Kulturë

Etnik Zarari

DJ

Aty ku paraqitet Etniku, askush nuk mbetet indiferent. Ky i ri tashmë po trajtohet si ylli më i ri i skenës gjermane të muzikës techno. Por jo vetëm kaq, ai me muzikën e tij po vë në lëvizje masa të tëra njerëzish edhe në nivel botëror.  Emri i “DJ Etnik” është bërë shumë shpejtë i njohur jo vetëm në skenën gjermane por edhe në atë ndërkombëtare të muzikës techno.

Me vetëm 21 vjetët e tij, Etniku ka lidhur një kontratë të vlefshme me platformën e madhe muzikore Warner Music, e cila dhe e ka zbuluar talentin e tij të rrallë. Pak ditë më parë është publikuar EP e parë e Etnikut “Neon Daze”.

Ajo që e dallon Etnikun në pamje janë mustaqet e tij karakteristike. Por, ai ka edhe shumëçka tjetër që e bën të dallueshëm në skenën e muzikës. “Etnik-u, i cili në fakt edhe realisht mban këtë emër, është i biri i një familjeje emigrantësh shqiptarë. Emri i tij vjen nga Shqipëria dhe kuptohet si `popull autokton`”, është përpjekur t`ua shpjegojë artisti i ri, Etnik Zarari kuptimin e emrit të tij paksa të çuditshëm, gazetarëve gjermanë. Ai është i lindur dhe është rritur në Gjermani, në Hamburg.

Kur ishte vetëm 18 vjeç ai në një mbrëmje muzikore është zbuluar nga platforma “Warner Music” dhe kështu ka filluar bashkëpunimi në mes tyre si dhe ngjitja meteorike e Etnikut shkallëve të suksesit. Lidhur me stilet e muzikës dhe me teknikat që përdor ai thotë: “Më pëlqen thjesht të eksperimentoj. Në këtë pikë për mua ka rënduesi që ajo që krijoj të jetë e identifikueshme, ashtu që të thonë: Kjo këngë është e Etnikut”.

Se ai e ka arritur këtë cak tregon fakti se Etniku tashmë ka grupe fansash jo vetëm në Gjermani dhe në Evropë ku  i janë rezervuar shumë termine për koncerte por edhe në SHBA dhe në Australi. Kështu, ai për vitin 2014 ka planifikuar turneun e radhës në Australi dhe të parin në SHBA.

Përkundër sukseseve evidente, i riu nga Hamburgu ka mbetur “me këmbë në tokë”. “Jam ende larg nga pozita e një artisti vërtet profesionist”, thotë ai. Po ashtu, nuk e pranon as epitetin “Wunderkind” me të cilin e identifikojnë. Ai i jep më shumë rëndësi përvojave të reja që fiton me punën e tij të përditshme.

Në punën që bën, Etniku i kushton rëndësi stilit të tij që është minimalist në mënyrë ekstreme dhe njëkohësisht perfeksionist. Kjo qasje pastaj pasqyrohet edhe në pamjen e tij. Me një paraqitje të vetëdijshme me pamje prej dandy, ai prezantohet si artist njëkohësisht serioz dhe individual. Në këtë kontekst hyjnë edhe mustaqet e tij karakteristike.

Etniku është ambicioz dhe e di mirë se çfarë dëshiron. Ai mendon se për karrierën e tij muzikore do të ishte mirë që të kalojë një kohë në Los Angeles, SHBA.

Verën që shkoi, ai ka mbaruar maturën. Etniku konsideron se një arsimim i përgjithshëm do t`i ndihmojë për të gjetur rrugët alternative të suksesit. “Biznesi me muzikën është diçka e bukur. Por unë mendoj se  dikur më vonë do të kem dëshirë të mbaroj edhe studimet”.

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriEtnik Zarari
  • Prejardhja:Hamburg-Gjermani
  • Vendi ku vepron:Hamburg-Gjermani
  • Profesioni:DJ
  • Kontakti www.facebook.com/etnikzarari