E-Diaspora
Fillojnë xhirimet e filmit „Romanca e hidhur”
Në St. Gallen kanë filluar xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë „Romanca e hidhur", me skenar dhe regji të regjisorit dhe aktorit shqiptar në Zvicër, Valton Jakupi.
Filmi do të xhirohet jo vetëm në Zvicër, por edhe në Gjermani e Kosovë. Në këtë projekt filmik janë angazhuar një numër i madh aktorësh, të cilët u përzgjodhën pas një pune të përkushtuar të regjisorit dhe stafit filmik.
Filmi trajton një temë tejet të ndieshme nga jeta e përditshme e të rinjve kurbetçinj, të cilët jetojnë, mësojnë e punojnë sidomos në Zvicër. Besimi fetar shpesh bëhet pengesë e lidhjeve të të rinjve shqiptarë, duke ua pamundësuar realizimin e dashurisë së tyre. Dy të rinj shqiptarë në këtë film, të cilët u përkasin dy besimeve të ndryshme fetare, në realizimin e dashurisë së tyre hasin në pengesat dhe barrierat e bindjeve të prapambetura mbi baza fetare.
Rolin kryesor në këtë film, Gencin, e luan vetë regjisori Valton Jakupi, i cili është i dashuruar në një studente, Albanën, të cilën e luan aktorja Nadija Ukshini. Dashuria e këtyre të rinjve has në pengesat e zakoneve prapanike, mbi baza fetare. Por, në ndihmë u dalin të rinjtë përparimtarë, të cilët çështjen kombëtare e vejnë para çdo gjëje dhe ndihmojnë në tejkalimin e pengesave që u dalin dy të rinjve.
Filmi ngërthen edhe probleme të tjera shoqërore të komunitetit shqiptar në Zvicër, ndër të cilat është edhe veprimtaria e organizuar e grupeve dhe bandave kriminale. Pre e njërës nga këto grupe bie edhe Albana, të cilës i dalin në ndihmë pjesa e ndërgjegjshme e të rinjve shqiptarë, studentë të profileve të ndryshme. Kështuqë Albanën e gjejmë në mesin e pengesave për realizimin e dashurisë dhe sulmeve të bandave kriminale. Filmi kështu në dramacitetin e vet merr hov dhe intensitet në aksion, ku bandat përleshen me njëra-tjetrën si dhe me studentët.
Pra, filmi njëkohësisht shpalos dhe trajton edhe këtë dukuri tjetër negative brenda komunitetit shqiptar në Zvicër. Banda udhëhiqet nga aktori Naski Abdixhiku, në rolin e bosit të bandës, e cila jo vetëm kontrollon një qytet të tërë dhe bën krime të ndryshme, si tregtimi me lëndë narkonike, alkoolin, fajdet, vrasjet e fshehta, por përpiqet t’i manipulojë edhe studentët për t’i përfshirë në rrjete kriminale. Por kjo bandë kriminale ndiqet nga organet e policisë zvicerane dhe në fund arrestohet, duke iniciuar hetimet lidhur me aktivitetin kriminal të kësaj bande në Zvicër, Kosovë, Gjermani, si dhe në vende të tjera evropiane.
