Shkurt.ch

Zvicër: Stuhia zhvendos trenin nga shinat

Treni kishte hasur në gurë të sjellë mbi shina nga stuhia, kur po lëvizte të shtunën pasdite në hekurudhën në Grubenwald

Vala e motit të ligë të shoqëruar me stuhi të fuqishme që kaploi Zvicrën ditën e shtunë ka shkaktuar dëme materiake dhe një numër të lënduarish, disa prej të cilëve rëndë.

Po ashtu stuhia e pasditës së të shtunës ka bërë që një tren të dalë nga shinat. Fjala është për trenin e kompanisë BLS, në Simmental të Kantonit të Bernës, shkruan sda.ch. Për fat, nuk ka pasur të lënduar. Por, trafiku hekurudhor në mes të lokaliteteve Boltigen dhe Zweisimmen pritet të ndërpritet deri të hënën në mëngjes, transmeton albinfo.ch. Midis këtyre dy pikave janë vënë në qarkullim autobusë zëvendësimi.

Treni kishte hasur në gurë mbi shina kur po lëvizte të shtunën pasdite në hekurudhën në Grubenwald. Këta gurë kishin rënë mbi hekurudhë si pasojë e stuhisë.

BLS ka siguruar ardhjen e zjarrfikësve dhe ekipeve shpëtimtare nga Frutigeni, ka thënë zëdhënësja Barbara Weber në Telebärn. Sipas këtij televizioni privat, udhëtarëve të trenit u është dashur të prisnin rreth dy orë, pa mundur të dilnin nga treni.

Zhvendosja e rrotëve nga shinat kishte qenë e dukshme, përcjell albinfo.ch. “Mund të ndjehej se treni po përkulej lehtë nga njëra anë”, ka thënë një pasagjer.