Kosova

“Shtigjet e siguruara” të Kosovës ofrojnë adrenalinën maksimale  

Kosova është shndërruar në një destinacion të Via Ferratave, pasi në vend gjenden shtatë të tilla ku adhuruesit e alpinizmit dhe aktiviteteve në natyrë mund të ngjiten dhe të përjetojnë adrenalinën. Më e fundit që i është shtuar kësaj liste është Via Ferrata në Deçan, e funksionalizuar rishtazi si produkt turistik në këtë zonë 

Nol Krasniqi ka mbi dhjetë vjet që eksploron natyrën e Kosovës dhe është udhërrëfyes i grupeve të shumta. Përveç pasionit për natyrën, Noli është një ndër profesionistët e njohur të ngjitjes dhe ecjes në mal, me ekspertizë në ndërtimin dhe funksionalizimin e Via Ferrata-ve.  

 Që kur ishte 17 vjeç, Noli u bë pjesë e grupit të ngjitjes dhe ecjes në mal të qytetit. Pastaj filloi punësi udhërrëfyes malor, edhe pse kurrë nuk e kishte menduar se kjo do të shndërrohej në karrierën e tij me kohë të plotë. Tani, ai është udhërrëfyes dhe bashkëthemelues i një kompanie për aktivitete turistike në natyrë.  

 Rrugëtimi i ndërtimit të Via Ferratas në Grykën e Rugovës ishte një ide e kahmotshme e shoqatës ku Noli ishte anëtar. Hapat e parë për këtë i ndërmorën në vitin 2011, kur së pari vizituan Dolomitet në Itali për t’i prekur më nga afër ndërtime të tilla, pastaj ndoqën një kurs bazik dhe u rikthyen në Kosovë për t’ia nisur punës.  

 Secila Via Ferrata ka bukurinë e vet 

 Via Ferrata e parë e ndërtuar në Kosovë është e quajtura “Via Ferrata Ari”, që u funksionalizua në periudhën 2013-2014. Për Nolin, secila Via Ferrata ka bukuri të veçantë, por Via Ferrata Shpellat dhe Via Ferrata Marimangat ofrojnë më shumë adrenalinë se çdo tjetër.    

 “Nëse e bëjmë një krahasim nga viti 2013 kur kemi hapur Via Ferrata-n e parë, atëherë e shohim që numri i turistëve (para pandemisë) çdo vit ka ardhur duke u rritur, pra ndërtimi i këtyre atraksioneve ka ndikuar shumë në numrin e turistëve” thotë Noli, për të cilin Kosova është lidere e Via Ferrata-ve në Ballkan. “Në çdo cep të Kosovës e gjeni një Via Ferrata” thotë ai. Madje, Kosova ka edhe plot vende të tjera me potencial për ndërtimin e Via Ferrata-ve të tjera, por gjithnjë këto ide duhet të shoqërohen edhe me ide të tjera dhe risi.  

 Via Ferrata-t forcojnë bizneset e turizmit 

  Rritja e numrit të Via Ferrata-ve nuk rrit vetëm numrin e atraksioneve turistike, që pastaj ndikon edhe në numrin e turistëve, por ndikon pozitivisht në të gjitha bizneset e sektorit të turizmit në Kosovë: operatorët shesin shërbime dhe produkte të tjera”, thotë Noli.  

 Peja në të vërtetë po e pasuron vazhdimisht ofertën e vet të turizmit në natyrë. Përveç Via Ferrata-ve, në Grykën e Rugovës gjejmë edhe Urën Tibetane dhe Zipline.  

 Zipline në Kosovë është e vetmja e certifikuar ndërkombëtarisht në Ballkan. Kur vendosëm të bëjmë Zipline, e kuptuam se ishte e vështirë pasi na mungonte ekspertiza ose dikush që të na këshillonte se si ta ndërtonim dhe ta bënim funksional. Mbështetje për këtë pjesë na siguroi organizata zvicerane Swisscontact, jo vetëm mbështetje financiare, por më e rëndësishmja, ata sollën një ekspert i cili dha këshilla profesionale për ndërtimin dhe për certifikimin e saj”, thotë Noli. 

Si një udhërrëfyes me përvojë mbi dhjetë vjet, Noli identifikon tri pika kryesore me të cilat Kosova mund të promovohet ndërkombëtarisht: bjeshkët, turizmin e aventurës dhe kulturën.  

 Çfarë është “Via Ferrata  

 Via Ferrata apo në shqip “Shteg i Siguruar”, është një shteg i cili zhvillohet në pjesët e thepisura shkëmbore, por që është e mundur të shfrytëzohet nga çdo vizitor, i cili kërkon aktivitete që krijojnë adrenalinë dhe aventurë. Kryesisht ndërtohet duke e vendosur një fije metalike, e cila kalon përgjatë gjithë shtegut shkëmbor si dhe vendosja e shkallëve, të cilat të mundësojnë që të arrini lartësinë pa ndonjë problem, dhe duke i përdorur pajisjet e nevojshme të sigurisë gjatë ngjitjes tuaj do të përjetoni një kënaqësi të paharruar në eksperiencën tuaj jetësore. 

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI