Autotech

Shumë vizitorë në panairin e veturave në Prishtinë

Kosova është një ndër vendet më të varfra në Evropë, por kjo përshtypje të ndryshon nëse këtë të diel keni qenë në panairin e automjeteve “Prishtina International Autoshow”.

Shumë qytetarë nga e mbarë Kosova ia kishin mërsyrë vendit ku po mbahej panairi për të parë 23 brende të llojeve të fundit të veturave, shkruan albinfo.ch.

Ndonëse për shumicën e vizitorëve as që bëhet fjalë për mundësinë për ta blerë një veturë në këtë panair, ka mjaftuar për t’i parë për së afërmi modelet e fundit.

Foto: Albinfo.ch

Qëndresa Rexhepi i ka thënë albinfo.ch se është shumë mirë që është hapur panairi në Prishtinë, por ajo këtë e konsideron si panair luksi.

“Mendoj se është luks me ble këso veturash. Unë për vete nuk kisha blerë veturë këtu për shkak të çmimeve dhe besojë së shumica këtu nuk i kanë kushtet”, thekson ajo.

Rexhepi thotë se më një pagë mesatare prej 300 eurove, as që bëhet fjalë se mund të mendosh për të blerë veturë në këtë panair.

Foto: Albinfo.ch

“Unë mendojë që shumë vizitorë këtu kanë ardhur me heq mallin për vetura luksoze”, thotë Qëndresa.

Ndërsa Alza Kryeziu, promotere në një nga pikat e shitjes që ishte për herë të parë në këtë panair, thotë se i vjen mirë që po sheh që ka shumë vizitorë.

Ajo thotë se asaj i ka bërë përshtypje se numri i madh i të interesuarve për të blerë vetura janë të rinjtë. Megjithatë ajo nuk do të kishte preferuar të blinte veturë në këtë panair për shkak të çmimit të papërballueshëm.

“Çmimet janë jo shume të volitshme për ne. Veturën un për vete do ta kisha ble jashtë panairit, nuk e di pse po isha kanë shumë ma e sigurt”, thotë ajo për albinfo.ch derisa po tregonte se edhe qysh ka dëgjuar këtë viti ka pasur më shumë modele të makinave të ekspozuara.

Por ndryshe nga qytetarët, Importuesit e veturave thonë se janë të kënaqur me numrin e vizitorëve por edhe me shitjet.

Foto: Albinfo.ch

Lisjeta Mita nga kompania “AutoMita” thotë për albinfo.ch. se përkundër asaj, që gjatë kësaj jave ka pasur dy festa, ata janë të kënaqur me numrin e vizitorëve, por edhe me shitjet e veturave. Ajo thotë se për dallim prej dy viteve më parë këtë vit ka pasur shitje më shumë. Megjithatë Mita tregon se qytetarët në Kosovë ende hezitojnë të marrin vetura të reja.

“Ende jemi larg vendeve të tjera, këtu njerëzit hezitojnë të marrin veturën e re që ka harxhime më pak dhe është ma ekonomike. Ata që mendojnë ekonomikisht për këto çështje ma merr mendja se nuk i kanë mundësitë. E ata që kanë para preferojnë që p.sh ta marrin një veturë të vjetër 40 mijë euro, e jo  ta marrin një veturë me 00.”, thotë Mita.

Ajo po ashtu thotë se importuesit i ka dëmtuar edhe legjislacioni në Kosovë që lejon futjen e veturave të vjetra.

“Ende në Kosovë ka vetura të vjetra mbi 30 vjet. Ato përveç që e ndotin ajrin janë edhe shkaktarë të aksidenteve në trafik, pasi këtu edhe kontrollet teknike nuk bëhen ashtu siç duhet, prandaj këto gjëra ndikojnë edhe në shitjen e veturave të reja”, thekson Mita.

Panairi mbyllet sonte në orën 20.00.

Ky ka qenë panairi i dytë i automjeteve, i cili ishte më ndryshe se të gjitha panairet e mbajtur në Kosovë. Në hapje të tij, drejtuesit e institucioneve premtuan heqjen e TVSH-së e po ashtu ftuan investitorët e kësaj fushe të investojnë në Kosovë.