Koronavirusi: çast pas çasti

Zgjedhjet në Maqedoni do të mbahen më 5 korrik, me gjithë shtimin e rasteve me Covid-19

Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i LSDM-së, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në këtë vend do të mbahen më 5 korrik, me gjithë shtimin e rasteve të reja me Covid-19.

Ai tha se vendit i duhen institucione funksionale.

“Për shkak të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, zgjedhjet janë zgjidhje, kurse data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve tashmë është punë e kryer. Zgjedhjet do të mbahen më 5 korrik në mënyrë që sa më shpejtë të ketë Kuvend funksional dhe Qeveri politike”, tha mes tjerash Zaev, raporton Alsat-M.

Partitë opozitare kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie.

Ndërkohë në Maqedoni po vazhdon të shtohet numri i të prekurve me COVID-19, qëkur janë liruar masat për parandalimin e infeksionit. Dje u regjistruan 62 raste të reja dhe pesë të vdekur. Gjithsej në këtë vend janë shënuar 2.226 raste me COVID-19, prej tyre janë shëruar 1.552, ndërkohë kanë vdekur 133 persona, përcjell Albinfo.ch.