E-Diaspora

Shqiptarja, e dënuar për pjesëmarrje në ISIS, refuzon vendimin gjyqësor

Ajo përveç që shprehet kundër vendimit gjyqësor tashmë po kundërshton edhe trajtimin ambulant në formë të terapisë bisedimore, të urdhëruar nga gjykata

Gjykata për të rinj e Winterthurit ka qenë e para në Zvicër që ka dënuar dy të kthyer nga Siria. Kjo ka ndodhur në shkurt të këtij viti, kur ajo kishte shpallur fajtorë një të re 20 vjeçe dhe vëllain e saj, një vit më të vjetër, shkruan nzz.ch. Fjala ishte për vepra penale të kryera rreth pesë vjet më parë.

Dënimi i tyre nuk nënkuptonte mbajtjen në burg, por detyrimin për paraqitje të rregullt në Departamentin Kundër Dhunës, në Policinë Kantonale.

Në dhjetor të vitit 2014 ata, si 14, gjegjësisht 15-vjeçarë kishin shkuar fillimisht në Turqi, e prej atje në Siri, në Kalifatin e organizatës terroriste “Shteti Islamik”  (ISIS).

Gjykata e kishte konstatuar se ata kishin qëndruar një vit në territorin e ISIS-it, transmeton albinfo.ch. Dhe për këtë arsye i kishte shpallur të dy fajtorë për shkelje të ligjit për organizatat terroriste, gjegësisht për ISIS-in.

Siç shkruan gazeta NZZ, 20 vjeçja ka bërë ankesë kundër këtij dënimi. Avokati i saj që në kohën e shpalljes së dënimit kishte deklaruar se bëhej fjalë për një vendim të motivuar politikisht dhe të diskutueshëm nga pikëpamja e parimit të sundimit të ligjit. Sipas tij, autoritetet e këtushme nuk kanë pasur idenë se çfarë kanë bërë dy të rinjtë në Siri, përcjell albinfo.ch. Dhe në fakt, gjykata nuk ka mundur të ofrojë dëshmi për përdorimin e dhunës nga ata të dy.

Ajo që është dëshmuar, ka qenë se djali ka kryer shërbime transporti dhe logjistike për organizatën terroriste. Po ashtu ai ka ndjekur një shkollë të kuranit dhe është identifikuar si “Idris Al Albani”. Ndërsa vajza ka bërë punë shtëpie, është kujdesur për fëmijë dhe ua ka mësuar atyre anglishten.

Siç i ka thënë asaj gjyqtarja në proces, “ajo ka përhapur idenë e ushtrisë së shtetit terrorist islamik dhe e ka miratuar atë”, transmeton albinfo.ch. Po ashtu gjykatësit kanë bërë me dije se vëlla e motër nga Winterthuri kanë ditur me siguri për mizoritë e kryera nga ISIS-i. Kjo gjë kuptohet nga komunikimi që ata kanë pasur përmes internetit me familjen dhe shokët.

Ndërkohë që vëllai ka pranuar akuzën, motra e ka kundërshtuar atë. Ajo përveç që shprehet kundër vendimit gjyqësor tashmë po kundërshton edhe trajtimin ambulant në formë të terapisë bisedimore, të urdhëruar nga gjykata.

Edhe para procesit ajo për këtë pikë kishte bërë ankesë deri në Gjykatën Federale por pa sukses. Por tani, në aktgjykimin e fundit , të 14 nëntorit, Gjykata Federale i ka dhënë të drejtë në një pikë: Gjykata e lartë (Kantonale) pa të drejtë e ka konsideruar veten si jokompetente për pezullimin e terapisë së përmendur. Për këtë arsye ajo e ka kthyer lëndën mbrapsht për rishqyrtim.

“Është e pakuptimtë të detyrosh dikë të bëjë terapinë kur ai nuk është i gatshëm për një gjë të tillë. Kjo është kundërproduktive”, ka thënë avokati i saj, përcjell albinfo.ch. “Në këtë mënyrë me siguri nuk rritet shkalla e sigurisë në Zvicër”.

Vëlla e motër me prejardhje nga Kosova qenë dënuar edhe për shkakun se kishin bërë propagandë në favor të ISIS-it. Kështu, ata kishin bërë përpjekje që familjarët  e tyre dhe islamistët nga Winterthuri t`i bindnin për të udhëtuar pas tyre në Siri.

Vëllai tashmë 21-vjeçar ndërkohë e ka tërhequr ankesën e bërë kundër vendimit të Gjykatës së Winterthurit për të rinj dhe ka pranuar të paraqitet rregullisht në Departamentin e Mbrojtjes nga Dhuna, në Policinë e Kantonit të Cyrihut. Por ai duket se nuk i është përmbajtur këtij detyrimi. Ish i dënuari është takuar ndërkohë me islamistë të tjerë dhe për këtë arsye ndaj tij është duke u zhvilluar një procedurë e re penle për shkelje të ligjit për ISIS-in.

Gjatë procesit të gjykimit në mars, të dy ata pothuaj në mënyrë të plotë kishin refuzuar të dëshmonin, transmeton albinfo.ch. “Nuk them asgjë për këtë”, kishte thënë vajza. Por as vëllai i saj nuk kishte deklaruar pothuajse asgjë konkrete. Ai vetëm e ka kundërshtuar në mënyrë paushalle aktakuzën. Aktivitetin e tyre në Siri ata e prezantojnë si një mision të padëmshëm ndihme për popullin sirian.