë ndikuar pozitivisht në ruajtjen e jetës së qytetarëve në komunikacion.

(KEYSTONE/DPA/Arno Burgi)

E gjithë “industria” zvicerane e veturave ka 90 miliardë franga qarkullim

Importuesit e automobilëve, garazhistët, transportuesit, pikat e karburantit dhe sigurimet ofrojnë të gjitha bashkë 220 mijë vende pune. Ato kanë një qarkullim prej 90 miliardë frangave. Kjo korrespondon me 13 për qind të ardhurave bruto të Zvicrës.