Kosova

Urat në Kosovë, pa mbikëqyrje

Pas fatkeqësisë që ndodhi më 14 gusht të këtij viti në Gjenova, albinfo.ch ka marrë mendimin e ekspertëve mbi gjendjen e urave në Kosovë. Kontrolli i tyre është i pamjaftueshëm

Ura e madhe e autostradës që u rrëzua pranë qytetit italian të Gjenovës shkaktoi mbi 40 të vdekur dhe qindra të lënduar, të cilët kishin mbetur brenda rrënojave të krijuara pas shembjes së urës.

Pas kësaj ngjarjeje, thuajse e gjithë vëmendja ishte te rishikimi i urave të tjera, të cilat mund të rrezikonin shembjen. Në anën tjetër, në Kosovë, sipas njohësve të çështjes, nuk respektohet inspektimi i urave të ndërtuara.

Profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Kadri Morina, ka thënë për albinfo.ch se ‘urat janë objekte ndërtimore, ku struktura e tyre duhet të jetë e sigurt gjatë fazës së shfrytëzimit edhe nën ndikimin e veprimit të erërave, vërshimeve dhe tërmeteve’.

Ai në një bisedë për albinfo.ch ka treguar mënyrën e inspektimit të urave, sigurinë e urave në Kosovë, standardet që duhet të përdoren gjatë ndërtimit të urës.

Sipas profesorit Morina, inspektimi i urave duhet të bëhet në baza vjetore, pasi që në këtë çështje luan rol edhe lokacioni ku gjendet një urë.

“Inspektimi duhet të bëhet prej ekipit të ekspertëve, dhe atë në varësi të lokacionit ku gjendet ura dhe ndikimeve të jashtme (era, vërshimet dhe tërmetet), mirëpo së paku çdo vit duhet të bëhet inspektimi dhe të shkruhet raporti nga ekipi i ekspertëve”, tha Morina për albinfo.ch.

Ai tregon tutje se pas përfundimit të ndërtimit të një urë, duhet të testohet në fazën e pranimit teknik.

“Varet se si inspektohen urat nga organet përgjegjëse, (Ministria e Infrastrukturës, Drejtoria e rrugëve, sektori për ura) dhe këto raporte përcaktojnë shkallën e sigurisë së urave”, shton tutje profesori. Sipas Morinës, fillimi i një ure varet që nga hulumtimi gjeomekanik i tokës.

“Ndërtimi i një ure është kompleks dhe varet prej hulumtimit gjeomekanik të tokës, ku do të vendosen themelet e urës, projektimit, mbikëqyrjes, ndërtimit dhe mirëmbajtjes. Të gjitha urat që punohen duhet të jenë sipas euro-codeve, koha e ndërtimit varet prej gjatësisë së urës, prej terrenit ku punohet, sigurimi i investimeve sipas planit dinamik dhe shumë faktorë të tjerë”, tha tutje Morina.

Ai tregon se nëse organet përgjegjëse nuk kanë inspektuar urat pas ndodhisë në Gjenova, ato urgjentisht duhet të rishikohen dhe të inspektohen.

“Po ashtu, rishikimi i gjendjes së urave duhet të bëhet pas çdo tërmeti apo vërshimi, por te ne kjo nuk respektohet”, thotë ai.

Përgjegjësinë për sigurinë e urave, sipas profesorit të ndërtimtarisë, e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Drejtoria e Rrugëve, sektori i urave.

Ai gjithashtu flet për albinfo.ch edhe për kriteret që duhet t’i ketë një kompani për ndërtimin e urave. “Të punohet projekti sipas normave, mbikëqyrja të jetë në nivelin e duhur dhe ndërtuesi të ketë përgatitje profesionale dhe mekanizmin e nevojshëm për ndërtim”, shton ai. Ai tregon se përveç urave, edhe objektet e veçanta, si digat, oxhaqet e silosët duhet të rishikohen dhe të inspektohen. “Inspektim të objekteve banesore sidomos të viteve para luftës, ku ka mbindërtime, dëmtime të strukturave nëpër katet e para të objekteve, ndërrimi i destinimit”, thotë në fund profesori Kadri Morina për albinfo.ch.

Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës ka thënë se numri i urave në Kosovë, sipas të dhënave statistikore, është 373, ku 24 janë ndërtime të reja, të ndërtuara pas luftës. Albinfo.ch ka kërkuar nga ana e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, edhe përgjigje në lidhje me urën dhe sigurinë e urës, e cila po ndërtohet në aksin Kaçanik Hani i Elezit.

“Përgjegjësia për sigurinë e urës i takon kompanisë ndërtuese me garantim 50 vjet.
Urat inspektohen 2 deri 3 herë në gjashtë mujorin e parë dhe po aq në gjashtë mujorin e dytë. Varësisht nga nevoja, inspektohen edhe më shpesh. 
Numri i urave në rrugë nacionale është 152, ndërsa në rrugë regjionale 197. Numri i urave të ndërtuara pas luftës (Ura të reja) është 24.
Inspektimi i urave respektohet maksimalisht, ashtu siç është paraparë të kryhet“, ka thënë Ministri Lekaj.