Lajme

Vrasja e 30 vjeçarit në Ferizaj, deklaratat e Prokurorisë dhe të Policisë

Një tragjedi ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në Ferizaj ku nga të shtënat me armë zjarri një 30 vjeçar ka mbetur i vdekur.

Bëhet e ditur se i dyshuari shtiu në drejtim të viktimës, i cili në ato momente ishte brenda një marketi në rrugën “Rexhep Bislimi”. Tutje, raportohet se i dyshuari shtiu shtatë herë në drejtim të viktimës, ndërsa njëri nga plumbat e kishte goditur viktimën në nofull.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se zyrtarët policorë (civil) pasi kanë vërejtur të dyshuarin i kanë kërkuar që të ndalet, por pasi i njëjti nuk i është bindur urdhrave dhe me pistoletë në dorë i është kthyer zyrtarëve policorë, njëri nga zyrtarët ka shkrepur në drejtim të të dyshuarit duke e plagosur.

Referuar njoftimit zyrtar, i dyshuari menjëherë është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.

“Më datën 28.05.2022 rreth orës 00:53 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se, në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ tek ‘Euro Market’ në Ferizaj kishte të shtëna me armë zjarri… Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J ( M/K) i moshës 30 vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H (M/K) i moshës 30 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt. Afër vendit të ngjarjes, një njësi e Policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhra verbal ‘ndal policia’ që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhrat e policisë.

I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njëri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare, me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit. I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe IPK-ja të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Me vendim të Prokurorit lidhur me veprimet e zyrtarit policor do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në, ndërsa për veprimet tjera hetimore lidhur me vrasjen Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj”.

Si provë materiale nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar dy armë zjarri, pistoleta dhe shtatë gëzhoja, ndërsa bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë mbledhur prova materiale dhe deklarative se si ka ndodhur rasti.

Më pas, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda po përmes një njoftimi për media konfirmoi se i dyshuari për vrasjen e 30 vjeçarit në Ferizaj është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria njofton motivet lidhur me këtë ngjarje ende nuk dihen, ndërsa, i dyshuari “Q.J “ me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin për veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI