Lajme

Veseli kërkon anulimin e protestës të thirrur nga OVL-UÇK

Pas aktazusës së ngritur nga Gjykata Speciale ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë për datën 9 korrik, nën moton “Çlirimtarët dhe kriminelët nuk janë një”.

Por, pas kësaj thirrjeje, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një video adresimi u është drejtuar me një lutje të gjithë bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve të Kosovës që të anulojnë këtë protestë. Kjo për shkak të situatës pandemike në vend, shkruan albinfo.ch.

“Në këtë kohë të pandemisë, si në gjithë botën, kemi shqetësim jetën e qytetarëve. Nuk dua që për jetën time të rrezikohet asnjë jetë. Sepse, ky edhe ishte qëllimi i luftës sonë. Të jetojmë të lirë, pa u rrezikuar asnjë jetë. Jeta e secilit vlen. Prandaj, me mirëkuptimin më të madh, dhe kërkesën më të sinqertë, i lus bashkëluftëtarët e mi dhe të gjithë qytetarët që ta anulojnë këtë protestë”, ka thënë ndër të tjera Veseli në video adresim.

 

Adresimi i plotë i kreut të PDK: Kadri Veselit:

“Të dashur qytetarë,

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur një protestë për datën 9 korrik, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë të drejtë për liri dhe pavarësi.

I falënderoj nga zemra bashkëluftëtarët e mi për mbështetjen e pakursyer.

Gjatë kësaj kohe kam marrë shumë mesazhe përkrahjeje dhe i falënderoj të gjithë qytetarët – që janë me ne në këto momente.

E vlerësoj maturinë në këtë situatë.

E kuptoj dhe e ndjej thellësisht gatishmërinë e secilit për të na u gjetur pranë. Neve dhe Kosovës.

Por, në këtë kohë të pandemisë, si në gjithë botën, kemi shqetësim jetën e qytetarëve.

Nuk dua që për jetën time të rrezikohet asnjë jetë. Sepse, ky edhe ishte qëllimi i luftës sonë. Të jetojmë të lirë, pa u rrezikuar asnjë jetë. Jeta e secilit vlen.

Prandaj, me mirëkuptimin më të madh, dhe kërkesën më të sinqertë, i lus bashkëluftëtarët e mi dhe të gjithë qytetarët që ta anulojnë këtë protestë.

Të dashur qytetarë,

Rrugëtimi i Kosovës për liri dhe pavarësi nuk ka qenë i lehtë. Ishte përpjekje e shumë brezave. Gjyshërit tanë, prindërit tanë, gra e burra, pleq e të rinj, kanë bërë sakrifica të mëdha e të rënda.

Kosova dhe familjet në Kosovë kanë përjetuar dhunë të madhe nga shteti serb. Por, duke qenë bashkë, ia kemi dalë ta realizojmë atë që dukej e pamundur. Lirinë dhe Shtetin e Kosovës.

Ëndrrën shekullore të krejt angazhimit tonë historik, që duhet t’ia njohim peshën. Dhe këtë histori të lavdishme nuk mund ta zhbëjë as ta rishkruajë askush. Sepse, është histori e popullit të Kosovës, e vuajtjeve tona dhe e sakrificës së përbashkët, por edhe e rezistencës dhe e lavdisë.

Gjeneratave të reja u takon që ta mësojnë drejt historinë e vërtetë të lirisë dhe shtetit të Kosovës, dhe ta mbrojnë atë. Që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë mbrojtëse, e pastër dhe për të drejtat tona.

E sotmja dhe e ardhmja e këtij shteti dhe e këtij kombi është e pandalshme, është e ndritur dhe do të jetë e sigurt”.