Kosova

Kurti: Aleanca me SHBA-në është e pazëvendësueshme, Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse

Kryeministri në detyrë mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, duke vlerësuar mbështetjen amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se aleanca ndërmjet Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e pazëvendësueshme, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen amerikane në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë, përcjell albinfo.ch.

Pas pjesëmarrjes në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, Kurti tha se vlerat mbi të cilat u themelua Amerika – jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë – kanë shërbyer si frymëzim për botën demokratike.

Sipas tij, populli i Kosovës për një kohë të gjatë ishte i privuar nga këto të drejta, ndërsa realizimi i tyre lidhet ngushtë me mbështetjen që vendi ka marrë nga Shtetet e Bashkuara.

“Përjetimi ynë është unik, sepse për ne jetësimi i këtyre vlerave dhe të drejtave është i lidhur ngushtë me SHBA-të. Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Ai u shpreh i nderuar që mori pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së në Ambasadën amerikane në Prishtinë, duke ritheksuar se Kosova do të mbetet gjithmonë falënderuese për ndihmën, partneritetin dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara. /Albinfo.ch