CH-Ballkani

“Shqiptarët të heqin dorë nga abuzimi me vlerat kombëtare dhe fetare”

Analisti politik dhe diplomati Arsim Zekolli flet për zhvillimet aktuale në Maqedoni

Në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, Arsim Zekolli flet për ngjarjet e fundit në Maqedoni pas një incidenti dje në brezin kufitar Maqedoni – Kosovë me rastin e sulmit të një grupi të armatosur ndaj një poste kufitare policore, krizën politike dhe pozicionimet e partive shqiptare si dhe çështje të tjera aktuale?

Albinfo.ch: Si i vlerësoni ngjarjet e fundit në Maqedoni, ku tashmë çështja e sigurisë pas një incidenti në zonën kufitare Maqedoni – Kosovë po tenton të sfidojë krizën e thellë politike. Çfarë në të vërtetë po ndodh, kur kemi shumë lajme kontradiktore?

Zekolli: Në  shikim të parë është pjesë e skenarit për defokusim nga kriza e thellë shtetërore dhe politike që ka kapluar vendin pas shpalljes se informatave nga përgjimet që tani publikohen nga opozita maqedonase LSDM. Incidenti i djeshëm duhej të rikthejë vëmendjen nga skandalet e Qeverisë Gruevski-Ahmeti dhe të ndërtojë një atmosferë kërcënimi ndaj sigurisë dhe stabilitetit të shtetit, si pretekst për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht ndalimin e mëtutjeshëm të shpalljes së informatave komprometuese. Në fakt, kjo është vetëm një prej disa tentativave të qarqeve zbuluese për inskenim tensionesh, që deri më tani bëhej përmes komunikatave false të UÇK-së me nënshkrime të falsifikuara. Kjo këmbëngulësi më jep arsye të druaj se incidentet e inskenuara nga VMRO-DPMNE dhe BDI do të vazhdojnë.
Ajo që ishte befasuese në lidhje me këtë incident, ishte reagimi i BDI-së, i cili ishte paralel me atë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe me një konkluzion indikativ që ngre dyshime. Në reagimin në fjalë të BDI-së, mes tjerash thotë se “kërkojmë intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për garantimin e stabilitetit dhe zvogëlimin e hapësirave për veprim të grupeve” që në mënyrë të tërthortë përmes aspektit rajonal, aludon se grupet në fjalë janë nga fqinjësia, në rastin konkret, nga Kosova. Interesant, kjo është në përputhje me vlerësimin e MPB të Maqedonisë, për infiltrim të grupeve nga Kosova, që në mënyrë imediate u demantua si nga Prishtina zyrtare, ashtu dhe nga forcat e NATO-s atje.

Ky koordinim në qëndrime nuk ngjan të jetë i rastësishëm, por strategji me djallëzore për dy caqe – njëra shtetërore dhe tjetra personale-politike. Ajo shtetërore ka të bëjë me faktin që destabilizimi i Maqedonisë, në rrethana ku të gjitha vendet fqinje janë në NATO, nuk mundëson shqetësime të sforcuara nga qendrat perëndimore të vendosjes. Pasi që në një situatë të tillë Maqedonia mund vetëm të implodojë, por jo të eksplodojë dhe të tërheqë fqinjësinë në konflikt. Implikimi i Kosovës, si faktor tradicionalisht i urryer nga politika maqedonase, do duhej të siguronte këtë konotacion të ndërkombëtarizmit të krizës dhe unifikim të maqedonasve në mbrojtje nga “terrorizmi shtetëror i huaj”.

Arsyeja e dytë, ajo personale-politike, ndërlidhet me fillimin e punës të Gjykatës Speciale në Kosovë që mund të implikojë z. Ali Ahmeti, z. Musa Xhaferi dhe ca personalitete nga udhëheqja e BDI-së, të dyshuar për abuzime të ndryshme gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ajo që jep shpresë për vetëdijesimin e popullatës ishin apelet mediale drejtuar qytetarëve nga Likova, Kumanova, Shkupi, që të mos bien pre e provokimeve, duke kërkuar që, siç e quanin në batuta, “Ushtria Çlirimtare Kërçovare”, më në fund të fillojë ndonjë betejë në Zajaz, e jo në rajonin më të përvuajtur nga viti 2001, atë të Kumanovës dhe Shkupit.

