Koronavirusi: çast pas çasti

„Tour de Suisse” e motoristëve shqiptarë, në kohë pandemie

Në këtë reportazh, ju njohim me aventurën e një grupi motoristësh shqiptarë që rrugëtimet i bëjnë me partnere, duke marrë kështu në fokus të veçantë dy çifte shqiptare

Ditëve të pushimit, kur ka kohë me diell, rrugët malore kalojnë në „pronësi“ të motoristëve, të cilët me rreth 750 mijë modele të regjistruara në zyrën e trafikut rrugor, formojnë lumin e gjatë mërmëritës në alpet e vendit që duket se krijuesi e ka planifikuar për motoçiklistë.

© albinfo.ch

Vargut të gjatë mërmërues të këtij sporti, ka disa vite që komuniteti shqiptar po i bashkëngjitet me shumë pasion. Prezenca e klubeve shqiptare në Zvicër nuk përbën më surprizë për askë. Ato kanë një shtrirje të gjerë dhe janë të organizuara në mbarë vendin. Janë me dhjetëra burra të moshave të ndryshme që zhvillojnë aktivitete motoristike përmes klubeve të tyre.

Në këtë reportazh, ju do të njiheni me një iniciativë të re, të një grupi motoristësh shqiptarë që rrugëtimet i bëjnë me partneret e tyre. Kemi marrë kështu në fokus të veçantë dy çifte shqiptare, të cilët prej vitesh jetojnë në harmoni e të pandarë në aktivitete.

Gjatë fundit të muajit maj, kur në Zvicër kishte një fundjavë të zgjatur me katër ditë pushim, ata ishin organizuar për të parë Zvicrën në kohë pandemie, duke zgjedhur si pikëtakim në rrugëtimin e tyre, qytezën e vogël Brunnen, buzë liqenit të njohur Vierwaldstättersee.

© albinfo.ch

Dy çifte bashkëshortësh motoristë

Motoristët nga St. Galleni me çiftin Eminja dhe Nagipi, kishin kaluar Rapperswil-in, i njohur ndryshe si qyteti i trendafilëve, përmes liqenit Zürichsee dhe po ngisnin motorin në mëngjesin e hershëm në drejtim qytezës Brunnen. Aty ku kishin lënë takimin. Çifti tjetër i fokusit tonë, Xhemi dhe Xheki, i takonte grupit të Cyrihut dhe bashkë me të tjerët po fillonin aventurën e tyre të quajtur „Tour de Suisse“ përmes liqenit të mrekullueshëm, Vierwaldstättersee.

„Majat e alpeve Susstenpass që lidhen me vendskijimin e njohur Hazlital dhe që vazhdojnë në drejtim të liqenit Brinzersee, nuk mund t`i linim për një herë tjetër“, tregon Amiri, i pasionuar pas mrekullive malore të Zvicrës. Ai ka vetëm pak vite që jeton në Zvicër dhe në mesin e këtij grupi motoristësh me përvojë, konsiderohej si i riu që duhet mbajtur nën vëzhgim. I riu gjilanas ka studiuar dhe jetuar në Londër para se të vinte në Zvicër.

© albinfo.ch

Aktualisht ai kryen punën e analistit të të dhënave inteligjente dhe analitike në Departamentin e Zhvillimeve Strategjike në një kompani të madhe e me renome botërore. Pos kësaj, ai është edhe përgjegjës kryesor i bazës së të dhënave, në të cilën kanë qasje direkte dhe raportojnë në baza ditore mbi 80 analistë të tjerë nga e mbarë bota. Por në mesin e motoristëve kjo nuk i krijonte atij përparësi, ai mbetej i riu që duhet t`i bindej ritmit të motoristëve të vjetër.

„Kemi një grup të mrekullueshëm dhe unë ndjehem me fat që bashkë me ta po i vizitoj vendet më të bukura të Zvicrës, vetëm brenda një kohe të shkurtër“, thotë Amiri i cili, pasi që ka pasur një jetë të vështirë në Gjilan, një pjesë të të ardhurave të tij, i ndan rregullisht për familjet skamnore.

A është Lauterbrunnen me 72 ujëvara lugina më spektakolare e Zvicrës?

© albinfo.ch

Natyra shumëngjyrëshe, bujtinat e vetmuara malore dhe teleferiku, e bëjnë luginën Latuerbrunnen një nga spektaklet më të mëdhenj natyrorë në Zvicër. Lugina e gjelbër mbulohet nga shkëmbinj dhe maja të mprehta të malit Eiger, Monch dhe Jungfrau.

