Shqipëria

“The Guardian” shkruan për Shqipërinë: Banjat e Bënjës, një xhevahir i vërtetë

Medium prestigjioz britanik “The Guardian” ka shkruar sërish për Shqipërinë, kësaj here duke promovuar banjat termale të Bënjës, në Përmet.

Në listën e vendeve që duhen vizituar për ata që preferojnë Spa-të dhe Saunat, “The Guardian” e rendit Shqipërinë të parën, përcjell albinfo.ch.

Në lidhje me këtë ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“‘Një xhevahir i vërtetë; e quan gjiganti britanik, duke përmendur madhështinë e luginës së Vjosës, lumit të fundit që rrjedh i lirë në Europë, urën e lashtë prej guri nën kaltërsinë e qiellit shqiptar”, ka shkruar ai.

Përndryshe, në këtë artikull përmendet edhe ura e lashtë prej guri që ndodhet atje.

“Banjat termale të Bënjës në jug të vendit janë një xhevahir i vërtetë. Burimet arrihen nga një rrugë shkëmbore, pak me makinë nga Përmeti. Shtrirja përfundimtare duhet të bëhet në këmbë. Banja ndodhet pranë lumit Langaricë, një degë e Vjosës, një nga lumenjtë e fundit me rrjedhje të lirë në Evropë.  Vizitorët mund ta kalojnë ditën duke u zhytur në burimet natyrore dhe duke u lyer me baltën e pasur me squfur, e cila thuhet se ka veti terapeutike. E gjithë kjo duke marrë në sy madhështinë e luginës, urën e saj të lashtë prej guri dhe pafundësinë e kaltërt të qiellit shqiptar”, thuhet në këtë artikull.