Regjisori Valton Jakupi në këtë film ka angazhuar edhe aktorë të tjerë, siç është Shukri Ademi në rolin e Milotit me prejardhje nga Çamëria, i cili ndihmon shokët dhe vëllezërit e një gjuhe dhe gjaku pa kurrfarë rezervash. Sidomos në ballafaqimin me babain e Albanës, Markun, të cilin e luan aktori Fatmir Salihu. Marku është një burrë zakoni, i traditës, por edhe patriot i flaktë, i cili ka qenë shumë aktiv në aktivitetin patriotik të kurbetçinjve shqiptarë, duke marrë pjesë nëpër protesta e demonstrata, në të cilat shpesh edhe ka mbajtur fjalime. Tani para Markut gjendet një kundërshtar i fortë dhe e mbështet me shpatulla për muri. Ai Mark që nuk donte t’ia dinte fare për forcën e pushtuesit, tani ndjehet i dobët para një armiku përçarës brenda përbrenda komunitetit shqiptar – ndasisë fetare. Kjo Markun jo vetëm e dobëson, por edhe e bën antipod të tij në karakter, nga një kurbetçar patriot që mbi çdo gjë dhe para çdo gjëje vë kombin dhe çështjen kombëtare, tani, kur në pyetje është e bija e tij që dashuron një djalë po shqiptar, por me një besim tjetër fetar, për Markun sikur çështja fetare ngre kokën dhe del në plan të parë. Të rinjtë e edukuar nga vetë Marku ngriten kundër këtyre zakoneve prapanike, duke e vënë Markun në siklet të madh, sepse ai vetë u kishte thënë se ne jemi shqiptarë, pa marrë parasysh besimin fetar, se çështja e kombit dhe kombi janë para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë tjetrër. Duke u ballafaquar me këtë rezistencë të fuqishme dhe të pathyeshme të të rinjve, Marku sikur zgjohet nga një kllapi e çastit dhe kërkon të ballafaqohet me djalin që dashuron e bija e tij, Albana.
Por jo vetëm Marku është në presion të ndikimit fetar. Edhe Reshati, të cilin e luan aktori Agim Sylejmani, është të thuash në të njëjtat pozita me Markun, me të cilin kishte një shoqëri të hershme dhe e respektonte për aktivitetin e tij patriotik. Gati të njëjtat fjalë ia thotë ai djalit të tij, Gencit, kur ky i tregon për dashurinë e tij.
Në këtë film janë të inkuadruar edhe aktorët si Teuta Sadiku, Liridon Veseli, Abdullah Bajrami, Bujar Ademi, Albert Ahmeti, Aid Beqiri, Etina Abdixhiku, Mirlinda Berisha, Ardita Jonuzi, Blerim Hasani, Vjollca Ademi etj.
Realizimi i filmit mendohet të zgjatë mbi tre muaj, ndërsa premiera e filmit mendohet të mbahet në kantonin St. Gallen dhe në Bujanoc, ndërsa pritet të shfaqet edhe në vende të tjera evropiane.
Realizimin e këtij projekt-filmi e kanë marrë përsipër produksioni filmik „International Film Europe Swiss” në bashkëpunim me teatrin „Antika”, produksionin filmik “Kraja Film” nga New York dhe me produksionin filmik „New Vision”. Kameraman është Blerim Iseni, derisa zërimin e bën Blerim Abazi
E-Diaspora
-
Në Gjenevë, do të mbahet manifestimi “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë” Shënimi i 30 gushtit, Ditës Botërore të të Zhdukurve me Dhunë synon t'u bëjë homazh të... -
Të shtëna në Podujevë, plagosen katër persona, mes tyre edhe mërgimtarë nga Gjermania -
Dy nga të plagosurit sot në këtë qytet të Kosovës dyshohet se janë mërgimtarë -
Erdhi nga diaspora për pushime, 40-vjeçarja humb jetën në Kosovë, familja kërkon obduksion -
Protesta e katërt në Gjenevë: Diaspora shqiptare vazhdon mobilizimin, “Shqipëria nuk është në shitje”
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Qendrat e konsumit të drogës mbeten shtyllë e rëndësishme e politikës antidrogë Qendrat e konsumit të drogës në Zvicër, të cilat kanë nisur funksionimin rreth 40 vite më... -
Fillon puna për projektin hekurudhor miliardësh midis Cyrihut dhe Winterthurit -
Përballë Algjerisë, Zvicra kërkon të bëjë histori -
Zvicër: Referendum për më pak mish dhe më shumë ushqim vendas -
Shefi i Armatës viziton trupat zvicerane në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë




















