Kosova

S’kemi dyshime, si mund të kemi kur gjuhet në nxënës

Flet gjyshi i të plagosurit në Gllogjan

Stafi mjekësor në Spitalin e Pejës mbrëmë ka përfunduar me sukses operacionin e nxënësit që mbeti i plagosur në sulmin ndaj autobusit në Gllogjan, ku mbetën tre të vrarë.

Gjyshi i të plagosurit, Musli Turkaj, ka thënë se ai është nxënës i shkollës së mesme ekonomike në Gjakovë dhe çdo ditë udhëton nga fshati Dubravë.

Ai duke i shprehur ngushëllime të gjithë familjeve që humbën më të dashurit të tyre, ka thënë se rasti ka ndodhur duke u kthyer në shtëpi.

“Ai është nxënës i shkollës së mesme ekonomike në Gjakovë, duke u kthyer ka ndodhur ngjarja. U shpreh ngushëllime të gjitha atyre familjeve që kanë humbur me të dashurit. Flianti ishte në operacion, sipas mjekëv,e operacioni është kryer me sukses, plumbin ia kanë hequr që i ka mbetur në këmbë, po ndihet mirë. Mjekët thanë se tash nuk ka problem”, tha ai, duke shtuar se mjekët i thanë se nuk është në gjendje të rëndë dhe gjithçka do të bëhet mirë për nipin e tij.

Thotë se ende nuk kanë diskutuar me nipin e tij, pasi ai nuk ka qenë në gjendje të flasë.

“Nuk e di, tani veç organet i dinë këto punë….ka qenë një vajzë skaj tij, po thonë që e ndjera….nuk kemi, si me pas ne dyshime, si mund të kemi dyshime kur gjuhet në nxënës”, tha ai për media.

Ai thotë se linja e autobusit është nga Gjakova, kalon nëpër fshatra të Deçanit dhe rikthehet në Gjakovë.