Albinfo.ch:  Si e vlerësoni krizën e thelluar politike dhe faktin se nuk ka sinjale serioze për tejkalimin e saj. Cila do të ishte rrugëzgjidhja reale për të pasur një epilog pozitiv sa i përket zgjidhjes politike dhe asaj juridike për aferën e përgjimeve dhe proceset e tjera ?

Zekolli: Dyshoj se për momentin një zgjidhje e tillë do të jetë e mundshme fal kolapsit të disa sistemeve që do të duhej të merren me zgjidhje të situatës. Është kriza e institucioneve tërësisht të devalvuara, në të cilat askush nuk beson. Është kriza politike fal erozionit të plotë të demokracisë. Është krizë ekonomike, falë shpenzimeve marramendëse të Qeverisë. Është krizë besimi në faktorin ndërkombëtar, fal përkrahjes ndaj partive tërësisht të kriminalizuara dhe të korruptuara. Dhe, në fund, kemi krizë identitetesh që fillimisht ngarkonte maqedonasit, por tani kjo ndodh edhe te shqiptarët, fal ndikimeve fetare.

Prandaj, kjo gjendje e krijuar shënon fundin gradual të një sistemi të çoroditur që sundonte dhe sundon në Maqedoni, që nga pavarësia, të konstruktuar ekskluzivisht në favor të partive maqedonase dhe partnerëve të partive servile politike të ashtuquajtura shqiptare.

Albinfo.ch: Si e shihni rolin e partive shqiptare në këtë proces, sidomos BDI-së, që është pjesë e koalicionit qeverisës. A mendoni se jemi një proces të defaktorizimit dhe përjashtimit të tyre, kur kemi parasysh faktin e mospranisë së tyre në bisedimet në Bruksel që po zhvillohen vetëm mes dy partive maqedonase ?

Zekolli: Partia shqiptare në pushtet në këtë fazë është kryekëput instrument i politikave maqedonase, sipas projektit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, tani të forcuar edhe me kuadro shqiptarë, konform planit të elaboruar për ndarje të vendit, sipas idesë “andej kufirit në Grupçin”. Është kjo një ideologji e imponuar përçarëse që nga koha e komunizmit, të cilën maqedonasit e zhvillonin në frymën se “shqiptarët vendës janë të  mirë (u referohet atyre në Tetovë, Gostivar, Kërçovë), por ardhacakët nga Shqipëria dhe Kosova janë të egër dhe armiqësorë (referohet në Dibrën, Strugën, Kumanovën dhe Shkupin)”.

Sipas kësaj aspirate, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra gradualisht do të shkëputen nga Maqedonia, ndërsa Shkupi, Kumanova, Struga do mbeten andej kufirit. Intenca është e qartë nëse kemi parasysh mungesën absolute të investimeve në Shkup, Kumanovë, Strugë me amin të BDI-së dhe PDSH-së; shlyerjen e historisë shqiptare nga Shkupi përmes projektit Shkupi 2014, me pëlqim të BDI-së dhe PDSH-së; sabotimin sistematik që iu bëhen shqiptarëve në këto vende nga pala maqedonase dhe servilët e tyre nga BDI-ja dhe PDSH-ja; mospërfaqësimin tradicional të kuadrove nga tri qytetet e apostrofuara, për dallim nga ato nga viset andej Grupçini, sipas preferimeve të BDI-së dhe PDSH-së; injorimi këmbëngulës i Shkupit dhe Kumanovës nga diplomacitë perëndimore me insistim të BDI-së dhe PDSH-së; tentativa e disa qarqeve shqiptare të afërta me shërbimet maqedonase dhe serbe për t’i prezantuar shkupjanët dhe kumanovarët si  elemente radikale fundamentaliste, paralelisht duke propaganduar për prejardhjen ortodokse të një grusht shqiptarësh ortodoksë nga Reka e Epërme, që do të duhej të zbutë reagimet e faktorit perëndimor etj.

