Bota

Protestohet në Britani kundër pezullimit të Parlamentit

Janë të paktën 30 protesta të parashikuara për t’u organizuar gjatë fundjavës në gjithë Britaninë, për të kundërshtuar kërkesën e kryeministrit Boris Johnson për pezullimin e Parlamentit dhe largimin e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje.

Protestuesit janë kryesisht pro-Bashkimit Evropian dhe qëndrimit të Britanisë në union, ndërkohë që kryeministri i ri nuk ka përjashtuar largimin edhe pa arritjen e një marrëveshjeje. Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit pa marrëveshje do të ishte dëmtues për Londrën.

Falë vendimit të Johnson për të pezulluar Parlamentin – normalisht një ndërprerje rutinë për të lejuar qeverinë të hartojë plane për një axhendë të re legjislative – ligjvënësit pro-BE-së kanë vetëm tre ditë për të miratuar një legjislacion urgjent, një kohë jashtëzakonisht e shkurtër për të shqyrtuar legjislacionin në Dhomat e Komunave dhe Lordëve.

Drejtuesi i partisë kryesore të opozitës së Punës në Britani, Jeremy Corbyn, u ka kërkuar anëtarëve të partisë të protestojnë të shtunën në 10 qytete britanike, të “mbyllin rrugët” dhe “të pushtojnë ura”/TCH.