Kosova
The Guardian: Rusia po rekruton serbë dhe po i dërgon në Ukrainë
The Guardian sot ka zbuluar se Rusia ka planifikuar të rekrutojë qindra shtetas serbë për të forcuar ushtrinë, bazuar në deklaratat e dy qytetarëve serbë që shkuan në Rusi dhe një liste të serbëve të rekrutuar që u gjet nga gazeta britanike, përcjell albinfo.ch.
The Guardian foli me një burrë, identiteti i të cilit është fshehur për sigurinë e tij, dhe u prezantua si Branko.
Në fillim të shtatorit Branko hipi në një fluturim direkt nga Beogradi për në Moskë.
Pas disa ditësh, ai dhe tre shtetas të tjerë serbë u dërguan në një qendër rekrutimi ushtarak në Krasnogorsk, një qytet në periferi të Moskës, ku grupi nënshkroi kontratë me ushtrinë ruse.
“Gjithçka shkoi shumë shpejt, në një ditë u bëra ushtar për Rusinë… Tani pres të më dërgojnë në Ukrainë”, ka thënë Branko.
Branko, sipas The Guardian, është pjesë e përpjekjeve të fundit të Moskës për të rekrutuar serbët për të luftuar për ushtrinë ruse në Ukrainë, ndërsa Kremlini kërkon të rikuperojë forcat e humbura.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia ka futur një sërë ligjesh për të joshur shtetasit e huaj që t’u bashkohen radhëve të ushtrisë së saj.
Serbia, një kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, po përpiqet të balancojë lidhjet historikisht të ngushta me Rusinë dhe aspiratat për integrimin në BE.
Megjithëse numri i serbëve të rekrutuar deri më tani nuk duket të jetë mjaftueshëm i rëndësishëm për të bërë ndryshim në fushën e betejës, veprimet e Moskës rrezikojnë të tensionojnë marrëdhëniet e saj me Serbinë.
Në krye të skemës serbe të rekrutimit, një plan që dukej se ishte hartuar gjatë verës, ishte Davor Saviçiq, i cili kaloi vite duke luftuar si pjesë e inkursionit të parë të Rusisë në Ukrainë më 2014, sipas The Guardian.
Saviçiq është gjithashtu i lidhur me grupin paramilitar Wagner. Në një intervistë të 21 gushtit me prezantuesin e televizionit pro-Kremlin, Vladimir Solovyov, Saviçiq foli hapur se si u vu në krye të një njësie të shtetasve serbë në Ukrainë.
“Tani po nënshkruajmë zyrtarisht një kontratë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Ushtarët po kalojnë regjistrimin ushtarak në Krasnogorsk”, pati thënë ai.
Numri i saktë i serbëve që kanë nënshkruar kontratë me ushtrinë ruse mbetet i panjohur.
Dy nga 13 burrat që janë në listën e gjetur nga e përditshmja britanike, përfshirë Brankon, iu përgjigjën kërkesave të The Guardian për koment.
“Për momentin kemi rreth 60-70 persona”, ka thënë një nga serbët që është pjesë e listës, i cili po ashtu udhëtoi nga Serbia në Moskë në shtator dhe shtoi se kishte nënshkruar kontratë me “Divizionin e 106-të Ajror”.
Ai shtoi se vendosi të bashkohej me ushtrinë ruse për arsye ideologjike dhe se pagesat fitimprurëse ushtarake luajtën rol dytësor.
Serbët e rekrutuar kujtuan se si në janar, president serb Aleksandar Vuçiq reagoi me zemërim pasi pa një video ku pretendohej se tregonte vullnetarë serbë që stërviteshin për të luftuar përkrah trupave të Wagnerit në Ukrainë.
“Pse ju nga Wagneri thërrisni dikë nga Serbia kur e dini se kjo është në kundërshtim me rregullat tona?”, pati thënë Vuçiq atëherë, duke iu referuar ligjit që ndalon serbët të marrin pjesë në konflikte jashtë vendit.
Edhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, paralajmëroi serbët që të mos i bashkohen ushtrisë ruse. Dhjetëra nacionalistë serbë që atëherë janë ndjekur penalisht.
Viktor Zaplatin, veteran rus i luftës që rekrutoi vullnetarë serbë në luftime përkrah forcave pro-ruse në Ukrainë në vitin 2014, ka thënë se autoritetet serbe kishin goditur luftëtarët që shkonin në Rusi.
“Rreziku i ndjekjes penale për ata që kanë shkuar në Rusi dhe janë kthyer në Serbi është shumë i lartë. Në Rusi ka pasur gjithmonë vullnetarë nga Serbia. Kjo do të thotë se atje tani ka vullnetarë, por numri dhe në çfarë cilësie marrin pjesë dhe shërbejnë është sekret organizativ”, ka thënë Zaplatin.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Gjermani
LAPSH Bavari organizon seminar për mësuesit shqiptarë, në fokus cilësia e mësimit në diasporë Trajnimi në Dachau mblodhi mësues, përfaqësues institucionesh dhe ekspertë të arsimit, me synim forcimin e mësimdhënies... -
Gjermani
Artistja kosovare Albe Hamiti përfaqëson Kosovën në bienalen prestigjioze Manifesta 16 në Gjermani -
Itali
Studentja nga Kosova fiton vendin e parë në një garë prestigjioze të modës në Itali -
Gjermani
Talenti shqiptar në Gjermani që firmosi kontratë me Adidas -
Artisti shqiptar nga Kanadaja, Zeqirija Rexhepi, hap ekspozitë në Berat
Jeta në Zvicër
-
Firma zvicerane shkurton orarin e punës gjatë vapës, punonjësit punojnë vetëm gjashtë orë Kompania nga Allschwil u dhuron punonjësve orët e humbura për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e... -
Ja cilat zona të Zvicrës sot janë nën alarm për stuhi -
Pamje e rrallë në Liqenin e Konstancës, shfaqet një “tornado uji” gjigant -
Stuhia “paralizon” Aeroportin e Cyrihut, anulohen 70 fluturime -
Një tjetër valë stuhish godet Zvicrën, autoritetet paralajmërojnë për përmbytje dhe breshër












