Kosova
NZZ: Me fitoren e opozitës, një erë e re po fryn në Kosovë
"Dy politikanë, karriera e të cilëve nuk ka nisur me UÇK-në, fitojnë më shumë se gjysmën e të gjitha votave dhe me këtë janë meritorë për një shkëputje të qartë me sistemin klientelist të establishmentit politik"

Lëvizja kundër regjimit Vetëvendosje po bëhet organizata më e fuqishme në Kosovë. Kreu i kësaj partie, së bashku me Lidhjen Demokratike mund të krijojë një koalicion qeveritar, i cili mishëron një ndarje të qartë nga sistemi klientelist i viteve të fundit. Kështu shkruan gazeta prestigjoze zvicerane NZZ në analizën e saj lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.
Pasi kujton rrethanat që sollën zgjedhjet e parakohshme (dorëheqja e Haradinajt), gazeta thotë se si AAK e Haradinajt, ashtu dhe PDK e Thaçit, janë ndarë të pakënaqura me rezultatet zgjedhore, transmeton albinfo.ch. Nga kjo rezulton se dy politikanë, karriera e të cilëve nuk ka nisur me UÇK-në, fitojnë më shumë se gjysmën e të gjitha votave dhe me këtë, janë meritorë për një shkëputje të qartë me sistemin klientelist të establishmentit politik.
Kjo dhe fakti se as PDK e Thaçit dhe as kryeministri i deritashëm Haradinaj nuk mundën të përfitonin nga negociatat lidhur me raportet me Serbinë, tregon se këto çështje nuk janë në kreun e prioriteteve të votuesve kosovarë.
Më tutje gazeta merret me planin për ndërrimin e kufijve, me të cilin Thaçi dhe Vuçiqi kishin shqetësuar shpirtrat vitin e kaluar. Kritikët supozojnë se Thaçi me këtë akt donte të fitonte simpatitë e Perëndimit për të shmangur gjykimin e vet nga Gjykata Speciale për Krime Lufte, përcjell albinfo.ch.
Ndërsa Haradinaj e kishte luftuar vendosmërisht këtë plan, kundër të cilit ishin edhe shumica e kosovarëve. Ai madje provoi që përmes një aksioni të shpejtë ta sillte Serbinë drejt gjunjëzimit, duke e vendosur një taksë prej 100% për mallrat serbe. Edhe pse fillimisht kjo vendosmëri i solli shumë simpati te populli – por po ashtu edhe kritika të ashpra ndërkombëtare – kjo nuk e ndihmoi atë në ditën e zgjedhjeve.
Ndodhi kështu pasi që për popullin kanë përparësi çështje të tjera, para së gjithash përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe dhënia fund korrupsionit të gjithëpranishëm. Përmes projekteve të kushtueshme infrastrukturale dhe përmes privatizimit të ish-ndërmarrjeve shtetërore, shuma të mëdha parash rrodhën në xhepat e partive qeverisëse. E ndërkohë, ato që vuanin ishin sistemi arsimor, kujdesi shëndetësor dhe shërbimet publike.
Të dy fituesit e zgjedhjeve, si Kurti ashtu dhe Osmani, konsiderohen si të pakorruptuar dhe ka mundësi të bëhet një qeveri koalicioni mes këtyre dy partive. Ndërkohë që Osmani e ka përjashtuar kategorikisht bashkëqeverisjen me PDK-në, partia e saj nuk ka treguar ende ndonjë zotim për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen e Kurtit.
Si nacionalist shqiptar, Kurti nuk i ka njohur simbolet shtetërore të krijuara artificialisht të Kosovës. Partia e tij kultivon simpati për një Shqipëri të Madhe dhe për këtë arsye hedh poshtë nenin kushtetues, i cili ndalon lidhjen e Kosovës me një shtet tjetër, shkruan më tutje NZZ.
Në kuadër të protestave kundër marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, Lëvizja Vetëvendosje pati ndezur disa herë petarda me gaz lotsjellës në ndërtesën e Parlamentit. Megjithatë, Kurti kohët e fundit paraqitet dukshëm më i moderuar. Askush nuk duhet të ketë frikë se partia e tij do të prishë kufirin kur të vijë në pushtet, ka deklaruar ai së fundi për gazetën “Tages Azeiger”, shkruan NZZ.
E-Diaspora
-
Dërgoni fëmijët në shkollat shqipe në Zvicër, regjistrimet fillojnë nga nesër, më 15 gusht Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë fton të gjithë prindërit shqiptarë që jetojnë në Zvicër...
-
Konsullata e Kosovës në Dyseldorf hap thirrjen për praktika ndërkombëtare
-
Gjenevë
Donis Sadushaj: Juristi shqiptar në zemër të diplomacisë zvicerane
-
Afro 3 orë pritje në dalje të pikës Merdarë
-
Vjedhje me thyerje në Rüti ZH: Arrestohet një kosovar
Jeta në Zvicër
-
Çokollata zvicerane në rrezik nga tarifat amerikane, a do të mbulojë Qeveria tarifat? Prodhuesi i çokollatës Daniel Bloch paralajmëron rrezikun që tarifat 39% të vendosura nga administrata Trump mund...
-
Zvicra miraton një model të përbashkët për reklamat në televizionin me shikim të mëvonshëm
-
Rrezik shumë i lartë për zjarre në pyje në disa rajone të Valais
-
Trafiku i bllokuar në aksin Grand-Saint-Bernard pas daljes nga shtrati të dy përrenjve
-
Fshati i shkatërruar zviceran Blatten do të rindërtohet brenda katër vitesh