Zvicër: “Sharri” i ngjan një ekspozite me fotografi të qyteteve shqiptare

Sot ka hapur zyrtarisht dyert shoqata kulturo artistike “Sharri” me seli në Wittenbach. Kjo shoqatë që kishte shtrirë aktivitetin kulturor për një kohë të gjatë në Romanshorn, është bartur prej disa muajsh në objektin e ri në afërsi të St. Gallenit, mes Wittenbach dhe Waldkirch.

Me dhjetëra firma shqiptare e bashkëkombas kanë punuar për disa muaj rresht për të ngritur një nga shoqatat më të mbresëlënëse të mërgatës shqiptare në Zvicër. Brenda një objekti tërësisht të rinovuar e me stoli të njëpasnjëshme murale të qyteteve shqiptare, drejtuesit e shoqatës kanë jetësuar një nga dëshirat e kamotshme të shumë aktivistëve shqiptarë të Zvicrës lindore me qendër St. Gallenin për të pasur një qendër të madhe kulturore të mërgatës shqiptare.

Kryetari i shoqatës “Sharri”, Nagip Mehmedi, pasi përgëzoi të pranishmit për pjesëmarrje të madhe e mbështetje të gjerë që i kanë dhënë komuniteti i kësaj ane realizimit të këtij projekti, ndau mirënjohjes për të gjithë sponzorizuesit, duke falënderuar ata për punën e bërë. Ai gjithashtu falënderoi autoritetet lokale për bashkëpunimin e ofruar, të cilët siç u shpreh Mehmedi, “nuk na kanë penguar asnjëherë gjatë punimeve të bëra”.

Në sallën e veshur me fotografi të mëdha të qyteteve shqiptare, të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe politikani zviceran i partisë së djathtë SVP, Markus Brunner. Përderisa politikanë të tjerë të së majtës, duke pasur në radhët e tyre edhe kandidatë e anëtarë me prejardhje shqiptare, nuk iu kanë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje.

Vajzat e reja sharrjane kanë shfaqur sot një program të pasur të vallëve e këngëve nga folklori ynë. Atyre iu kanë bashkangjitur edhe këngëtarë të njohur të muzikës sonë popullore. Si zakonisht ushqimet tona tradicionale janë shërbyer po ashtu me bollëk.

Shoqata “Sharri” është e hapur çdo të diel për grupin e valleve me fëmijë nën drejtimin e Jeton Krasniqit.

 

Dritoni ua mëson vallëzimin çifteve të reja gjermane

Shqiptari nga Kosova, Driton Veliu është një mësues vallëzimi. Aktualisht ai ka një angazhim paksa të veçantë: t`ua mësojë hapat e parë të vallëzimit atyre që planifikojnë të martohen së shpejti. Tetë çifte që nuk kanë pasur kohë ose vullnet të mësojnë deri më tash vallëzimin, ndodhen te ai në „përpunim“.

Mësimi i ceremonisë së vallëzimit për çiftet martesore duket kështu: të gjithë mysafirët e bëjnë një qark rreth çiftit që vallëzon, pastaj nusja vallëzon me të atin dhe dhëndrri me të ëmën e kështu me radhë. Mirëpo, valsi i thjeshtë nuk mjafton më, po deshëm që dasma të jetë vërtetë e suksesshme.

Driton Veliu në shkollën e tij të vallëzimit në Bremen dhe Oldenburg ofron një kurst ë veçantë dhe individuale për çiftet martesore të cilët nuk duan që në dasmat e tyre të kufizohen në taktin e zakonshëm të valsit.

Çifti e zgjedh fillimisht muzikën dhe pastaj mbi këtë ztgjedhje zhvillohet një spektakël individual dhe shpesh i përcjellë me shumë djersë, shkruan radiobremen.de. Efekti befasues është i garantuar!

Vallëzimi është pasioni i madh i shqiptarit nga Kosova, Driton Veliut. Ai është autodidakt në këtë fushë por punon prej 16 vitesh si mësues vallëzimi. Dritoni ka qenë kampion i shumëfishtë evropian në Streetdance.