Kosova

Zëvendëssekretari amerikan: E rëndësishme është përmbushja e zotimeve të marra nga dialogu

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, ka dhënë hollësi për Dialogun Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe ka komentuar raportet mes këtyre dy shteteve. Ai ka rikonfirmuar pozicionin amerikan rreth njohjes reciproke si produkt i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Zëvendëssekretari Verma ka folur për garancitë që partnerët ndërkombëtarë mund t’ia japin Kosovës nëse zbaton pjesën e vet të Marrëveshjes dhe ka bërë të qartë se SHBA-ja e sheh Marrëveshjen e Ohrit ligjërisht të obligueshme edhe për Serbinë, pavarësisht deklarimeve të saj refuzuese, në një intervistë për KOHA-n.

Koha: Kjo është hera e parë që po vizitoni Kosovën. Cila është arsyeja e kësaj vizite?

Verma: Ju faleminderit dhe më vjen mirë që jam këtu në Kosovë. Për vite të tëra kam pasur dëshirë që të vij këtu dhe më vjen mirë që në javët e fundit të administratës së Bidenit, pata mundësinë të vija këtu dhe të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet tona për gjithçka që ka ngjarë në marrëdhënien tonë: prej pranimit të refugjatëve afganë te mbështetja e përpjekjeve tona të vazhdueshme për mbështetjen e popullit të Ukrainës dhe përparimet në shumë fusha. Kam pasur dëshirë të vij dhe të shpreh vlerësimin dhe që të flas për të arriturat përgjatë viteve, si dhe për disa prej sfidave që na presin. Gjithashtu, dëshiroja të falënderoj ekipin e jashtëzakonshëm të ambasadës sonë që ka punuar me aq mund për këtë marrëdhënie. E dini, kur i shohim të arriturat në fushat si sundimi i ligjit, energjia, ndihma për çështje demokratike… e kemi një buxhet të madh që e mbështet popullin e Kosovës prej pothuajse 60 milionë dollarë në vit, pastaj 200 milionë dollarë të programit Kompakt përmes Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit për energji. Pra, ka shumë gjëra të mira në këto marrëdhënie dhe kjo është arsyeja përse dëshiroja të vij dhe të flas drejtpërdrejt se sa të qëndrueshme dhe të rëndësishme janë këto marrëdhënie.

Koha: Sapo e pamë një deklaratë nga presidentja e Kosovës që njoftoi për vazhdimin e dialogut strategjik. A mund të na thoni diçka më shumë për këtë?

Verma: Sigurisht. Ajo që ia sugjerova presidentes dhe ajo e ka përkrahur shumë, si dhe ka qenë përkrahëse e fuqishme e kësaj nisme, është strukturimi i marrëdhënieve tona përmes një dialogu strategjik i cili, natyrisht, do ta shtynte atë në nivel më të lartë. Mund t’i zgjedhim temat që janë të rëndësishme për të dy vendet. Që ekipet tona të takohen rregullisht dhe e mirëpres mundësinë për të punuar rreth hollësive ashtu që zyrtarisht të kemi dialogun e parë strategjik. Por, më erdhi mirë që pata mundësinë të flas me të për këtë çështje dhe ta shtyjmë këtë marrëdhënie në një nivel më të lartë.

Koha: Ende nuk i dimë temat?

Verma: Mendoj se në përgjithësi i dimë cilat do të jenë temat, por dua që ekipet të takohen për të vendosur për dialogun e parë strategjik. Qartazi, mendoj se do të ketë një komponent ekonomik, komponent energjetik, pastaj tregtia. Mund të flasim për të gjitha çështjet kryesore që kanë rëndësi për njerëzit e të dy vendeve.

Koha: Sa i përket dialogut, normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në ngërç. Është një proces që duket se po i shtyn të dy palët për të marrë qëndrime më kundërthënëse. A besoni se vërtetë mund të arrihet ndonjë përparim përmes këtij dialogu? Dhe nëse po, si?

Verma: Shikoni, ne e mbështesim fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe mendoj se është tepër e rëndësishme që të dyja palët të përmbushin zotimet që i kanë marrë vite më parë. Ky është proces shumë i rëndësishëm. Ky është procesi që do të sjellë atë që unë mendoj se të gjithë po përpiqemi të arrijmë, që është integrimi më i madh evropian në institucionet evropiane, duke përfshirë një ditë, potencialisht edhe në NATO. Ky është po ashtu procesi që do të sjellë normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë. Por, është me rëndësi që t’i kthehemi dialogut. Mendoj se sot në mëngjes ia përmenda edhe presidentes edhe kryeministrit se sa e rëndësishme është që të përmbushen zotimet e marra në dialog dhe zotimin e njëmendtë për një vend shumetnik, demokratik dhe paqësor. Besoj se këtu qëndron e ardhmja e Kosovës. Kjo gjë është në thelb të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja. Dhe kjo është pa aq e rëndësishme. Prandaj… kur ka veprime që mund të perceptohen si veprime që janë në kundërshtim me atë marrëveshje, kjo bëhet problematike. Pra, veprimet e njëanshme, mendoj se kur flasim për shoqërinë shumetnike, është e rëndësishme që edhe serbët e Kosovës të kuptojnë dhe të dinë se ku përshtaten në këtë vend. Dhe kështu, po, është e rëndësishme që ajo marrëveshje të zbatohet dhe dialogu të kthehet në rrugën e duhur sa më shpejt të jetë e mundur.

Koha: Çfarë garancie mund t’i japin Kosovës partnerët e saj ndërkombëtarë se nëse ajo i përmbush obligimet e saj, atëherë të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Serbia, sidomos duke e ditur se Serbia e ka refuzuar publikisht dhe zyrtarisht marrëveshjen e Ohrit.

Verma: Shikoni, ne besojmë se kushtet e marrëveshjes janë kushte ligjërisht të detyrueshme dhe se të dyja vendet janë zotuar për to, për parimet e marrëveshjes. Shikoni, mendoj se është në interes jo vetëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe për sigurinë rajonale dhe prosperitetin e vetë njerëzve, që të dy vendet të jenë në gjendje të ulen dhe të zgjidhin këto çështje. Dhe sigurisht që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar në lehtësimin e këtij procesi përmes mekanizmave të BE-së.

Koha: Sa për të rikonfirmuar: a e kanë ende Shtetet e Bashkuara qëndrimin se njohja e ndërsjellë është hapi i fundit i dialogut?

Verma: Shikoni, mendoj se të gjithë ne shpresojmë një shkallë të normalizimit që do të çonte te njohja e ndërsjellë. Por, për të arritur deri në atë pikë duhet të ndërmerren disa hapa dhe kjo gjë besoj se do të arrihet përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja, nëse zbatohet siç duhet.

Koha: Përkundër faktit se BE-ja disi po e shmang apo nuk po deklaron që njohja e ndërsjellë është qëndrimi i saj.

Verma: Mendoj se ju e dini qëndrimin tonë dhe sapo e shpreha para jush se normalizimi që çon në njohje të ndërsjellë do të ishte rezultati i duhur.

Koha: Diplomatët amerikanë kanë përmendur se marrëdhëniet me Kosovën janë dëmtuar. Çka do të thotë kjo? Dhe çfarë duhet të ndryshojë që gjërat të kthehen në rrugën e duhur?

Verma: Sërish, një ndër arsyet përse dëshiroja të vija këtu është zotimi ynë i qëndrueshëm dhe i fuqishëm ndaj popullit të Kosovës. E kam parë përparimin e jashtëzakonshëm që kemi bërë gjatë shumë e shumë viteve dhe jam mjaft i kënaqur dhe mjaft i sigurt se ku kemi arritur. Kur kemi sfida apo mosmarrëveshje, flasim hapur për to. Dhe e përmenda se ndonjëherë veprimet e njëanshme, për shembull, si mbyllja e disa institucioneve, mund të dërgojnë gjithashtu sinjalin e gabuar se ku përshtaten serbët e Kosovës në shoqëri dhe mendoj se kjo ka qenë sfiduese për përparimin e vazhdueshëm në diskutimin e lehtësuar ndërmjet dy shteteve. Ne e kemi një zotim të rëndësishëm e të qëndrueshëm ndaj popullit të Kosovës dhe kjo do të vazhdojë. Gjatë takimit me ekipin e ambasadës mbrëmë po shikoja gamën e fushave në të cilat punojmë dhe është tepër mbresëlënëse. Por, gjithashtu mendoj edhe për popullsinë e diasporës në Shtetet e Bashkuara dhe se si ata janë të përkushtuar për suksesin e këtyre marrëdhënieve. Prandaj, jam këtu për të shprehur zotimin tonë të vazhdueshëm. Jam këtu për të ngritur shqetësimet kur i kemi. Dhe sot patëm takime shumë të mira me presidenten dhe kryeministrin…

Koha: A i ngritët ato shqetësime me kryeministrin sot?

Verma: Shikoni, nuk do të hyj në hollësi të bisedimeve, por natyrisht, folëm për një varg çështjesh dhe kjo është çka miqtë dhe partnerët bëjnë.

Koha: Si e vlerëson SHBA-ja brishtësinë e sigurisë përreth infrastrukturës jetike në Kosovë? Dhe sa është e përfshirë, të themi, në parandalimin e sulmeve të ngjashme si ai që ndodhi në kanalin Ibër-Lepenci?

Verma: Ne i dënojmë sulmet e planifikuara kundër infrastrukturës dhe vlerësojmë gjithçka që Policia e Kosovës dhe shërbimet emergjente bënë për të reaguar aq shpejt. Gjithashtu, ne kemi ofruar tërë mbështetjen e mundshme për hetime përmes kolegëve tanë nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë. Këto hetime po vazhdojnë dhe do t’i nxisja të gjithë që të presin përfundimin e tyre para se të shpallin dikë përgjegjës. Por, këto lloj sulmesh janë të papranueshme në çfarëdo rrethane.

Koha: A ka ndonjë risi për hetimet në të cilat është përfshirë FBI-ja?

Verma: Hetimet po vazhdojnë ende dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë. Të presim dhe të shohim se çfarë përfundimi do të nxjerrin ekipet. Mendoj se ata po punojnë me mjaft agresivitet për të gjetur kryesit e veprës ashtu që ata të japin llogari.

Koha: Z. Verma, përshtypjet tuaja me të cilat do të ktheheni në SHBA nga kjo vizitë?

Verma: Pata një vizitë kaq të shkëlqyeshme dhe, për shembull, mbrëmë pata mundësinë të takohem me anëtarë të komunitetit të biznesit, të cilët kanë këtë lloj dinamike marrëdhëniesh tregtare dhe investimesh me Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, pata rastin të takohem me anëtarë të ekipit të ambasadës sonë, shumë prej të cilëve kanë punuar për 15-20 vjet në ambasadën amerikane këtu. Kështu që po largohem i frymëzuar nga njerëzit që kam takuar këtu, i impresionuar me njerëzit që kam parë dhe takuar këtu dhe jam edhe më i përkushtuar për të punuar për marrëdhëniet tona për të mirën e dy vendeve tona./KOHA