Kosova

Vrasje në ndërtesën e AKI-së

Sipas AKI-së vrasja e ndodhur nuk ka të bëjë me çështje të cilat ndërlidhen me veprimtaritë e Agjencisë

Një vrasje ka ndodhur sot paradite në ndërtesën e AKI-së në Prishtinë. “KALLXO.com” ka mësuar se një punëtor sigurimi ka shtënë ndaj një punëtori të shërbimit në këtë ndërtesë duke e lënë të vrarë.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, tha për KALLXO.com se një i plagosur që ka ardhur nga incidenti në AKI, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra, përcjell albinfo.ch.

Ibrahim Berisha, Zëvendës Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, e ka konfirmuar këtë vrasje për KALLXO.com.

“Ka ndodhur një vrasje në ndërtesën e AKI-së. Viktima ka vdekur nga plagët. Prokurori tash do të dalë në vend të ngjarjes. Detajet mund t’i japim më vonë”, tha Berisha.

Sipas AKI-së vrasja e ndodhur nuk ka të bëjë me çështje të cilat ndërlidhen me veprimtaritë e Agjencisë.

“Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK! Rasti nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së. Me hetimin e këtij rasti po merret prokurori kompetent”.