Prandaj mungesa e BDI-së në bisedimet në Bruksel nuk është ndonjë hendikep për shqiptarët, pasi që edhe sikur të ishin prezentë, kjo nuk do ndryshonte asgjë. Thjesht, nga shkaku se ata nuk janë subjekt veprimi, por instrument manipulimi që diktohet dhe drejtohet nga VMRO-DPMNE. Ndërsa, në rast ndryshimi të qeverisë këtë do ta bënte LSDM, e cila do të trashëgojë BDI-në si “shqiptarë të mirë, të dëgjueshëm dhe sipas interesit maqedonas”.
Por, këto bisedime janë të rëndësishme nga shkaku së dëshmon këmbëngulësinë e partive maqedonase që të ndryshojnë përfaqësimin partiak dhe personal në qeveri, por duke ruajtur kontinuitetin e politikave. Sa për rikujtim, gjatë zgjedhjeve të fundit vendore VMRO-DPMNE dhe LSDM, akorduan koalicion etnik në Strugë dhe Kërçovë, me pëlqim të liderit të atëhershëm Branko Crvenkovski. Tani Zoran  Zaev dhe zonja Shekerinska e bëjnë të njëjtën gjë, por në nivel shtetëror, duke pranuar bisedime monoetnike, duke injoruar jomaqedonasit dhe shqiptarët. Nëse kësaj ia shtojmë deklaratën e z. Zaev, me të cilën amniston Ali Ahmetin, ndërsa  zotëri Fërçkovskit edhe BDI në tërësi, atëherë nuk mbetet shumë për të kuptuar se maqedonasit dëshirojnë ndryshime për vete, por vazhdimësi në qasje ndaj shqiptarëve.

Albinfo: Në tërë këtë spektër të zhvillimeve, a duhet të kenë shqiptarët një agjendë të shtruar për realizimin dhe avancimin e të drejtave që gjatë kohë nuk shohin zgjidhje, si çështja e përdorimit të gjuhës, simboleve kombëtare apo edhe kërkesa të tjera që sigurojnë barazi më të theksuar të shqiptarëve?

Zekolli: Hapësira për veprim ngushtohet gjithnjë e më shumë, por ende ka shpresa. Realiteti është ky – politika kombëtare është e diskredituar nga krimi dhe korrupsioni. Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë aspak më pak kombëtarë se të tjerët, por fal zhgënjimit dhe urrejtjes ndaj përfaqësuesve që prezantohen si patriotë ekskluzivë, tani kanë filluar të mos besojnë edhe në politika kombëtare, prandaj kthehen drejt religjionit. I cili do të jetë po ashtu zhgënjimi i radhës, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për të njëjtin profil njerëzish me prapavija dhe motive të dyshimta. Por që nën hije të Islamit mundohen të na imponohen si alternativë, edhe pse alternativë gjithsesi nuk janë. Së paku jo shqiptare.

Në raste të këtilla të demoralizimit masiv në vlerat kombëtare dhe etike, mbetet e vetmja rrugë që këto abuzime me vlerat patriotike e fetare të zëvendësohen me vlera universale qytetare, civilizuese dhe shoqërore. Që vlejnë kudo njësoj për secilin individ, komb apo shoqëri – përgjegjësia ligjore e fiskale, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, kultivim të lirisë së shprehjes dhe dialogut, etj.

Pra, shqiptarët në Maqedoni duhet të përqafojnë konceptet qytetare – jo sipas stilit maqedonas, që për dekada rresht abuzonte me të – por të ndërtojnë përfaqësim politik që në plan të parë do ketë individin, qytetarin shqiptar, e jo mjegullat e përfaqësimit të kolektivitetit që u dëshmua si fushë e pafund për manipulime e abuzime.

Në këtë drejtim konsideroj të udhës të bëj thirrje edhe ndaj shqiptarëve të rinj akademikë dhe profesionalë në Zvicër, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Francë që të kontribuojnë ndaj vendlindjes – jo financiarisht, por përmes ngritjes së zërit, studimeve, analizave, propagandimit të gjendjes sonë, të drejtave dhe interesave tona. Dhe të japin fund këtij manipulimi dhe abuzimi me konceptin e diasporës nga individë që në emër të mbrojtjes dhe interesave të mërgatës aspirojnë të ndërtojnë karriera politike në vend apo t’u shërbejnë kauzave të huaja. Koha është që ndryshimi evident cilësor i gjeneratave në mërgim më në fund të efektuojë pastrimin e radhëve përmes avancimit të cilësisë së të rinjve të suksesshëm në vendet ku jetojnë. Për dallim nga të tjerët që në vendlindje shikojnë mundësi për pasurim të shpejtë përmes kyçjes në politikë.

Arsim Zekolli është analist politik dhe diplomat. Ai ka qenë ambasador i Maqedonisë në OSBE, ndërsa një mandat në cilësinë e ambasadorit të OSBE-së në Turkmenistan“
 

Intervistoi: Naser Pajaziti