Kosova
Bislimi: Dialogu Kosovë – Serbi nuk është i barabartë, BE-ja ka qenë e anshme në proces

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian nuk ka qenë i balancuar dhe se BE-ja ka treguar njëanshmëri të qartë në favor të Serbisë. Këto komente ai i bëri në një intervistë për Deutsche Welle, gjatë pjesëmarrjes së tij në panelin “Më shumë Europë, për një Europë më të fortë?”, të mbajtur në Aachen të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.
Sipas Bislimit, dialogu që zhvillohet në Bruksel është ndërmjet dy shteteve dhe jo mes qyteteve, siç pretendohet në disa raste. Ai theksoi se Marrëveshja Bazike për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, është shpeshherë keqinterpretuar nga pala serbe për ta reduktuar në temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ka një përpjekje të qëllimshme nga Serbia për ta paraqitur Marrëveshjen Bazike si një rikonfirmim të Asociacionit, por kjo nuk qëndron. Në asnjë nga 11 nenet e saj nuk përmendet specifikisht Asociacioni,” tha Bislimi.
Ai akuzoi Serbinë për moszbatim të shumicës së marrëveshjeve të dakorduara ndër vite, duke përfshirë mbylljen e strukturave paralele, mosbllokimin e Kosovës në proceset ndërkombëtare dhe bashkëpunimin për menaxhimin e kufijve. “Lista e mospërmbushjes nga Serbia është dyfish më e gjatë se ajo e Kosovës,” theksoi ai.
Bislimi foli edhe për konfuzionin që është krijuar rreth Asociacionit, duke sqaruar se grupi punues që duhej të hartonte draft-statutin për Asociacionin i përbërë nga katër anëtarë serbë nuk e ka dorëzuar kurrë një version zyrtar që nga viti 2013 e deri në vitin 2024. “Si mund të fajësohet Kosova për një proces që është bllokuar nga vetë përfaqësuesit e komunitetit serb?” pyeti ai, transmeton albinfo.ch.
Zëvendëskryeministri gjithashtu kritikoi Bashkimin Europian për qasjen e njëanshme. Sipas tij, BE-ja ka akomoduar kërkesat e Serbisë me shpresën se kjo do të garantonte një marrëveshje, ndërsa Kosova nuk ka përfituar asnjë nga kërkesat që ka parashtruar.
“Serbia që në javët e para pas marrëveshjes mori dy të tretat e asaj që kërkonte: hapjen e negociatave me BE-në dhe garanci për Asociacionin. Kosova, ndërkohë, vazhdon të përballet me bllokada dhe fushata çnjohjeje nga Serbia,” tha ai.
Në fund, Bislimi tha se Kosova është e gatshme të tregojë transparencë të plotë para Bashkimit Europian për hapat që ka ndërmarrë në drejtim të integrimit të minoriteteve, përfshirë edhe komunitetin serb. Ai kërkoi që standardet të jenë të njëjta për të gjitha komunitetet në rajon, duke përmendur mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë në Luginën e Preshevës si një shembull të dyfishtë standardi.
“Brukseli merret me numrin e policëve serbë në Kosovë, por nuk e shqetëson që në Preshevë nuk është punësuar asnjë polic shqiptar,” përfundoi ai, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Konsullata e Kosovës në Shtutgart pas aksidentit me tren: Nuk ka informacione për viktima nga Kosova Pas aksidentit hekurudhor të ndodhur pranë qytetit Riedlingen në landin gjerman të Baden-Württemberg, ku një tren...
-
Veshalla e Tetovës mirëpret mërgimtarët në manifestimin tradicional “Votra jonë na bashkon”
-
Tragjedi në Ujman: Humb jetën mërgimtari 33 vjeçar pasi kërceu nga ura
-
Shqiptarët në Maqedoni të përjashtuar nga anketa zyrtare për diasporën
-
NZZ shkruan për ambasadorin e Kosovës në Bern, Mentor Latifin
Jeta në Zvicër
-
Aksidenti tragjik në Ettingen ringjall debatin për përdorimin e imobilizuesve të alkoolit në Zvicër Një aksident fatal që ndodhi të shtunën mbrëma në Ettingen, kantoni Basel-Landschaft, ka rikthyer në qendër...
-
Miliona franga nga kamerat e shpejtësisë në Zvicër, siguri apo burim të ardhurash?
-
Kamerat e shpejtësisë në Zvicër, nga kamuflimi me bar, te gjobat milionëshe
-
Zvicra nën reshje intensive, paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje dheu në disa rajone
-
Zvicër: Atraksionet që mbartin më shumë sasi rreziku