Lajme
Emigracioni çon divorcet në nivel rekord në Shqipëri
Emigracioni, pavarësia ekonomike e grave, mosmarrëveshjet financiare, kryesojnë listën si arsyet kryesore pse po divorcohen shqiptarët. Teksa shifrat e 2019-s tregojnë nivelin më të lartë të tyre, 26.1 divorce për 100 martesa, ekspertët e fushës ligjore dhe psikologjike japin kambanat e alarmit…
Kur rregullat e reja të karantinës morën pushtetin më 2020, shumë njerëz menduan se si do të ndikonte kjo për çiftet që përpiqeshin të ruanin marrëdhënien e tyre së bashku. A do ta forconte më tepër raportin e tyre, kjo jetesë kaq shumë bashkë, me vetëm një orë leje për të dalë, apo do t’i shtynte çiftet drejt konfliktit? Derisa këto përgjigje i presim ende, duke qenë se statistikat në Shqipëri për divorcet e 2020-s nuk kanë dalë, shifrat e 2019-s e përkeqësojnë më tepër situatën.
Për herë të parë, që nga publikimi i statistikave të divorceve tri dekada më parë, më 2019 është shënuar niveli më i lartë të tyre, me 26.1 divorce për 100 martesa. Më shumë se një e katërta e martesave po përfundojnë në divorc. Kambana alarmi bien nga ekspertët e fushës psikologjike dhe sociale, kurse ekspertët ligjorë theksojnë problematika të shumta në zgjidhjen kaq të lartë të martesave.
Sipas Margarita Kolës, eksperte ligjore dhe avokate, nuk ka një arsye të vetme që ka ndikuar në këtë trend rritës, por një sërë arsyesh, të cilat ndër vite kanë pasur, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo tërthorazi, ndikimin e tyre.
“Ekzistojnë disa faktorë që ndikojnë në zgjidhjen e martesës, kështu që është e vështirë të vësh gishtin te një faktor i vetëm që siguron që çiftet të gëzojnë një jetë të gjatë dhe të lumtur së bashku. Dhe shkalla e ulët e divorcit nuk do të thotë gjithmonë që çiftet janë të lumtur, kjo thjesht mund të nënkuptojë se rëndësia e martesës kapërcen lumturinë individuale”, -thotë znj. Kola.
Ekspertët vëzhgojnë se kur njerëzit përjetojnë stres më të madh nga burime të jashtme të një marrëdhënieje, ata luftojnë më shumë për të zgjidhur problemet brenda marrëdhënieve të tyre dhe mund ta hedhin pa dashje këtë stres mbi njëri-tjetrin.
“Pa dyshim, në martesën e sotme, shumë gjëra, kulturore e sociale kanë ndryshuar, sepse prirja individualiste ndihet edhe brenda martesës, në të cilën çdo partner synon të realizojë qëllime të personalizuara, që në ndonjë rast sjell prishjen e raporteve, qoftë partneriale apo bashkëshortore, duke e përfshirë martesën në krizë identiteti dhe dobësim të qëndrueshmërisë së saj”, thotë sociologu Gëzim Tushi.
Fakti që një numër i divorceve sot kërkohet nga gratë, tregon emancipimin e tyre, shton më tej sociologu, i cili e thekson si një ndër arsyet që ka ndikuar vitet e fundit. Emancipimi, sipas tij, vjen si shprehje e dinjitetit për të mos jetuar në “klimë burgu” apo e nëpërkëmbur në dinjitetin, moralin, personalitetin. “Martesa nuk funksionon kur ajo bëhet institucion i ‘shtypjes’ së gruas”, thotë z. Tushi. Sipas tij, kompleksiteti i arsyeve është me natyrë biologjike, kulturore, sociale, ekonomike dhe zakonore.
E-Diaspora
-
Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla” Turneu do të mbahet nga 9 deri më 12 prill 2026 në Fier, Tiranë dhe Shkodër,... -
Budapest
Budapest: “Daily News Hungary” vlerëson ekspozitën personale të Jakup Ferrit -
Konsullata e Kosovës zhvillon takim me përfaqësues të shoqërisë civile për përfshirjen sociale -
Paradoksi shqiptar: mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës -
Adis Tairi: Sistemi shëndetësor në Zvicër kërkon urgjentisht staf të ri
Jeta në Zvicër
-
Në Zvicër mbi 300 mijë të moshuar përballen me dhunë Sipas ekspertëve, një në gjashtë persona mbi 60 vjeç përjeton dhunë ose keqtrajtim... -
Gjeneva, një nga qendrat botërore të industrisë së aromave dhe shijeve -
Çmimet e shtëpive në Zvicër po vazhdojnë të rriten -
Katër persona të plagosur në St. Gallen: arrestohet një shtetas i Serbisë -
Çfarë dihet për të gjithë shtetasit jo-BE që punojnë në Zvicër?












