Shqipëria

Transformimi i jashtëzakonshëm i Tiranës

Me Veliajn u rikthye sërish shpresa për të jetuar në një qytet evropian, pavarësisht frustrimeve të viteve ’90

Transformimi i kryeqytetit shqiptar nga pikëpamja urbane është në fokus të një artikulli të botuar në “Lucania News24”.

Pas mbretërimit të kioskave dhe ndërtimeve pa leje, thotë autori i shkrimit, zgjedhja e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës në vitin 2000, pa asnjë dyshim, shënon një çast vendimtar për historinë e vonë të Tiranës, transmeton ATSH, përcjell albinfo.ch.

Artikulli në “Lucania News24”:

“Tirana ka jetuar një histori të pabesueshme! E shpallur kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1920, ka njohur një periudhë rilindjeje arkitekturore gjatë influencës së fashizmit, që ka lënë gjurmët më të dukshme në qendër të qytetit dhe në bulevardin qendror që shkon nga qendra deri tek godina e Universitetit të Tiranës. Godina të ndryshme të arkitekturës italiane kanë lënë shenjë të dukshme në një qytet që sot është shumë dinamik.

Është e qartë që arkitektura transmeton kulturë dhe krijon ura komunikimi mes popujve, që as izolimi i ashpër i komunizmit nuk ka arritur ta ndalojë. Mjafton të mendosh që një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare ka mësuar italishten duke ndjekur kanalet televizive. Pra ka një lidhje të pandashme mes Shqipërisë dhe Italisë dhe për këtë ka të dhëna të rëndësishme. Më shumë se gjysmë milioni shqiptarë (mbi 16% e popullsisë shqiptare!) jeton dhe punon në Itali, më shumë se 20 mijë italianë jetojnë dhe punojnë vetëm në qytetin e Tiranës!

Rënia e regjimit në vitin 1991 futi qytetin e Tiranës në një krizë të rëndë ekonomike, sociale dhe kulturore të paprecedentë. Është e vështirë të flasësh për bukuri kur i referohesh qyteteve shqiptare gjatë komunizmit, thënë këtë mund të theksohet se në vitet ’90 u shkatërrua edhe më shumë ajo pak estetikë që kishte mbetur nga rënia e regjimit. Në qendër dhe në çdo lagje filluan të shfaqen me sasi të mëdha kioska të shëmtuara që zhvillonin aktivitete tregtare të ndryshme. Dy krahët e lumit të Lanës, që kalon mes përmes qytetit, ishin të mbushura me godina pa leje ku edhe derdhnin ujërat e zeza. Që nga viti ’92 qyteti kishte pamjen e një favela (lagje shumë të varfra në Brazil ku dominon krimi, shën. i përkth.). Qeveria qendrore e demokratëve të së djathtës arriti të fitojë për disa mandate me përfaqësuesit e saj e të qeverisë qytetin. Ata qeverisën shumë keq deri në fund të vitit 2000 duke e lënë Tiranën në mjerim, të çrregullt dhe në një mungesë të tmerrshme të aspektit civil dhe estetik duke i hapur rrugën ndërtimeve pa leje dhe duke krijuar një panoramë të denjë për “storia della bruttezza” (“Histori e shëmtisë” një libër i Umberto Eco ku jepen përkufizimet e së shëmtuarës, shën. i përkth.) Pikërisht, në këtë çast mendoj, socialistët vendosën të kandidojnë si kryetar bashkie Edi Ramën, një artist i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga studimet në Francë. Përballë një rënieje kaq të madhe, ideja për të kandiduar një artist ishte e goditur. Sigmunt Bauman (sociolog dhe filozof polak, shën. i përkth.) kishte deklaruar se një anëtar i një autoriteti kolektiv politik duhej të kishte, përveç aftësive teknike dhe vendimmarrësve, edhe ato estetike.

Zgjedhja e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës në vitin 2000, pa asnjë dyshim, shënon një çast vendimtar për historinë e fundit të Tiranës. Grisë së pallateve të socializmit, dhjetë viteve kaosit nga 1990-2000, kryebashkiakët e mëparshëm me vendimet e tyre i kishin mundësuar një ndotje të pabesueshme dhe të kudondodhur. Kryebashkiaku i sapozgjedhur i përvishet punës jo vetëm konkretisht, duke marrë vendime të rëndësishme për të nxjerrë qytetin nga kolapsi, por edhe duke sjellë një qasje estetike të drejtimit të tij. Me një projekt interesant i shpalli luftë grisë dhe shëmtisë së pallateve të socializmit, duke ngjyrosur pallatet e vjetra dhe duke pikturuar piktura që i jepnin më shumë jetë dhe dritë qytetit në gjendje shoku, por edhe duke shkruar fraza plotë shpresë. Pati një luftë të vërtetë të pashembullt kundër të shëmtuarës! Impakti ishte aq i vlerësuar, saqë tërhoqi simpatinë e shumicës së gjithë shqiptarëve, por edhe mirënjohjen e institucioneve  ndërkombëtare që e mbështetën duke parë rezultatet e punës së tij. Madje vlerësimet arritën kulmin në vitin 2004 kur Rama fitoi çmimin prestigjioz “Kryebashkiaku më i mirë në botë”. Me simbolikën e këtij vlerësimi të konsiderueshëm mund të theksohej se Tirana kishte rilindur dhe kishte kaluar nga një favela, në një qytet ku ndihej erë europiane duke transformuar në realitet idenë që potenciali i popullit nuk mund të realizohet pa ndihmën e ndërmjetësve, që arrijnë të kuptojnë mirë shpirtin e lodhur të qytetarëve nën grinë e keqqeverisjes.

Përtej rezultateve të marra, mendoj se kjo sipërmarrje me shkallë të gjerë e Edi Ramës tregoi një fakt interesant. Kundërvënien e dy kulturave të ndryshme. Nga njëra anë “forma mentis” (një shprehje latinisht që tregon një mënyrë specifike të të menduarit dhe vepruarit, shën i përkth.) i pushtetarëve të fillimit të viteve ’90, që ashtu si krerët e fiseve konceptonin dhe menaxhonin qytetin si një fshat mesjetar të humbur, ku kushdo vendos rregullat e tij. Por jo vetëm, me naivitet disa “ideologë” që mbështesnin këtë model qeverisjeje, përpiqeshin të legjitimonin rrëmujën që mbretëronte në Tiranë me luftën kundër çdo gjëje që përfaqësonte trashëgimin e komunizmit! Kjo ide ishte e rëndë jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë, ku ndodhën shkatërrime të papërgjegjshme të fabrikave dhe sipërmarrjeve bujqësore në emër të luftës kundër komunizmit.

Nga ana tjetër, Edi Rama solli një ide të kundërt që mbështetej mbi të gjitha mbi aspektin civil të të jetuarit bashkërisht! Sipas vizionit të tij, Tirana, ndonëse me trashëgimi të ndryshme kulturore dhe historike, duhej të kishte një frymë europiane. Me vendosmërinë e tij arriti të shkatërrojë të gjitha ndërtimet pa leje në lumin Lana, duke e shndërruar në simbolin e rendit dhe bukurisë së Tiranës, duke e shembur realitetin që përfaqësonte ky lumë në vitet ’90. Por mandati i tij i dytë dhe i tretë në drejtim të Tiranës nuk ishin të lehtë, sepse nga viti 2005 demokratët u kthyen në qeverinë qendrore dhe u përpoqën me çdo kusht të pengojnë punimet e kryebashkiakut.

Në vitet ’90 popullsia e Tiranës u dyfishua për shkak të migracionit të brendshëm. Pra, një popullsi shumë heterogjene, me shumë dallime kulturore, por në thelb të shtyrë nga dëshira për një jetë më të mirë dhe dinjitoze. Rama arriti të lexojë mirë këtë potencial të popullsisë së re të Tiranës duke u bërë ndërmjetësi për një qytet më të denjë për të gjithë, të moshuarit dhe të rinjtë, duke i bërë të gjithë të priren të duan një qytet që ishte i të gjithëve, pa përjashtuar asnjë.

Pavarësisht këtyre hapave thelbësore përpara duke përmirësuar qytetin dhe jetën e qytetarëve, opozita nuk i shihte me sy të mirë sukseset e Ramës. Kishte frikë nga popullariteti i tij gjithnjë e në rritje. Opozita përfaqësonte një model të vjetër të të bërit politikë, duke u përpjekur të mbështetej vetëm tek lufta kundër komunizmit, që në vitet 2000 duket jashtë mode, mbi të gjitha për të rinjtë. Prova e këtyre dy modeleve kulturore që kundërviheshin, duket në modelin e qeverisjes së Tiranës nga 2011-2015. Në këtë periudhë, një përfaqësues i Partisë Demokratike bëhet kryetar bashkie pas zgjedhjeve me shumë parregullsi dhe akuzash për mashtrime elektorale. Me njëfarë mërie simbolike, kryebashkiaku i ri, trashëgimtar i “forma mentis” të kryebashkiakëve që kishin qeverisur Tiranën në vitet ’90, hyri solemnisht në godinën e bashkisë në prani të një militanti të djathtë që po therte një dash dhe derdhi gjakun tek dera dhe muret hyrëse. Tribalizmi u rikthye në Tiranë! Shumë shpejt, filluan të shfaqen, ndonëse në volume më të ulëta, kioskat dhe pisllëku mori të tatëpjetën. Dukej një rikthim në vitet ’90 dhe ky fakt krijoi një siklet të dukshëm tek qytetarët e kryeqytetit, që mezi prisnin të vinin zgjedhjet e radhës.

Në vitin 2015, me rikthimin socialistëve në drejtimin e bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku i ri Erion Veliaj, me një energji të jashtëzakonshme, në fare pak muaj arriti të ndalë rrënimin e qytetit dhe e vendosi menaxhimin e bashkisë në të njëjtin model që kishte ngritur Edi Rama. Qyteti u kthye sërish i pastër dhe jeta u bë më shumë dinamike, e bukur dhe interesante. Pikërisht në këtë periudhë u rrit shumë numri i sipërmarrësve italianë në Tiranë, mbi të gjitha në sektorin e restoranteve.

Veliaj po çon përpara punën e tij në mënyrë interesante duke veshur menaxhimin e përditshëm me rilindjen e kulturës civile dhe të vullnetarizmit. Mbi këtë të fundit është e rëndësishme të theksohet se Veliaj është ndër politikanët e parë që ka zhvilluar një lëvizje të shkallës së gjerë me vullnetarë kryesisht të rinj, që kanë në zemër fatet e qytetit. Është vërtetë frymëzuese të shohësh shumë të rinj që çdo ditë marrin pjesë në mbjelljen e bimëve për të rritur sipërfaqen e gjelbër në kodrat e qytetit, që bashkëpunojnë për pastrimin e lagjeve dhe ndihmojnë në ndarjen e ushqimit në mensat për të varfrit. Kjo është një kulturë e re. Në fakt, në Shqipërinë socialiste nuk ka pasur një vullnetarizëm të vërtetë, por një përpjekje e forcuar për të organizuar të shtuna komuniste duke ndjekur modelin sovjetik. Ky fakt po hedh themelet për një mënyrë të re për të parë qytetin si shtëpinë tënde, si një të mirë të përbashkët për të cilën duhet të kujdesen të gjithë!

Me Veliajn u rikthye sërish shpresa për të jetuar në një qytet evropian, pavarësisht frustrimeve të viteve ’90. Ashtu sikurse thoshte me të drejtë Bauman, shpresa nuk është kurrë krejtësisht e frustruar, por qëndron në një gjendje të vazhduar eksitimi, me interesin gjithnjë në lëvizje që spostohet drejt objekteve gjithnjë të reja.