Lajme
Festohen Pashkët, me lutje për dashuri e mirësi
Mesha kryesore e Pashkëve u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, ndërsa në Tiranë në Katedralen e “Shën Palit”. Në dy meshat u bë thirrje për unitet e dashuri midis njerëzve
Gjatë ditës së sotme qytetarët që i takojnë konfesionit katolik në Kosovë, po festojnë pashkët, njërën nga dy festat më të mëdha të të krishtere, që simbolizon ringjalljen pas vdekjes. Në këtë ditë, kleri katolik, por edhe përfaqësuesit e institucioneve kosovare bëjnë thirrje për paqe, solidaritet dhe unitete midis njerëzve.
Mesha kryesore e Pashkëve u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. Në këtë meshë morën pjesë, pjesëtarë të komunitetit katolik në vend dhe të huaj që aktualisht ndodhen në Kosovë.
Meshën e drejtoi imzot Dodë Gjergji, lider i Ipeshkvisë së Kosovës, i cili tha se komuniteti katolik planifikon që vitin e ardhshëm ta shugurojë Kishën në Prishtinë në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Vatikani, dhe për këtë ditë, ai tha se ka ftuar Papa Françeskon, të cilën vizitë shpreson se do ta pranojë.
Gjergji bëri thirrje për dashuri për të varfrit, për jetën, popullin, e madje edhe për armikun. “Këtu, pra, ne, nxënësit e Zotit tonë Jezu Krishtit, nxisim njëri-tjetrin në dashuri për të afërmit, për të varfrit, dashuri për jetën dhe për popullin, por edhe për të gjithë njerëzit, deri te dashuria e skajshme për armikun tonë”, tha ai, raporton KP.
Duke folur për polarizimet brenda-fetare, Gjergji tha se këto mospajtime brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive, me theks të veçantë te aktet terroriste, shkaktojnë vdekje të njerëzve të pafajshëm, duke rritur dhimbjet dhe vuajtjet si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.
“Akte këto që po marrin jetën e pafajshme të njerëzve, të cilët tek popujt e shtypur e mbipeshojnë barrën e dhimbjes dhe mjerimit, kurse te popujt e lirë e mbjellin frikën dhe pasigurinë”, tha tutje Gjergji duke u bërë ftesë të gjithëve të kontribuojnë në shtetin laik dhe në shoqërinë multireligjioze.
Me rastin e Festës së Pashkëve, komunitetin katolik në Kosovë i uroi edhe prsidnetja në largim, Atifete Jahjaga.
“Festat si kjo e Pashkëve, kthejnë ndjenjën e bashkimit dhe të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe për përkujdesjen institucionale. Andaj, në frymën e respektit të ndërsjelle dhe të tolerancës së bashku të punojmë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të lutemi për paqe, siguri dhe begati për gjithë njerëzimin”, tha ajo.
Jahjaga uroi edhe ambasadorët, përfaqësuesit diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë Pashkët.
Ndryshe Pashkët ose Pashka, është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Festat për pashkët fillojnë të premten dhe përfundojnë të dielën.
Edhe në Shqipëri, besimtarët katolikë kanë kremtuar në mesnatë ngjalljen e Krishtit. Në Tiranë, mesha e shenjtë është mbajtur në Katedralen e “Shën Palit”, e drejtuar nga imzot Xhorxh Frendo. Në fjalën e tij, imzot Frendo bëri thirrje për më shumë dashuri, paqe e ndihmë për njëri-tjetrin, duke sjellë shembullin e Jezu Krishtit, i cili u kryqëzua për njerëzimin.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë Festë jubilarie në Mynih: Kënga dhe vallja shqiptare lidhin brezat... -
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike
Jeta në Zvicër
-
Teknologjia zvicerane që po ndryshon trajtimin e tumoreve Radioterapia inovative zvicerane për trajtim të saktë të tumoreve... -
Ferma më e lartë e erës në Evropë ndodhet në Zvicër -
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike











