Kosova

Thaçi takon dy kosovarë që punojnë në Shtëpinë e Bardhë 

"Ylli dhe Ylberi, me punë dhe vetëmohim, pa `të njohshëm e pa hile`, arritën në majat e administratës amerikane", shkruan Thaçi në postimin e tij

Presidenti Hashim Thaçi njofton se gjatë vizitës në Uashington pas takimit që ka pasur me zv. Presidenti Pence ka takuar edhe dy kosovarët që punojnë në Shtëpinë e Bardhë.

“Pas takimit të ngrohtë dhe përmbajtjesor, zv. Presidenti Pence, me shumë krenari, më tha: ” zoti President, tani do të kem nderin që t’ju njoftoj me dy të rinj me origjinë nga Kosova, Yll dhe Ylber Bajraktarin. Ata punojnë me ne në Shtëpi të Bardhë”. Sigurisht, m’u bë zemra mal me të arriturat e tyre.

Ylli dhe Ylberi, me punë dhe vetëmohim, pa të njohshëm e pa hile, arritën në majat e administratës amerikane. Njëkohësisht, kjo flet edhe për zemrën e madhe dhe të hapur të popullit amerikan, e cila, mbi të gjitha, e çmon punën, guximin dhe besnikërinë. Yll dhe Ylber, jam krenar me ju! Ju priftë e mbara gjithmonë!”, ka shkruar Presidentit.