Lauterbrunnen ka 3 mijë banorë dhe gjendet 70 km në juglindje të Bernës. Emri i fshatit është frymëzuar nga 72 ujëvara që bien në luginë nga një lartësi prej disa qindra metrash. Më e famshmja nga këto ujëvara magjepsëse, është Staubbach, e cila është 300 metra e lartë dhe kështu njëra nga më të lartat në Evropë.

Xheki me Xhemin, Eminen e Nagipin ishin ulur në një restorant afër ujëvarës bashkë me të tjerët dhe po diskutonin kohën e mbetur për të vazhduar rrugën në drejtim liqenit Thunersee apo për të kaluar natën nën zhurmën e ujvarës në hotelet aty pranë që sapo kishin filluar të ofronin shërbimet e tyre pas lehtësimit të masave ndaj Corona virusit.

© albinfo.ch

„Perëndimin e diellit dëshironim ta shijonim duke ngarë motorët në rrugët gjarpërore të liqenit Thunersee, deri në qytetin Thun dhe nga pas do të kalonim në pjesën Berneroberland deri në afërsi të majës Jaun që ndan Zvicren gjermanike me atë frankofone“, thotë Xheki. Ai i printe turneut me navigatorin e tij mbi motor dhe gruaja e tij Xhemi i jepte dritën jeshile me një shkelje syri që të vazhdonte pa humbur shumë kohë se ora kishte kaluar gjashtëshin dhe vendi ku ata mendonin ta kalonin natën, ishte rreth 80 kilometra larg.

Gjumi në hotelin bosh

I vetmi që po tregonte shenja lodhjeje dhe që po parapëlqente bujtinat e luginës Lauterbrunnen për të kaluar natën, ishte Nagipi, i cili me motorin e tij trirrotësh nuk e kishte të lehtë t’ju shkonte pas shokëve të tij në rrugët e gjata gjarpërore.

„Është bërë vonë dhe do të doja të rrinim këtu, por meqë as partnerja ime e jetës, Eminja nuk më mbështet, unë do t`i jap motorit me shpresën që kur të arrijmë atje, të gjejmë një bujtinë të rehatshme e diçka të mirë për të ngrënë“. Kështu thotë duke ngritur supet dhëndrri i Prishtinës, i cili për kënaqësinë e gruas së tij Emines, i jep motorit me rezervat e fundit të energjisë së tij. Eminja, është me prejardhje nga Prishtina dhe bashkë me Nagipin, që është nga Gostivari, drejtojnë me sukses kompaninë e kredive dhe sigurimeve, Ostfinanz St. Gallen.

© albinfo.ch

Përderisa dielli i orëve të mbrëmjes po rrëshqiste me shpejtësi drejt një horizonti tjetër, Nagipi kishte harruar lodhjen nga presioni i motoristëve tjerë dhe po i jepte trirrotëshit të tij me tërë forcën në drejtim të Berneroberland-it, duke lënë kështu pas rrugët e vetmuara, në kohë pandemie, të liqenit mahnitës Thunersee.

„Gjumin e kemi bërë në thellësi të fshatrave të Berneroberland-it, në Zweisimmen duke gjetur krejt rastësisht një hotel të qetë e pa njerëz me vetëm dy gra të moshuara që po bëheshin gati ta mbyllnin“, tregon Nagipi, i lumtur që nuk kishin mbetur pa darkë.

Fshati me 800 vjet histori, me djathin me të njohur të Zvicrës

„Mëngjesin e hershëm jemi ngjitur mbi 1500 metra lartësi në Jaunpass duke kaluar kështu në pjesën frankofone të Zvicrës. Jo shumë larg kësaj qafe mali, vizitorë nga mbarë bota mrekullohen me historinë e fshatit të vjetër mesjetar, Gruyer, që daton nga shekulli i 13-të“, tregojnë Xheki e Xhemi. Ata janë bashkë qysh nga koha e shkollës së mesme në Gjilan. Çifti  ka tre fëmijë të rritur dhe drejton një firmë transporti në kuadër të postës zvicerane, në afërsi të Spreitenbach-ut.

© albinfo.ch

Ky vendbanim i vjetër ofron Fondue-n më të mirë në Zvicër (Një ushqim tradicional që përgatitet me djathrat më të mirë zviceranë) dhe ju mund të pini një birrë në restorantin e fituesit të çmimit Oskar H.R. Giger, i cili prezanton veprat imagjinare të artit. Ai është krijuesi i krijesave Alien. Në Muzeun e Tibetit, vizitorët mund të zbulojnë artin budist në një kishëz të vjetër dhe mund të vizitojnë kështjellën me 800 vjet histori.

„Ashtu të lodhur, por jo të ngopur, ne kemi vazhduar në drejtim të Romontit për të kaluar në pjesën tjetër të qytetit Yverdon. Ndërsa përgjatë rrugëve të liqenit më të madh të Zvicrës, Neuenburgersee jemi ngjitur në thepin e qafës tjetër malore Chasseral-Nods, e cila të ofron pamjen e tre liqejve: Neuenburgersee, Bielersee dhe Murtensee si në pëllëmbë të dorës, shton Xheki.

© albinfo.ch

Gjersa gratë bënin selfiet e fundit para se të perëndonte dielli përvëlues, burrat po rezervonim hotelin, ndërkohë që po i priste një rrugë e gjatë, por e mrekullueshme malore deri në hotelin Ibis në Delemont.

„Kishim arritur vonë në këtë qytet të vogel dhe falë appit Tripp-advisor ne po gjenim një nga restorantet më të mira të mishit për shujtën e fundit para se të shkonim në gjumë“, thotë Xhemi.

Historia e lashtë e qytetit Augst dhe përsheshi i ushtrisë së kantoneve Aargau e Zürich

Dita e tretë e të shtunës parashihej nga mesdita me shi dhe ata kishin piketuar në hartën e tyre vendbanimin e vjetër romak, fshatin Augst.

„Augstin e njihja si vendin ku Shaqiri ka filluar karrierën e tij futbollistike, por nuk e dija që ai ishte rritur në një vendbanim me histori kaq të lashtë“.

Augst ndodhet rreth 10 kilometra në lindje të Bazelit, në bregun jugor të Rajnes. Qyteti ishte themeluar në vitin 44 para Krishtit dhe ishte zhvilluar në qytetin më të madh në rajon duke regjistruar asokohe mbi 10 mijë banorë.

Të mbushur me energji pozitive e në shoqëri të mrekullueshme, motoristët shqiptarë po i afroheshin kufirit Aargau – Zürich duke kaluar afër një fushëbeteje me emrin Kappeler Milchsuppe që realisht nuk ka ndodhur kurrë, falë urisë së ushtarëve. Kjo histori paqeje ka ndodhur në vitin 1529, ku dy ushtritë e kantoneve, në vend se t`i ndiqnin urdhrat e gjeneralëve të tyre për të luftuar, ishin bashkuar nga uria për të ngrënë përsheshin, sepse njëra palë kishte vetëm qumështin, kurse tjetra vetëm bukën…

© albinfo.ch

Motoristët shqiptarë po i afroheshin kufirit Aargau – Zürich duke kaluar afër një fushëbeteje me emrin Kappeler Milchsuppe që realisht nuk ka ndodhur kurrë, falë urisë së ushtarëve. Kjo histori paqeje ka ndodhur në vitin 1529, ku dy ushtritë e kantoneve, në vend se t`i ndiqnin urdhrat e gjeneraleve të tyre për të luftuar, ishin bashkuar nga uria për të ngrënë përsheshin, sepse njëra palë kishte vetëm qumështin, kurse tjetra vetëm bukën…

Augsti, qyteti i Shaqirit dhe i romakëve të lashtë

© albinfo.ch

„Augstin e njihja si vendin ku Shaqiri ka filluar karrierën e tij futbollistike, por nuk e dija që ai ishte rritur në një nga vendbanim me histori kaq të lashtë“.  Augustus ndodhet rreth 10 kilometra në lindje të Bazelit, në bregun jugor të Rajnes. Qyteti ishte themeluar në vitin 44 para Krishtit dhe ishte zhvilluar në qytetin më të madh në rajon duke regjistruar asokohe mbi 10 mijë banorë.

 800 vjet histori

 Gruyer, ky vendbanim i vjetër, ofron Fondue-n më të mirë në Zvicër (Një ushqim tradicional që përgatitet me djathrat më të mirë zviceranë) dhe ju mund të pini një birrë në restorantin e fituesit të çmimit Oskar H.R. Giger, i cili prezanton veprat imagjinare të artit. Ai është krijuesi i krijesave Alien. Në Muzeun e Tibetit, vizitorët mund të zbulojnë artin budist në një kishëz të vjetër dhe mund të vizitojnë kështjellën me 800 vjet histori.

 * Artikulli është publikuar në numrin aktual të magazinës sonë albinfo.ch dhe është shkruar në muajin qershor